E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia, bankat s’i besojnë as individëve



Ekonomia shqiptare ka shumë mundësi të rritet shumë më pak sesa parashikimet që bën Qeveria. Shifrat e publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, hedhin poshtë strategjinë e re të Qeverisë, sipas të cilës këtë vit, do të jetë biznesi ai që do të marrë përsipër rritjen ekonomike të vendit. Për ta shpjeguar më thjeshtë, vjet, rritja ekonomike e Shqipërisë u arrit falë investimeve të Qeverisë. Këtë vit, Qeveria e kushtëzuar nga ulja e të ardhurave dhe rreziku i rritjes së borxhit, ka vendosur të jetë më e kursyer në shpenzime. Për këtë arsye, ekonomia, e shpallur edhe zyrtarisht, iu la në dorë biznesit. Por statistikat e bankave, tregojnë se biznesi nuk ka mundësi të jetë mbajtësi i kësaj peshe. Arsyeja është e qartë. Bankat nuk po japin kredi për zhvillimin e biznesit. Më e keqe, nga shifrat, është situata për individët, ku kredia po pëson ulje nga viti në vit. Duket se bankat nuk po shërbejnë si katalizator për rritjen ekonomike, por po shikojnë më shumë mundësinë e stabilizimit të fitimeve të tyre në mënyra të tjera.
Shifrat, janë të qartë. Edhe pse në total bankat kanë dhënë më shumë kredi për biznesin, rritja është shumë e vogël, rreth 8 për qind në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar. Por të ndarë në sektorë, dhe përdorimin e tyre shikohet qartë se paratë nuk kanë shërbyer për të financuar sektorët që japin efekte direkte në rritjen ekonomike.
Biznesi
Në total kredia për biznesin në shkurt të këtij viti arriti në 297,291 miliardë lekë, ose rreth 2.9 miliardë dollarë. Shifra është vetëm 31,720 lekë më e madhe se ajo e shkurtit 2009. Ndërkohë që nga shkurti 2008, në shkurt 2009, rritja e kredisë ishte 74 miliardë lekë. E ndarë sipas sektorëve, kredia e re gjatë shkurtit është shumë më e ulët në krahasim me dy vite më parë, dhe në disa sektorë më e ulët edhe sa viti 2009. Duhet theksuar se viti 2009 ishte kulmi i krizës financiare botërore. Biznesi kreditë i merr në shumicën e rasteve në formën e overdraftit. Pra jo për investime afatgjatë, por për likuiditet të momentit. Nga ana tjetër, kredia në euro për pasuri të paluajtshme është ulur me 5 milionë USD, në krahasim me vitin 2008 dhe është rritur vetëm me 6 milionë USD, në krahasim me vitin 2009. Shifrat e bankës tregojnë se për investime, pra për blerje pajisjesh, biznesit i jepet shumë pak kredi. Rritja është në nivele shumë të ulta, çka tregon një stepje të bankave, por ndoshta edhe të biznesit për rritjen e kapaciteteve.
Qytetarët
Megjithatë, problemi kryesor i ekonomisë është ulja e kredisë për qytetarët. Mungesa e financimit të konsumit sjell direkt uljen e prodhimit dhe aktivitetit të biznesit dhe të ekonomisë. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për individët është rritur vetëm me 16 milionë USD nga shkurti i vitit të kaluar. Ndërkohë që rritja nga shkurti i vitit 2008, në shkurtin e vitit 2009 ka qenë 240 milionë USD. Nga ana tjetër, kredia për mallra të qëndrueshëm ka rënë me rreth 50 milionë USD. Individët kanë marrë overdraft gati në të njëjtën kuotë me vitin 2009. Por shifrat krahasuese, pra kredia për individët, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit për tre vite, ka pësuar rënie. Bankat në shkurt 2008 kanë dhënë 6,018 miliardë lekë kredi të re. Në shkurt të vitit 2009 3,339 miliardë lekë dhe në shkurt 2010, 2,726 miliardë lekë. Pra duket qartë se bankat nuk po financojnë qytetarët. Të ndara sipas përdorimit, vetëm kredia në lekë për mallra jo të qëndrueshëm ka pësuar rritje, ndërsa në euro ka pësuar ulje. Por, shifra që tregon qartë mosbesim dhe zinxhirin e krizës së sektorit të ndërtimit është ajo e financimit të blerjes së shtëpive. Individët kanë marrë më pak kredi për shtëpi, krahasuar me një vit më parë dhe dy vite më parë.

Kredia për ekonominë (Në total)

Jan 2008 Shk 2008
295,948 308,985
Jan-2009 Shk 2009
402,570 412,086
Jan-2010 Shk 2010
444,827 446,921

Shifrat në milionë lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›