E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkon të vjedhë fabrikën, vdes i rrëzuar nga kati 2

 

Etleva Delia

Një 20-vjeçar gjeti vdekjen dje në orët e para të mëngjesit, në tentativë për të vjedhur fabrikën e këpucëve "Alb Shous", në Shkozë, periferi e Tiranës. Roja i turnit të natës pranë fabrikës, i tha policisë së rreth orës 05:00 ka dëgjuar një zhurmë të fortë në oborrin e ndërtesës. Disa minuta më vonë, kur po vëzhgonte se çfarë kishte ndodhur, roja tha se kishte parë një njeri të shtrirë në tokë dhe menjëherë lajmëroi policinë e Komisariatit Nr.1, e cila mbulon zonën. Fillimisht roja ka dyshuar se personi që ndodhej aty kishte humbur ndjenjat, por më vonë ka kuptuar që ai kishte ndërruar jetë, pasi nuk shfaqi asnjë reagim. Policia në bazë të një dokumenti identifikimi bëri saktësimin e emrit të viktimës. Burimet zyrtare thanë se i vdekuri është Fatmir Çakrri, 20 vjeç, banues në Kamëz. Sipas të dhënave nga vendngjarja, i riu dyshohet se ka shkuar për të vjedhur në fabrikën e këpucëve, por nuk ia ka arritur qëllimit, pasi në tentativë për t'u ngjitur në katin e dytë të godinës, litari i është këputur dhe i riu ka rënë përtokë. Përplasja duket se ka qenë fatale për 20-vjeçarin, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë policia ka marrë në pyetje rojën e fabrikës së këpucëve në Shkozë. Ai ka treguar se fillimisht kishte menduar se personi që kishte parë të shtrirë në oborrin e ndërtesës ku punonte, ishte ndonjë endacak që kishte kaluar natën aty. Roja sqaroi në polici se sapo i është afruar viktimës për ta lëvizur, ka arritur të kuptojë se ai kishte vdekur, pasi poshtë kokës ishin përhapur në tokë njolla gjaku. Menjëherë pas këtij konstatimi, roja është shprehur se ka lajmëruar policinë përmes telefonit. Sipas burimeve nga Drejtoria e Tiranës, mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe mjetet me të cilat Fatmir Çakrri do të realizonte vjedhjen, një litar, një palë pinca dhe një çantë e madhe e boshatisur. Pas verifikimeve, policia ka zbuluar se 20-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm në krimet e vjedhjes. Nga verifikimet, rezultoi se Fatmir Çakrri nuk ka mundur të vjedhë asgjë në ambientet e ndërtesës 3-katëshe të firmës "Alb Shous", pasi gjatë tentativës për t'u ngjitur me litar në katin e dytë të saj, litari i është këputur. Për pasojë i riu ka rënë me kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjes. Policia aktualisht po verifikon nëse viktima Fatmir Çakrri ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në këtë ngjarje, ndërkohë roja gjatë dëshmisë së tij ka treguar se nuk ka parë persona të tjerë rreth godinës në momentin që ka dëgjuar zhurmën.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›