E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kthehen në shtëpitë e tyre, në veri të Mitrovicës



Banorët shqiptarë kanë filluar të kthehen në banesat e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe. Që nga viti 1999, mbi 10 mijë shqiptarë u zhvendosën nga pronat e tyre në veri të qytetit të ndarë, buzë lumit Ibër. Kthimi i nëntë familjeve të para në një lagje të njohur si “Lagjja e Doktorëve” në veri të Mitrovicës, u bë i mundur pas investimeve të qeverisë dhe pushtetit lokal për rindërtimin e shtëpive të tyre. Ndërsa shqiptarët flasin me optimizëm për kthimin e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës, përfaqësues të serbëve kërkojnë që procesi i kthimit të ndalet. Autoritetet qendrore dhe komunale kanë thënë se gjatë këtij viti do të krijohen kushte për kthimin e më shumë banorëve në veri të Mitrovicës. Nënkryetari i Kuvendit Komunal, Ismajl Smakiçi, tha se procesi i kthimit të shqiptarëve në pjesën veriore të lumit Ibër po shoqërohet me disa vështirësi për shkak të situatës së ndjeshme politike. Shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë në qytetin verior të Kosovës, në Mitrovicë. Në veri të lumit Ibër shumicën e përbëjnë serbët, ndërsa në jug shqiptarët. Pjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Serbët nuk e njohin pavarësinë dhe rrjedhimisht as institucionet e Kosovës. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin.

Vizita e Tadiçit, Kermabon sqaron dilemat e kompetencave

Shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabon, ka sqaruar në një intervistë për mediat serbe dilemat e kompetencave për lejimin e vizitës së presidentit serb Tadiç në Kosovë. Sipas Kermabonit, për të kryer një vizitë në Kosovë, autoritetet serbe duhet të paraqesin më parë kërkesën tek përfaqësuesi i Havier Solanës në Beograd. Ky i fundit ia përcjell atë zyrës së BE-së në Prishtinë, e cila ua paraqet më pas autoriteteve kosovare. “Në këtë pikë caktohet nëse një autoritet serb do të lejohet të vizitojë apo jo Kosovën”, - ka deklaruar Kermabon. Ai ka shtuar më tej se misioni EULEX është në gjendje t’u sigurojë eskortë vizitorëve në rast se mbrojtja nga SHPK-ja do të jetë e pamjaftueshme. “Përcjellja mund të sigurohet nga Policia e Kosovës, ose nëse ne konsiderojmë se kjo nuk është e mjaftueshme, mund t’ju ndihmojmë”, - tha Kermabon për shtypin e Beogradit. Deklarata e Kermabonit vjen pas vizitës që Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kreu disa ditë më parë në Kosovë me rastin e Pashkëve Ortodokse. Vizita e Tadiçit hapi polemika të shumta në politikën kosovare dhe mes misionit ndërkombëtar.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›