E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takon eurodeputetin grek Chountis, dënohet racizmi grek ndaj shqiptarëve



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje në një takim të veçantë eurodeputetin grek Nikolaos Chountis. Në këtë takim parlamentari grek ka dënuar aktet e racizmit grek ndaj shqiptarëve si dhe ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. “Angazhimi im personal, por edhe i grupit tonë në Parlamentin Europian, është për të përshpejtuar procedurat për heqjen e vizave për shqiptarët”, - tha Nikolaos Chountis, reporter i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Ballkanin.
Në takimin me kryetaren e Kuvendit, zoti Chuntis tha se ”kemi qenë dhe mbetemi mbështetës së lëvizjes së lirë të qytetarëve në Europë dhe përkrahim fort heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”. Kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja gjithnjë e më e fortë që vjen nga komisionerët e BE-së dhe eurodeputetët për heqjen e vizave është për ne shumë inkurajuese. “Ne do të bëjmë çdo gjë që të merret vendimi për heqjen e vizave, pavarësisht nga përpjekjet e një njeriu për ta penguar këtë përmes sjelljeve joeuropiane”, - është shprehur Topalli në këtë takim. Si eurodeputet i Greqisë, zoti Chountis tha: “Ne dënojmë aktet që pamë gjatë paradës ushtarake në Greqi. Ne duhet t’i evitojmë këto akte, pasi nuk ndihmojnë në miqësinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve. Grupi ynë në Parlament ka bërë një kërkesë drejtuar qeverisë greke për të gjetur fajtorët e për të marrë masat e duhura”, - është shprehur përfaqësuesi i lartë i Greqisë.

Dule: “Incidenti me ushtrinë greke, i papranueshëm”

Edhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka reaguar dje për thirrjet antishqiptare të ushtarëve grekë në Ditën e Pavarësisë së shtetit grek, duke i cilësuar ato si të papranueshme. Në një prononcim për mediat pas takimit me eurodeputetin grek, Nikolaos Chountis, Dule, duke analizuar edhe protestat që janë bërë në disa qytete të Shqipërisë për video-skandalin, theksoi se gjithashtu është e papranueshme edhe djegia e flamurit grek nga disa persona. Gjithashtu, Dule e njohu eurodeputetin Chountis edhe për situatën politike në vend, duke theksuar se është shumë e rëndësishme transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›