Vlorë, kontroll për vajin e ullirit
VLORE – Një aksion i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit vë në shënjestër pikat e tregtimit të vajit të ullirit. Një sasi e konsiderueshme e këtij produkti që tregtohej në Vlorë është bllokuar, pasi rezultonte përqindje të lartë përzierje vaji luledielli. Në bazë të ankesave nga qytetarë të ndryshëm, DBU-ja organizoi këtë aksion kontrolli në disa njësi tregtare në qytetin e Vlorës që tregtojnë vaji ulliri. Inspektorët e kësaj drejtorie, për tre ditë rresht kanë kontrolluar cilësinë e vajit të ullirit në shumë dyqane, duke marrë kampionë për kryerjen e analizave. Nga analizat e kryera në laboratorin e DBU-së ka rezultuar se në masën 90%, të gjitha llojet e vajrave të ullirit që janë në treg rezultojnë me përzierje të vajit të nxjerrë nga luledielli apo të llojeve të tjerë, duke bërë që vajit të ullirit t’i humbin vlerat e tij. Sipas inspektorëve të kontrollit firma të ndryshme që prodhojnë dhe tregtojnë vaj ulliri e bëjnë këtë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit të konsumatorëve. Nga kontrolli si dhe nga kryerja e analizave laboratorike për 13 lloje vaji ulliri nga të gjithë llojet që janë aktualisht në treg, me përzierje më të lartë ishte një markë vaji e prodhuar në Berat, AEUL. Nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Vlorë i është dërguar një shkresë homologes së saj në Berat për asgjësimin e vajit, pasi rezulton me pigment të lartë. Aksioni pritet të vazhdojnë dhe në ditët e tjera. q.b