Grabiti italianin në Durrës, kapet në Itali
Itali - Një 25-vjeçar nga Burreli, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim, është arrestuar mëngjesin e tri ditëve më parë në Itali. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se Interpol-Roma ka bërë të mundur arrestimin e Dritan Brahilikës, i kërkuar prej më shumë se 3 vitesh nga Interpoli. Burime nga policia thanë se 25-vjeçari në bashkëpunim me vëllain e tij, Argent Brahilika, në vitin 2006 kanë grabitur me dhunë një shtetas italian, të cilit i kanë marrë të gjitha paratë që kishte me vete, shumën prej 6 mijë dollarësh kanadezë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Romën, më 6 nëntor 2009 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit Dritan Hajdar Brahilika. Sipas policisë, 25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 334, datë 22 maj 2006, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg". Gjykata e ka deklaruar fajtor në mungesë të riun nga Burreli për veprën penale të "vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim". Sipas vendimit të gjykatës, Dritan Brahilika akuzohet se në bashkëpunim me vëllain e tij, Argent Brahilika. e.d