E Diel, 1 Nëntor 2026

Çobani ekzekuton në gjumë "kolegun", e shau nga nëna

Një çoban ka ekzekutuar
"kolegun" e tij me shtatë
plumba pistolete e më
pas ka njoftuar në polici se ishte
vetëvrasje. Megjithatë, mashtrimi
i Arjan Gramit nuk ka zgjatur
shumë, pasi policia ka kryer
ekspertizën dhe ka kuptuar se
ngjarja ishte vrasje e pastër. Krimi
i rëndë ka ndodhur në Kavajë,
ndërkohë që uniformat blu kanë
arrestuar autorin, i cili ka shpjeguar
se këtë krim e kishte kryer
pas një konflikti që kishte pasur
me viktimën, Kastriot Godole.
Burimet policore nga grupi hetimor
shpjeguan se ngjarja ka
ndodhur pak orë pas mesnatës
së djeshme në fshatin Karpen
të Komunës Synej në Kavajë.
Arjan Grami 34 vjeç dhe Kastriot
Godole 26 vjeç, njëri nga Tirana,
ndërsa tjetri nga Vlora, kishin
pak ditë që ishin vendosur në
këtë fshat, pasi punonin si çobanë
për një tjetër qytetar nga
Vlora. Ata kishin shfrytëzuar
një magazinë tek ish-rezervati i
peshkut për të ndërtuar një stan
dhe për të qëndruar gjatë dimrit.
Prej disa ditësh, ata qëndronin
aty dhe mbrëmjet i kalonin në
një bilardo. Dy net më parë,
pasi kishin konsumuar sasi të
madhe alkooli, ata janë zënë me
njëri-tjetrin në bilardo dhe është
dashur ndërhyrja e të tjerëve për
të qetësuar gjakrat. Më pas, ata
janë larguar së bashku drejt stanit
të improvizuar, ku 26-vjeçarin
Kastriot Godole e ka zënë
gjumi. Ndërsa Arjan Grami ka
nxjerrë pistoletën TT që mbante
pa leje dhe ka qëlluar shtatë herë
mbi shokun, duke i shkaktuar
vdekjen e menjëhershme. Më
pas, ai ka telefonuar policinë dhe
ka deklaruar se shoku i tij ishte
vetëvrarë. Fillimisht, policia ka
menduar se mund të ishte një
vetëvrasje, por gjatë këqyrjes së
vendit të ngjarjes ka rezultuar
e kundërta. Kështu, policia ka
shoqëruar Gramin si të dyshuar
kryesor për vrasje, i cili ka treguar
gjithë ngjarjen në praninë e një
avokati. Sipas policisë, në këto
kushte ai është arrestuar për
vrasje, ndërkohë që ka deklaruar
se viktima e kishte ofenduar rëndë
nga nëna dhe për këtë arsye
kishte vendosur ta ekzekutonte.
Policia tha se në cilësinë e provës
materiale u sekuestrua edhe
pistoleta e krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›