"Të rihapen hetimet ndaj Mediut"
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit protestuan dje para Prokurorisë së Përgjithshme duke kërkuar ri-hapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Duke mbajtur në duar buqeta me lule dhe copa predhash të marra në vendin e tragjedisë në Gërdec, Zamira Dudra, nëna e njërit prej viktimave qëndroi për disa orë para Prokurorisë së Përgjithshme për t'i bërë apel këtij institucioni për rihapjen e hetimeve. "Një muaj më parë kemi bërë kallëzim penal kundër ish-ministrit Mediu me të njëjtën akt-akuzë si herën e parë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje", thanë të afërmit e 26 të vdekurve nga tragjedia e Gërdecit më 15 mars 2008. Familjarët e viktimave kanë kërkuar takim direkt me prokuroren Ina Rama për këtë çështje. Fillimisht punonjësit e administratës së Prokurorisë së Përgjithshme u thanë familjarëve të viktimave se padia e tyre ishte marrë në dorëzim me firmë dhe i është përcjellë grupit të hetimit. Duke mbajtur copa predhash në duar, Zamira Durda tha se familjarët e viktimave nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kallëzimin penal të bërë më 8 tetor 2009. Sipas të afërmve të viktimave, kryeprokurorja duhet të mendojë për trajtimin e kësaj çështjeje. Pas disa orësh pritje, familjarët e viktimave janë pritur në një takim nga drejtuesi i hetimeve të dosjes "Gërdeci", Sokol Stojani. Sipas burimeve zyrtare, drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka dëgjuar me vëmendje pretendimet e familjarëve të viktimave në një takim të zhvilluar me ta për më se 45 minuta. Pasi ka mësuar ankesat e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, drejtuesi i hetimit Sokol Stojani, u ka pohuar familjarëve të viktimave se padia e tyre e dytë, e bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, është marrë në shqyrtim. "Por na nevojitet kohë që të bëjmë më të mirën", u ka thënë prokurori Stojani familjarëve të viktimave. Të afërmit e 26 personave që gjetën vdekjen në Gërdec bënë një padi të dytë, duke kërkuar rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit Mediu, pasi Gjykata e Lartë pushoi çështjen penale ndaj tij në mesin e muajit shtator, duke qenë se i akuzuari fitoi një mandat të ri deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit. t.s