E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KLSH-së: “Administrata ka shkaktuar 7.3 miliardë lekë dëme për 2009-n”

Abuzimet më të mëdha janë shkaktuar në dhënien me qira të pronës shtetërore

Ervin KOÇI

Plot 7.3 miliardë lekë është shuma që shteti i ka vjedhur vetes gjatë vitit 2009. Ky fakt është bërë publik nga raporti më i fundit që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paraqitur dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Konstatimi është bërë pas 150 verifikimeve të ushtruara nga KLSH-ja, ku ndryshe nga herët e tjera, në krye të listës së sektorëve ku vidhet më shumë nuk janë më organet e fiskut apo prokurimet. Dëmi më i madh është kryer në dhënien me qira apo privatizimin e pronës shtetërore. Kjo konfirmon edhe njëherë luftën e dobët të qeverisë kundër korrupsionit, pavarësisht se ajo konsiderohet si një objektiv madhor i saj. Kreu i KLSH-së, Robert Çeku, fajësoi gjatë raportimit në Komision sistemin e Drejtësisë, si shkaktarin kryesor për këto abuzime. Sipas tij, masat që ka dhënë KLSH-ja nuk gjejnë zbatim nga organi i akuzës, pasi niveli i prokurorëve, sidomos në rrethe, është i ulët. Akuzat e KLSH-së vijnë në një kohë kur organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka kërkuar me forcë rritjen e fondeve për të përqendruar punën edhe në luftën kundër krimit ekonomik. Por, kërkesat e saj nuk u morën parasysh gjatë hartimit të buxhetit 2010.

Raporti
Sipas KLSH-së, dëmi më i madh është shkaktuar nga Tatimet dhe Prokurimet Publike. “Rreth 2.5 miliardë lekë dëm janë shkaktuat nga Tatimet, kurse 400 milionë lekë dëm janë shkaktuar nga Prokurimet Publike”, - tha Çeku. Po sipas konstatimit të KLSH-së u mësua se 234 milionë lekë dëme janë shkaktuar nga shpërblimet në administratën shtetërore. “Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi është në vlerë të përgjithshme 3.1 miliardë lekë, në sektorin e Tatim-Taksave dëmi llogaritet në rreth 2.5 miliardë lekë, në fushën e prokurimeve publike 430 milionë lekë, në sektorin doganor 302 milionë lekë, në fushën e shpërblimeve 234 milionë lekë, në fushën e shpenzimeve operative 26 milionë lekë, në fushën e sistemit të pagave 22 milionë lekë, si dhe në sektorë të tjerë 566 milionë lekë”, - tha Çeku. Për dëmet në lekë, kreu i KLSH-së shprehet se inspektorët e dikasterit të tij kanë kryer 9 kallëzime penale, si dhe kërkesën për zhdëmtim 100 për qind të dëmeve. "Janë bërë 9 kallëzime penale për 27 persona, shumica e të cilëve nuk ndiqen nga prokuroria. Organi i akuzës ka paraqitur argumente të dobëta për kallëzimet tona penale", - u shpreh Çeku.

Ankesat për Drejtësinë
Sistemi i Drejtësisë është pengesa kryesore në luftën kundër korrupsionit. Kryetari i KLSH-së, Çeku, tha gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ekonomisë se çështjet e dërguara në prokurori ose shtyhen pafundësisht, ose nuk marrin fare përgjigje. “Prokurorë të rretheve i kanë pushuar çështjet e ngritura nga ana jonë dhe argumentimet kanë qenë të dobëta në nivelin profesional”, - ka thënë kreu i KLSH-së, Çeku. Ai ka vijuar më tej duke “fshikulluar” nivelin e ulët edhe të prokurorëve me argumentet se “ka një nivel të dobët profesional, kuptojnë pak ose aspak nga problemet e ekonomisë”. Më tej Çeku ka theksuar se për këtë arsye, KLSH ka qenë e detyruar që të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. “Janë një numër i madh çështjes të depozituara nga KLSH-ja në Gjykatën e Lartë. Për fat të keq nuk kemi të paktën një përgjigje nga kjo gjykatë”, - tha Çeku. Sipas tij, zhdëmtimi i dëmeve është realizuar në masën 75 për qind. Kreu i KLSH-së deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime esenciale në ligjin organik të Kontrollit dhe për Auditin e Brendshëm. KLSH-ja ka propozuar disa ndryshime ligjore për të përmirësuar punën e administratës, ndër to është edhe krijimi i një strukture për të kontrolluar institucionet e pavarura.

Amnistia fiskale, Çeku: “Qeveria të jetë e qartë”

I prerë dhe pa ekuivok ka qenë qëndrimi i kreut të KLSH-së, Çeku, edhe për amnistinë fiskale. I pyetur nga deputetët, ai tha: "Vendi ynë duhet të bëjë amnisti fiskale, ashtu siç kanë bërë shumë vende të Europës". Çeku nënvizoi se "amnistia duhet të jetë e plotë dhe përfundimtare". Ai ka kërkuar nga qeveria të jetë edhe më e qartë për këtë amnisti, e cila, sipas tij, është shumë e nevojshme, por dhe që duhet të saktësohet se ajo ndodh vetëm një herë. "Mendoj se duhet të legalizohen gjithë asetet e padeklaruara të firmave private, si dhe duhen falur kamatëvonesat e të gjitha borxheve që kompanitë kanë ndaj shtetit". Kështu u shpreh kryetari i KLSH-së gjatë mbledhjes në komision. Puna, sipas tij, duhet nisur nga evidentimi i këtyre borxheve, që kanë sjellë një dëm të madh në buxhetin e shtetit dhe më pas duhen përllogaritur shumat që u falen bizneseve. “Dikush nga qeveria duhet të dalë e të thotë çfarë kuptohet me amnisti fiskale. Dy gjëra kuptohen në tërë botën. Jo dëshira subjektive te të gjithë. Kështu nuk mbaron kurrë. Do të bëjmë një amnisti fiskale të ndërgjegjshmem e dyta, ezauruese dhe e treta, e ndershme. Them të ndershme sepse duhet të pranohet se kjo është forma e vetme për të ricikluar paratë e ekonomisë së ngrirë në Shqipëri”, - tha Çeku. Po e njëjta gjë vlen edhe për legalizimet e objekteve që janë ngritur me funksion biznesi, por që ende nuk janë deklaruar nga pronarët.

30 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›