Gjykata vendos: Tre mjekët të qëndrojnë në paraburgim
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
As garancia pasurore e as fjala e avokatëve se bëhej fjalë për persona me reputacion të lartë në shoqëri nuk ka bindur trupin gjykues për të nxjerrë nga qelia tre mjekët e Elbasanit dhe Librazhdit, arrestuar javën që kaloi. “Arrest me burg” është vendosur në procesin e zhvilluar ditën e djeshme karshi kirurgut të njohur Adrian Palloshi, mjekut alergolog Ervedin Pudre si dhe kardiologut Astrit Leka. Mjekët janë sjellë dje në gjykatë nga ana e forcave të policisë, të ndarë nga njëri-tjetri dhe po në seanca të ndara janë njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Asnjëri prej mjekëve nuk ka folur dhe këtë rol e kanë bërë në të tri rastet avokatët e tyre, të cilët kanë folur dhe i janë drejtuar gjykatës në emër të klientëve të tyre. Gjyqtari i gatshëm, Ramazan Avdia, pasi dëgjoi avokatët dhe zv/prokurorin e rrethit Ritvan Skura vendosi të mos e ndryshojë masën e sigurisë, duke i lënë tre mjekët në burg pa afat. Gjykata refuzoi kërkesën e tre avokatëve të mjekëve, të cilët këmbëngulën duke arsyetuar qartë se mjekët nuk duhet të qëndrojnë në burg por duhet t’u jepet një masë më e lehtë. Për avokatët, të tre mjekët nuk janë persona me rrezikshmëri shoqërore që duhet të qëndrojnë të izoluar, si dhe gëzojnë reputacion në qytetet ku jetojnë e më gjerë për shkak të profesionit. Një tjetër kërkesë e avokatëve drejtuar gjykatës ka qenë dhe dhënia e një mase më të lehtë, kundrejt garancisë pasurore. Edhe kjo kërkesë është rrëzuar nga ana e gjykatës, duke i quajtur të ligjshme provat e prokurorisë dhe të mjaftueshme për të lënë në paraburgim tre mjekët. Seancat për komunikimin e masës së sigurisë ndaj tre mjekëve janë zhvilluar me dyer të mbyllura, çka ka bërë që të afërm të tyre të qëndrojnë në ambientet e jashtme të Gjykatës së Elbasanit. Pas njohjes me masën e arrestit të tre mjekët, Palloshi, Pudre dhe Leka janë transportuar për në ambientet e paraburgimit të burgut të Peqinit aty ku do të qëndrojnë deri në përfundimin e hetimeve për akuzën e “korrupsionit pasiv”. Tre mjekët po kryenin vizita me disa pacientë, të cilët merrnin pension si invalidë, pas përcaktimit nga një komision që përbëhej prej tyre. Në momentin e arrestimit, mjekëve iu sekuestrua një sasi prej 65 mijë lekësh, ndërsa janë filmuar në momentin kur sipas prokurorisë kanë marrë para. Këto janë dhe dy provat që akuza i ka klasifikuar të forta.