E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet sipas sektorëve, kryeson Ministria e Mjedisit



Ministritë, Kuvendi dhe një pjesë e drejtorive të administratës qendrore cilësohen ndër shkelësit më të mëdhenj të rregullave, duke shkaktuar edhe dëm të konsiderueshëm në buxhet. Nga 40 kontrolle të ushtruara nëpër institucionet qendrore, KLSH konfirmon se ka hasur në 866 milionë lekë dëme, pjesa më e madhe në sektorin e të ardhurave. Institucioni më problematik, sipas KLSH-së, i cili ka kontribuar me një dëm prej 527 milionë lekësh në buxhetin e shtetit është Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Raportohet se ministria në fjalë ka lëshuar me qira një fond pyjor prej 23.3 hektarësh ndaj nëntë subjekteve private nga të cilat nuk ka mbledhur shumën e sipërpërmendur. Në listën e shkeljeve të kësaj ministrie renditen një serë rastesh të tjera por më shuma më të vogla. Ndërkohë, dëmit prej 866 milionësh të shkaktuara nga administrata e lartë shtetërore i shtohet edhe shuma prej 2.7 miliardë lekësh nga Tatimet dhe Doganat. Mësohet se Tatimet kanë shkaktuar një dëm të vlerësuar rreth 2.4 miliardë lekë, ndërsa Doganat rreth 300 milionë lekë. "Referuar rezultateve të këtyre kontrolleve, krahas arritjeve dhe përpjekjeve të administratës tatimore dhe doganore, janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të legjislacionit fiskal në fuqi të shoqëruar me evazion fiskal në vlera të mëdha. Më konkretisht, efektet negative në vjeljen dhe arkëtimin e të ardhurave tatimore nga sistemi tatimor dhe doganor për llogari të buxhetit të shtetit të vitit 2009 llogaritën në shumën 2.7 miliardë lekë, nga të cilat 2.4 miliardë në sistemin e tatim-taksave dhe 300 milionë në atë doganor", - citohet në raportin e KLSH-së, i cili pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvend. Nga shuma totale prej 2.4 miliardë lekësh dëm të hasura në sistemin e tatim-taksave, rreth 1.2 miliardë janë shkaktuar nga mosarkëtimet e penaliteteve të vendosura ndaj bizneseve si dhe mungesat në mbledhjen e tatimit mbi fitimin. Një dëm prej 915 milionë lekë janë shkaktuar prej detyrimeve tatimore për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Krahas këtyre, në listën e shkeljeve të hasura në këtë sistem nga KLSH përfshihen edhe ulja e masës së gjobës në kundërshtim me ligjin ndaj kompanive të ndryshme, mosmbledhje e detyrimeve tatimore dhe penaliteteve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, etj. Krahas marrëdhënieve me subjektet, KLSH ka hasur shkelje edhe në administratën e tatimore. Raportohet se janë kryer shkelje me shuma të konsiderueshme në fondet e pagave dhe shpërblimeve, shpenzimet për telefon si dhe ato për karburant. Për sa i përket administratës doganore, KLSH raporton për shkelje të hasura në gabimet e personelit në klasifikimin e mallrave që zhdoganohen, probleme me plotësimin e deklaratave doganore etj.

KLSH, kontroll tenderëve elektronikë

Agjencia e Prokurimeve Publike refuzon Kontrollin e Lartë të Shtetit në verifikimin e procedurave elektronike gjatë zhvillimit të tenderëve. Duke dashur të shtrijë kontrollin e tij edhe brenda këtij sistemi në kuadër të rritjes së transparencës në Prokurimet Publike, KLSH i ka kërkuar kësaj agjencie që të lejojnë strukturat e auditit të kenë akses në sistemin e prokurimit elektronik, me synim kryerjen e verifikimeve mbi zbatimin e rregullores së prokurimeve. Për përmbushjen e kësaj kërkese nevojitet një vendim i Këshillit të Ministrave, i cili të përcaktojë të drejtën e KLSH-së për hyrë në sistemin e prokurimeve publike me qëllim kontrollin e procedurave të ndjekura nga autoritetet kontraktore. Pavarësisht kësaj kërkese, KLSH raporton se gjatë vitit të shkuar nuk është lejuar të ushtrojë kontrolle në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›