Lezha nën ujë, mbërrin Basha
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u njoh dje nga afër me situatën e përmbytjes në qarkun e Lezhës nga shirat e vazhdueshme të këtyre ditëve. Pasi inspektoi disa zona të përmbytura, Basha deklaroi se është ngritur shtabi i emergjencës për të evidentuar dëmet dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. “Aktualisht në Qarkun e Lezhës janë të përmbytura 80 ha tokë buke dhe 40 shtëpi”, u shpreh dje ministri. Fillimisht Basha u ndal në kryqëzimin e rrugës së Patokut për të parë situatën e krijuar, ku qindra hektarë tokë vazhdojnë të jenë të përmbytura. Kryebashkiaku i Laçit, Luigj Isufi, u shpreh se është ndërhyrë në kanalet kryesore para reshjeve. Por deklarata e tij u kundërshtua nga banorët. Pal Çoku, një nga banorët e Laçit, u shpreh se “Kryetari i Bashkisë, Isufi, nuk tregon realitetin pasi ndërhyrja në kanale është bërë pas përmbytjes. Unë familjarisht së bashku me dy vëllezërit e mi kemi lënë shtëpitë e banimit në fshat dhe kemi marrë shtëpi me qira në Laç”. Pasi inspektoi disa zona, i shoqëruar nga drejtuesit vendorë të qarkut, ministri Basha kërkoi ndërhyrjen urgjente. Në fakt, Basha është shoqëruar në zonat ku edhe intensiteti i përmbytjeve është më i pakët dhe ku pushteti vendor kishte ndërhyrë për të larguar ujin. Por jo larg nga vendi që ministri i Brendshëm inspektoi në kryqëzimin e Sanxhakut, janë përmbytur qindra hektarë tokë. Më pas ministri u ndal në hyrje të Shëngjinit, ku ishin dhe shtëpi të përmbytura. Aty pushteti vendor kishte ndërhyrë duke hapur një kanal 4 metra të gjerë, duke çarë asfaltin e hedhur pak muaj më parë dhe vendosur tubacion për shkarkimin e ujërave. “Situata deri tani nuk është emergjente, por kjo nuk do të thotë të mos jemi sy hapur pasi edhe moti po përkeqësohet”, u shpreh ministri i Brendshëm. Ai falënderoi prefektin Dajçi për punën e deritanishme, ndërsa garantoi banorët që qeveria është pranë tyre në çdo moment. Më pas Basha ndaloi në hidrovorin e Ishull-Shëngjinit, në të cilin ishin në punë vetëm dy pompa nga katër. Ndërsa ministri u shpreh për zonat më problematike, duhet theksuar si ai dje nuk është njohur realisht me situatën. Kjo pasi në fshatin Spiten të Lezhës janë me qindra hektarë tokë nën ujë, në një lartësi një metër. Po kështu edhe në Barbullojë e Balldre. Ndërsa në Laç janë të përmbytur fshatrat e Sanxhakut, Fushkuqes, Adriatikut dhe Mamurrasit. Largimi i ujërave është shumë i vështirë, për shkak të bllokimit të kanalizimeve.