Pallati i shembur, qeveria i kërkon pronarit dëshmpërblimin
GJIROKASTER - Starton në Gjirokastër gjyqi ndaj shtatë të akuzuarve në rrëzimin e pallatit në lagjen "11 Janari" më 9 nëntorin e vitit të kaluar ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 6 të tjerë. Janë 7 të akuzuar në çështjen e rrëzimit të pallatit 5-katësh, përkatësisht Gjergji Meçi, Alfred Mamani, Afërdita Papamihali, Petrit Maksuti, Admir Shehaj dhe Leonard Mustafaraj për shpërdorim detyre, ndërsa Sotiraq Janora me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese dhe shkatërrim i pronës me dashje. Akuzat janë hedhur poshtë nga ana e përfaqësuesve mbrojtës të të pandehurve, të cilët premtuan se në seancat gjyqësore vijuese do të provojnë të faktuara pafajësinë nga akuzat e ngritura në ngarkim të klientëve të tyre. Trupi gjykues, i kryesuar nga kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë, Desard Avdulaj, dha vendimin e parë, i cili kishte të bënte me kërkesën e Avokatit të Shtetit Kristaq Kutra për ngritjen e çështjes civile në ngarkim të të pandehurit Sotiraq Janora, president i firmës së ndërtimit "Arti sh.p.k". Sipas tij, Janora duhet të zhdëmtojë me 46 milionë lekë të rinj të dhëna nga qeveria shqiptare banorët që humbën apartamentet e tyre nga rrëzimi i pallatit. Akuza për këtë çështje civile është ngritur nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Avokati mbrojtës i Janorës i ka kërkuar trupit gjykues që kjo kërkesë të mos merret parasysh pasi sipas ligjit, një akuzë e tillë, mund të ngrihet vetëm nga të dëmtuarit që në këtë rast janë banorët e pallatit dhe jo shteti, i cili i ka dhënë shumën financiare që ka dashur vetë. p.n.