E Diel, 1 Nëntor 2026

Mavraj merr ftesë nga Gjermania

 

Forma e mirë e treguar në ndeshjet e fundit i është shpërblyer mbrojtësit të Bohumit, Mërgim Mavraj, me një ftesë në përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë. Trajneri i Shpresave të Gjermanisë, Horst Hrubesh, e ka ftuar Mavrajn, pasi ka parë nga afër paraqitjen e tij në fitoren 1-0 të Bohumit në transfertë ndaj Borusia Mënhengladbahut, të premten. Shpresat gjermane të premten, më 27 mars, luajnë me Holandën, ndërsa më 31 mars me Bjellorusinë. Në të vërtetë, trajneri Hrubesh në listën e parë të futbollistëve të ftuar për këto dy ndeshje nuk e kishte përfshirë Mavrajn. “Lista e parë është bërë publike para së premtes dhe unë nuk isha i ftuar. Por, trajneri Hrost Hrubesh, pasi më pa nga afër në ndeshjen e së premtes, deklaroi se duhet patjetër të jem pjesë e përfaqësueses për dy ndeshjet e ardhshme miqësore”, ka treguar Mavraj për gazetën “Koha Ditore”. Lajmi për përfshirjen e mbrojtësit kosovar në përfaqësuesen Shpresa të Gjermanisë është konfirmuar edhe nga mediat gjermane. “Nuk e prisja këtë ftesë. Jam shumë i kënaqur që Hrubesh ka besim te unë”, ka pohuar qendërmbrojtësi. Mavraj ka shtuar se me përfaqësuesen do të grumbullohet të hënën (sot). Mërgim Mavraj më 9 qershor mbush 23 vjeç. Kjo nuk është pengesë që ai ende të luajë për përfaqësuesen U-21. “Kur filluan kualifikimet për kampionatin evropian të Shpresave, që do të zhvillohet në verë në Suedi, nuk i kisha mbushur të njëzetenjëtat. Për këtë arsye unë mund të luaj me Shpresat deri në përfundim të Evropianit, pra deri në qershor të këtij viti, edhe pse atëherë do të jem 23 vjeçar. Kështu thotë rregullorja”, sqaron Mavraj. Ai këtë edicion ka regjistruar 15 paraqitje me Bohumin në Bundesligën 1. Mërgim Mavraj ka luajtur një ndeshje me Shpresat e Gjermanisë. Më 21 shkurt të vitit 2007 luajti nga minuta e 67-të në barazimin pa gola me Italinë. Ai ka qenë edhe kandidat për një vend në Kombëtaren e Shqipërisë, madje për të fituar të drejtën të luajë me përfaqësuesen ishte pajisur edhe me pasaportë shqiptare, por pasi nuk u ftua një kohë të gjatë, Mavraj u indinjua dhe vendosi që të heqë dorë nga mundësia për të luajtur për Kombëtaren kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›