Dëmet pas tërmetit, shpresë për rivlerësim
BULQIZE - Janë të shumtë banorët e zonave të dëmtuara nga tërmeti në rrethet Bulqizë, Mat e Dibër që kërkojnë vlerësimin ose rivlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Këshillin e Qarkut Dibër, Pajtim Përnezha sqaroi procedurat e ndjekura nga grupet e vlerësimit në 8 njësi vendore të Bulqizës e Dibrës, duke u ndaluar në plotësimin e dokumentacionit ligjor dhe dorëzimin e tyre në Këshillin e Ministrave. “Ne, - tha Përnezha, - kemi ngritur grupet e vlerësimit të objekteve, në përbërje të të cilëve kishte specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Enti Kombëtar i Banesave, Këshilli i Qarkut, Prefektura Dibër, komunat dhe pleqësitë e fshatrave. Shtëpitë janë klasifikuar në banesa të dëmtuara lehtë, mesatarisht dhe rëndë. Shuma maksimale për një shtëpi ka variuar deri në 2.3 milionë lekë, banesa këto të ndodhura në Gjoricë, Shupenzë, Ostren, Zerqan, etj.” Sipas tij, janë vlerësuar 1437 objekte ndërkohë që është përgatitur një listë e dytë për ato objekte që nuk ishin vlerësuar gjatë periudhës së parë. “Pikërisht për shtëpitë e pavlerësuara në fillim të procesit janë ngritur dy grupe të reja vlerësimi. Është hartuar i gjithë dokumentacioni ligjor dhe pritet të dorëzohet në Këshillin e Ministrave”, sqaroi specialisti i këshillit të qarkut Dibër, Pajtim Përnezha. Ai pranon se janë të shumta familjet që kërkojnë rivlerësim të objektit por një gjë e tillë nuk është mundësuar dhe mbase i përket të ardhmes. Përnezha tha se ka dëmtime edhe në komuna të tjera, që nuk janë vlerësuar dhe se ndoshta në ditët që vijnë do të vlerësohen. h.p