Prokuroria: Ngjarja e Gërdecit shkaktoi dëme te 5829 persona
TIRANE – Dosja e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, përmban të dhëna të detajuara për dëmin e shkaktuar nga ngjarja e rëndë. Në fashikull ndodhet padia ndaj personit juridik, kompania “Albademil”, që kryente demontimin, e cila akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë. Akuza e dytë ndaj kompanisë është “shkatërrimi i pronës me eksploziv”, që ka shkaktuar shkatërrimin e pronës me pasoja të rënda materiale në vlerë 2,243,843,616 lekë, e cila përfshin pronë private në vlerë 2,141,343,616 lekë dhe shkatërrimin e pronës publike në vlerë 102,500,000 lekë, e barasvlefshme me 22 milionë euro. Sipas Prokurorisë, 5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2,141,343,616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime në banesa, biznese, orendi të tyre e ferma bujqësore dhe blegtorale. Në dosje thuhet se shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerën 102.500.000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, “shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerën 1,323,600,354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit. Në shifrën e 22 miliardë lekëve dëm me shkatërrimin e pronës, Prokuroria ka përfshirë 21 miliardë të pronës private të dëmtuar dhe 102 milionë lekë të pronës shtetërore. Shuma e dëmit prej 21 miliardë lekësh u është shkaktuar 5829 personave, që janë prekur në mënyra të ndryshme nga ngjarja, me viktima në njerëz, të plagosur, dëmtime të banesave, biznesit apo pronës. tr.so