Debatoi në telefon me të fejuarin në Greqi, vetëvaret 18-vjeçarja
POGRADEC - Zënka në telefon me të fejuarin e saj në Greqi i ka kushtuar jetën një 18-vjeçareje në fshatin Velçan të Pogradecit. Sipas policisë, shtetasja M.H është gjetur e vetëvarur nga familjarët e saj dje rreth orës 06:00 në trungun e një kumbulle.
Prindërit e saj janë tmerruar kur sapo kanë dalë në mëngjes në oborr janë ndeshur me vajzën e vetëvarur. Më kot kanë nxituar t’i presin litarin që i kishte shtrënguar fytin, pasi e ndjera kishte dhënë shpirt disa orë më parë. Ata sinjalizuan policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Fillimisht u dyshua ndonjë konflikt i saj me pjesëtarët e familjare, por disa momente më pas, grupi i hetimit doli në rezultatin se 18-vjeçarja ishte vetëflijuar pas debateve të saj nëpërmjet telefonit me të fejuarin e saj, emigrant në Greqi. Në aparatin celular është verifikuar një telefonatë e vonë ndërmjet tyre. Më pas, teksa afrohej mesnata, 18–vjeçarja i ka dërguar një mesazh të fejuarit të saj, në të cilin i bënte të ditur se sa shumë e kishte dashur. “Të uroj gjithë të mirat. Dije se të kam dashur... dhe si unë nuk do të të dojë askush tjetër”. Ky është mesazhi që vajza i ka dërguar të fejuarit të saj, nga ku më pas ajo ka marrë një litar dhe i ka dhënë fund jetës. Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë biseduar dy të rinjtë në telefon. Por grupi i hetimit dyshon se mund të ketë pasur një ftohje në marrëdhënien e tyre, gjë e cila mund të jetë vënë në dukje verbalisht nga ana e djalit emigrant. Kjo mund të ketë rënduar gjendjen psikologjike të vajzës, duke e shtyrë atë deri në vetëvarje. j.gj