E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet e Gërdecit s’ka kush t’i paguajë

 

Trazhgim Sokolaj

Dëmshpërblimi i pasojave të tragjedisë së Gërdecit për të vdekurit, të plagosurit, banorët e zonës dhe shtetin, rrezikon të dështojë.Sipas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, për gjykimin e ngjarjes së Gërdecit, dëmi total i shkaktuar nga shpërthimi në fabrikë është 22 milionë euro. Në kërkesën për gjykim (përmbledhje e dosjes penale), thuhet se ngjarja e rëndë shkaktoi dëmtime në pronat private të zonës (banesa, biznese orendi), në vlerën 21 miliardë lekë, dëme në pronë publike (shkolla, spitale, kanalizime) në 102 milionë lekë dhe dëmtim të pasurive të ushtrisë e Ministrisë së Mbrojtjes në 1.3 miliardë lekë. Krahas padisë penale të Prokurorisë së Përgjithshme për 28 personat e akuzuar për tragjedinë, në Gjykatën e Lartë është dorëzuar një padi paralele nga 16 familjet që humbën anëtarët e tyre. Ata kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e 20 milionë lekëve të reja për secilin nga 26 viktimat e ngjarjes. Nga ana tjetër, vetë Prokuroria e Përgjithshme e ka paditur kompaninë e Mihal Delijorgjit “Albademil”, si person juridik që shkaktoi dëmin, me qëllim shlyerjen e tij. Shlyerja e dëmit ndaj shtetit është kërkuar në padinë e ngritur në procesin penal nga Avokati i Shtetit. Më shumë se njëherë, burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur se paratë që do të përdoren për shlyerjen e dëmeve të tragjedisë, me vendim gjykate do të jenë pikërisht pronat dhe pasuritë që zotërojnë të akuzuarit si shkaktarë të ngjarjes, e si rrjedhim edhe të dëmeve të shkaktuara. Procesi i dëmshpërblimit për shtetin dhe individët ndodhet në rrezik serioz pikërisht për shkak se të akuzuarve si shkaktarë të tragjedisë, në fakt u janë gjetur thërrime krahasuar me dëmet që kanë shkaktuar.
Të akuzuarit
s’kanë pasuri
Pas paraqitjes së dosjes penale për tragjedinë e 15 marsit 2008, në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme veçoi disa dosje të tjera të lidhura me çështjen “Gërdeci”. Mes këtyre çështjeve është edhe dosja e veçantë për “hetimin pasuror” të personave që janë çuar të pandehur në dosjen që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Në kuadër të dosjes për hetimin pasuror, Prokuroria ka verifikuar për pasuritë e të akuzuarve, duke zbuluar në të vërtetë vetëm “thërrime”. Pronarit të kompanisë që kryente çmontimin në Gërdec, Mihal Delijorgji, iu bllokuan menjëherë pas ngjarjes, 900 mijë euro në bankë, disa troje dhe disa pallate. Prokuroria ka vlerësuar se në total, pasuria e bllokuar e Delijorgjit, e cila mund të shfrytëzohet për dëmshpërblimin, është rreth 3 milionë euro. Të akuzuarit e tjerë, ish-ministri Fatmir Mediu, ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, ish-kreu i fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, sipas hetimit pasuror rezultojnë se kanë në pronësi të tyre nga një shtëpi. Një apartament i vetëm është gjetur edhe në emër të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, gjithashtu i pandehur në dosjen “Gërdeci”. Nga një përllogaritje e thjeshtë, duket qartë se pasuritë që zotërojnë të akuzuarit për shkaktimin e ngjarjes së Gërdecit, në fakt nuk mbulojnë as 10 për qind të shumës së dëmit total të shkaktuar, në vlerën e 24.4 miliardë lekëve. Në këto kushte duket se dëmshpërblimin për viktimat, banorët, shtetin dhe ushtrinë, nuk ka kush ta paguajë. Mes të pandehurve të dosjes “Gërdeci”, vetëm katër prej tyre në fakt akuzohen se kanë shkatërruar pronat e zonës me eksploziv. Të arrestuarit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli e Sokol Ngjeçi, veç shkatërrimit të pronave akuzohen edhe për vrasje masive ndaj më shumë se dy personave.

Konvertimi i dëmit financiar në burg
Zgjidhja që ofrojnë ligjet shqiptare në rastin që pala e akuzuar nuk shlyen dot dëmin material-pasuror të shkaktuar qytetarëve apo shtetit, është konvertimi në kohë dënimi me burg. Të akuzuarit e Gërdecit rrezikojnë dënim shtesë me burg nëse pronat e tyre nuk mjaftojnë për dëmshpërblimin. Megjithatë edhe koha shtesë e burgimit të të akuzuarve duket se përsëri nuk zgjidh dëmshpërblimin e të dëmtuarve për mungesë të burimit financiar.

Dëmet nga “Gërdeci”

Dëme materiale, 22 miliardë lekë
Pronë publike, 102 milionë lekë
Pasuri të ushtrisë, 1.3 miliardë lekë
Dëmi total, 22 milionë euro
Të arrestuar për shkatërrim prone
1. Mihal Delijorgji, “Albademil”
2. Ylli Pinari, ish-drejtor MEICO
3. Dritan Minxolli, fabrika-Gërdec
4. Sokol Ngjeçi, mbikëqyrës-Gërdec

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›