E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet në Gërdec, ekspertët hetime në terren

Dy ekspertë të vlerësimit
të dëmeve në Gërdec, si
dhe dy oficerë të policisë
gjyqësore shkojnë në fshatin e
tragjedisë për të rikryer ekspertimet
e 50 objekteve, për të cilat ka
dyshime se janë vlerësuar gabim.
Prokuroria e Tiranës tha dje se ka
zgjeruar rrethin e hetimeve për
vlerësimet e objekteve që janë
prekur nga tragjedia e Gërdecit
në muajin mars të këtij viti. Nga
verifikimet e deritanishme është
konstatuar se vlerësuesit kanë
abuzuar me 58 objekte, duke i
shkaktuar shtetit shqiptar një
dëm monetar të konsiderueshëm.
Hetuesit e çështjes, pas
shumë ankesave dhe denoncimeve,
kanë kontaktuar dy ekspertë
të vlerësimit të dëmeve, për të
parë vërtetësinë e dyshimeve që
janë ngritur nga bizneset dhe
banorët e zonës. Dy ekspertët
dhe oficerët e policisë gjyqësore
do të mbledhin denoncimet dhe
pakënaqësitë e banorëve për
verifikimin e dëmeve.
Burime nga Prokuroria e Tiranës
thanë, dje, se fatura financiare
e dëmeve është nxjerrë nga
grupet e ekspertëve, duke përdorur
sistemin e votimit. "Jemi duke
pyetur specialistët që kanë votuar
kundër llogaritjes së pasaktë të
dëmit dhe jemi duke bërë një ekspertizë
për të parë diferencën",
thanë dje hetuesit e çështjes,
duke saktësuar se pikërisht ata
që kanë votuar kundër janë
marrë në punë nga prokuroria.
Sipas tyre, ka filluar procedimi
penal për 3 ekspertë të Agjencisë
së Legalizimeve (ALUIZNI) dhe
një zyrtari të Bashkisë së Vorës,
nën akuzën e "shpërdorimit të
detyrës" gjatë vlerësimeve për
dhjetëra objekte të shkatërruara
plotësisht në Gërdec. Vlerësuesit
janë denoncuar në prokurori nga
Policia e Tiranës, konkretisht nga
sektori i antikrimit ekonomik,
i cili prej disa javësh filloi një
"kalim në sitë" të të gjitha materialeve
të nëpunësve të shtetit.
Burime nga akuza kryeqytetase
thanë se tashmë disponohen
prova të sakta se personat nën
hetim kanë manipuluar faturën
ekonomike të tragjedisë. Në
këmbim të një vlerësimi më
të lartë, ekspertët e ALUIZNI-t
dhe Bashkisë së Vorës, sipas
Prokurorisë së Tiranës, përfitonin
ryshfete të majme. Metodat
speciale të hetimit kanë mundësuar
evidentimin e dhjetëra
rasteve, ku nëpunësit e dyshuar
për korrupsion bënin "pazare"
me biznesmenët dhe banorët e
shtëpive për një vlerësim më të
madh sesa vlera reale e dëmeve
që u shkaktuan nga tragjedia
e Gërdecit. Por, në disa raste,
në momentin që privatët nuk
jepnin ryshfet, vlerësimi bëhej
më i ulët. Burimet thanë se pas
përfundimit të vlerësimit të dëmeve
nga nëpunësit e autorizuar
nga shteti, në Bashkinë e Vorës
janë depozituar dhjetëra ankesa
nga banorët, të gjitha për mos
vlerësim real të dëmeve që kishte
pësuar banesa e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›