E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Presim heqjen e vizave brenda vitit 2010



Zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm Ilir Meta tha nga Brukseli se Shqipëria pret liberalizimin e vizave brenda këtij viti. Meta foli gjatë një aktiviteti të organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane në Bruksel mbi "Sukseset dhe sfidat e Shqipërisë" në integrimin evropian, nga ku ai bëri një panoramë të reformave. Ministri ofroi një pasqyrë të kritereve të përmbushura nga ana e Shqipërisë për liberalizimin e vizave duke prekur të katër blloqet e Udhërrëfyesit dhe duke shprehur besimin se qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza shumë shpejt brenda 2010. Në fund, duke përmendur deklaratën e Brdos dhe Konferencën e ardhshme të Sarajevës më 2 qershor, Meta shprehu pritshmërinë e Qeverisë shqiptare për mesazhe më të forta pozitive për sa i përket të ardhmes evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit. "Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, mund ta transformojmë Ballkanin në një pellg paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti, dhe kjo është arsyeja përse ne e meritojmë integrimin evropian. Ne nuk duhet të gjykohemi nga paragjykimet e imazheve të së kaluarës, por përmes veprave, përkushtimit dhe kontributit tonë" tha Meta. Ai tha më tej se liberalizimi i vizave është me rëndësi për qytetarët shqiptarë dhe si një shenjë vullneti, Shqipëria i ka hequr vizat me të gjitha vendet e rajonit. Numri dy i Qeverisë foli edhe për situatën aktuale politike. Ai tha se Qeveria nuk kërkon ta shmangë atë por përkundrazi është e gatshme të dialogojë dhe të zgjidhë situatën. "Natyrisht që ka një problem dhe ne nuk kemi asnjë arsye për ta fshehur apo për ta shmangur atë. Përkundrazi kemi gjithë vullnetin për ta zgjidhur në mënyrë konstruktive", tha ai. Përsa i përket çështjes se Kutive të votimit, Meta dha të njëjtin qëndrim si Këshillit i Evropës që opozita t'i drejtohet Këshillit të Venecias. "Ne e kemi bërë të qartë që rruga e vetme për ta zgjidhur këtë çështje është që Opozita t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe të respektojë vullnetin e Gjykatës, ashtu sikurse kemi qenë të hapur, dhe e kemi bërë të ditur se ne do ti nxisim që Opozita t'i drejtohet edhe Komisionit të Venecias", deklaroi Ministri i Jashtëm Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›