Demi, hajdutja profesioniste
Demi Moore e përdor pasigurinë në filmit "Flawless" për të prezantuar rikthimin e saj si protagoniste kryesore në kinema. Kësaj here i kanë caktuar një rol disi të veçantë, që krejt rastësisht do të përfshihet në një intrigë nga një njeri i dyshimtë që quhet Michael Caine. "Flawless", udhëhequr nga anglezi Michael Radford ("Postieri"), një triller i përshtatur në Londrën e viteve ‘60, do të shfaqet këto ditë në kinematë e Amerikës, pas publikimit të tij në Festivalin e Majamit. Dyzetepesëvjeçarja Moore u shfaq vitin e kaluar si një artiste e madhe në rolin e një këngëtareje të alkoolizuar në dramën "Bobby". "Tani ka ardhur koha t‘i rikthehem punës. Gjatë vitit 2008 do të më shihni vazhdimisht, aq sa do më merrni inat", shprehet aktorja.
Në një formë të shkëlqyer, me flokë të zeza të hedhura mbi supe, shprehëse dhe mjaft e thjeshtë, Moore flet për filmin e ri "Flawless". Në këtë film, Moore është Laura Quinn, gruaja ambicioze dhe mjaft e zonja, e cila punon për "London Diamond Corporation", ku pas shumë vitesh pune në shërbim të kësaj firme, tashmë nga kolegët meshkuj shihet si një femër demode dhe e paaftë. E fyer dhe e shfrytëzuar, Laura e lë veten të bindet nga një koleg djallëzor, interpretuar me mjeshtëri nga Caine, për të realizuar një plan për vjedhjen e kompanisë së saj.
Zonja Moore, i jeni rikthyer punës me Caine pas 24 vitesh. Çfarë emocioni ju jep kjo?
Isha shumë e re atëherë kur kam luajtur filmin "Atë ditë në Rio" dhe nuk arrija ta vlerësoja bashkëpunimin me një aktor të madh si ai. Ndërsa tani e kam "shfrytëzuar" deri në fund talentin e tij. Edhe pse në një moshë të thyer, 74 vjeç, Michael ka energjinë e një njëzetvjeçari dhe një aftësi të shkëlqyer përqendrimi.
Çfarë "raportesh" keni me diamantet?
I dua shumë ato, por është një industri e pllakosur nga korrupsioni dhe konfliktet politike, sidomos në vendet prodhuese, siç është Afrika. Hakmarrja e Laurës kundër kompanisë së saj është edhe një lloj akuze e maskuar ndaj trafikut ilegal të gurëve të çmuar.
Nuk keni pasur komplekse për sa i përket faktit që duhet të interpretoni një hajdute?
Absolutisht, edhe pse zakonisht ky ves u përket meshkujve në veçanti. Laura është një gërshetim mes personazhit tim në filmin "Zbulimi" (1995) dhe atij të Catherine Zeta-Jones, hajdutes së gurëve të çmuar në filmin "Kurthi".
"Flawless" duket sikur prek temën e "tavanit të çamit". Ju si mendoni?
Ndonjë herë bëhet fjalë për atë lloj tavani që e krijojmë vetë. Nëse vërtet duam ta shpërthejmë, nuk mendoj se mund të na ndalojë njeri. Në fakt, në vitet ‘60 vështirësitë ishin më të mëdha, por nëse dikush është i gatshëm t‘i përballojë këto rreziqe, mund të kapërcejë çdo paragjykim.
Sa të vështirë e keni ju në këtë moshë të gjeni role që ia vlejnë?
Sot ka shumë mundësi, falë kinemasë së pavarur. Sigurisht, në filmat me aksion nuk ka vend për mua. Më intereson të punoj me njerëz që kanë ide origjinale dhe që bëjnë gjëra të veçanta. Më pëlqen të krijoj, t‘u jap hapësirë të rinjve dhe të vë në dispozicion eksperiencën time pas kuintave.
Në rini keni pasur një fizik të mrekullueshëm. I trembeni pleqërisë si aktore dhe si grua?
Jo, absolutisht. Pjekuria të ndihmon të shmangësh atë që nuk është e vlefshme dhe të vlerësosh atë që vlen vërtet në jetë. Eksperienca na bën të ndihemi vërtet femra me këdo që jemi dhe t‘i lëmë mënjanë shtirjet e të hiqemi si ato që s‘jemi.
Keni mbajtur një marrëdhënie të shkëlqyer me ish-bashkëshortin tuaj, Bruce Willis. Si keni arritur?
Është diçka e natyrshme dhe më vjen vërtet mirë që edhe pse ish-bashkëshortë, kemi mbetur miq të mirë. Nuk kemi bërë si shumica, që mbi çdo gjë vënë fëmijët. Bruce ishte në martesën time të dytë me Ashton dhe ne ishim në ceremoninë e inaugurimit të yllit të tij mbi rrugën e Hollivudit, dy vjet më parë. Me pak fjalë, vazhdojmë të jemi një familje e lumtur.
Nuk ka xhelozi mes dy meshkujve?
Xhelozia mes tyre është zero, madje do të thosha minus. Bruce ndihet mirë që jam e lumtur me dikë tjetër, të njëjtën gjë dëshiroj dhe unë për të. Ndihem vërtet mirë që shpesh kemi shkuar me pushime të gjithë bashkë, unë, Bruce, Ashton dhe fëmijët. Vajzat nuk duhet të zgjedhin mes njërit apo tjetrit. Theksoj se kanë një dashuri të dyfishtë.
A ju krijon probleme diferenca e madhe e moshës me Ashton, duke qenë se janë jo pak, por 15 vjet?
Nuk besoj në moshën e gjendjes civile. Ashton është shumë i pjekur në krahasim me moshën që ka. Mendoj se të dy kemi gjetur shpirtrat binjakë. Është njësoj si një dashuri në kohën e shkollës, një eksperiencë që nuk kam pasur shanse ta jetoja kur isha e re. Vajzat e mia çmenden për të dhe për to jam vërtet xheloze.
SSSASS