E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toni Kandeloro sjell “Parajsën e humbur” të Hajdenit në Tiranë



Petrika GROSI
“Krijimi” titullohet premiera më e re, që do të vijë javën e fundit të muajit (25 - 27 prill ’09) në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke sjellë kështu për tri ditë me radhë në Tiranë “Parajsën e humbur” të kompozitorit të njohur, Jozef Hajden. Shfaqja risjell me baketën e dirigjimit në duar maestro Zhani Cikon dhe po kështu, rikthen për një bashkëpunim tjetër në Tiranë artistin italian Toni Kandeloro, i cili do të përkujdeset për koreografinë, skenën dhe kostumet. Interpretimi i roleve kryesore u është besuar kësaj here artistëve më të rinj si Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj e Emiljana Palushaj, ndërkohë që do të kenë role edhe dy artistë të huaj; Taehyun Jun dhe Kozimo Panoco.
Sa i përket historisë së kësaj pjese, “Krijimi” u prezantua për herë të parë në Vjenë (në Pallatin Schwarzenberg) në prill dhe maj të vitit 1798, për një publik të zgjedhur. Për publikun u vu në skenë për herë të parë në mars të vitit 1799, në Burgtheater të Vienës. Premiera pati një sukses të madh dhe u rivu në skenë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së Hajdenit. Më pas, Oratori u përkthye në anglisht dhe u vu në skenën e Convent Garden të Londrës (1800) dhe pas kësaj, kompozitorët u autorizuan ta përkthenin në të gjitha gjuhët europiane. Një ripërpunim për tre zëra solistësh, kor e orkestër tungjesh (me instrumenta tunxhi) u vu në skenë për herë të parë më 19 korrik të 2006-s, në përfundim të Festivalit “Thurn und Taxi” të Ratisbonës, ku mori pjesë kori i zërave të bardhë Regensburger Domspatzen si dhe Swiss Army Brass Band. Një shfaqje tipike e Krijimit zgjat deri në 1 orë e 45 minuta.

“Krijimi” i Hajdenit

Ideja për të kompozuar veprën “Krijimi”, piqet te Hajdeni mes viteve 1791 dhe 1795, gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në Londër. Në Londër, Hajdeni pati mundësi të njihte oratorët e Hendelit dhe kish mbetur shumë i impresionuar prej tyre. Oratori i Hendelit prej asaj kohe do të përbëjë stimulin dhe modelin ideal të oratorëve që do të kompozojë më vonë Hajdeni. Teksti i “Krijimit” është marrë nga poema e Lindley, bazuar në pjesën më të madhe në poezinë Paradiso perduto të John Milton, material të cilin në fakt Hendeli kish dashur ta kompozonte. Përmbajtja e “Krijimit” ndahet në tri pjesë; e para, tregon krijimin e elementëve natyralë, pas preludit instrumental që përshkruan kaosin e fillimit; në pjesën e dytë ilustrohet krijimi i kafshëve, deri te qenia më e lartë, njeriu, imazhi i drejtëpërdrejtë i Zotit; pjesa e tretë konsiston në një soditje idilike të Parajsës tokësore të banuar nga Adami dhe Eva, ende të paprekur nga mëkati. Muzikalisht, përmes ndërthurrjes së recitativëve, arieve, pjesëve të përbashkëta, koraleve, shpërrthen dhe ilustrohet gjithë procesi i krijimit të botës, që prej ndarjes së dritës me errësirën, deri tek Adami dhe Eva në parajsën tokësore. Në një krahasim mes “Krijimit” të Hajdenit dhe një oratori hendelian (p.sh. Messiah) vihet re diferenca mes një koncepti barok të artit dhe një koncepti klasik, të ushqyer nga fara iluministe. Kontrastet e mëdha të ngjyrave dhe tingullit, të cilat nga Hendeli u realizuan me efekte masivë, te Hajdeni u zëvendësuan nga një logjikë e kujdesshme elementesh shprehës.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›