E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-materniteti, nxirren me forcë punëtorët e firmës

 

BERAT - Ish- materniteti i Beratit është kthyer në mollë sherri ndërmjet bashkisë dhe presidentit të Universitetit UFO, Astrit Veliaj. Ky i fundit ka nisur punimet për rikonstruksionin e kësaj godine, me qëllim për ta shndërruar atë në ambiente mësimdhënie. Por dje, policia bashkiake dhe inspektorati i Ndërtimit, i kanë kërkuar ndihmë policisë së rendit për të nxjerrë me forcë punëtorët e firmës së punimeve jashtë godinës. Kjo bëhet pas procedurave për verifikimin e dokumentacioneve që disponon firma, e cila po punon në rikonstruksionin e ish-maternitetit për ta shndërruar atë në degë të universitetit privat UFO. Drejtori i Policisë Bashkiake, Sokrat Gode, u shpreh se firma që po punon në këtë godinë nuk ka asnjë dokumentacion për kryerjen e punimeve siç janë, pronësia mbi truallin dhe objektin, leje ndërtimi, etj. Ndërkohë, objekti ndodhet në zonën e mbrojtur të qytetit muze, ku për rikonstruksion e saj kërkohet leje edhe nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës. Kryeinspektori i inspektoratit të Ndërtimit pranë bashkisë, Bardhyl Buba u shpreh se pas kërkesës së bërë nga ky inspektorat për ndërprerjen e punimeve në këtë godinë, ai është kërcënuar me telefon nga Veliaj. Bashkia nga njëra anë pretendon se ish- materniteti është pronë shtetërore dhe ndodhet në zonën muzeale. Sipas saj, për çdo ndryshim duhet miratimi i drejtorisë së monumenteve. Por nga ana tjetër,  presidenti i UFO-s, Astrit Veliaj, pretendon se këtë pronë e ka blerë te pronari truallit. Jorxhi Babaziko, pronar i tokës ku ndodhet objekti, pohon se ia ka shitur këtë tokë z.Astrit Veliaj. Por sipas bashkisë, këta persona nuk kanë asnjë lloj dokumenti.                               d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›