Shkrimtari hebre, i dashuruar me paqen
Amos Oz, një nga shkrimtarët më të shquar të kohës sonë, është përkthyer në 45 gjuhë të ndryshme dhe po përgatitet të publikojë romanin e fundit, të 31-tin: "Jeta rimon me vdekjen". Prej vitesh është kandidat i çmimit "Nobel" dhe ditën e mbush me shkrime, udhëtime dhe mësimdhënie në universitetin "Ben Gurion". Personazhet që popullojnë universin e Oz janë gjithmonë të ngërthyer në një situatë të caktuar politike, edhe pse shkrimtarit i pëlqen gjithmonë që të nënvizojë se ai i mban të ndara nga njëra-tjetra dy aktivitetet e tij: "Kur shkruaj një vepër rrëfimtare, i shpik historitë dhe nuk flas për politikë, por nëse dua ta bëj një gjë të tillë, ose t‘u them diçka liderëve tanë, atëherë shkruaj ndonjë artikull gazete, çka nuk ka asgjë të ngjashme me librat e mi artistikë". Shkrimtari hebre ka qenë gjithmonë mbështetës i zgjidhjes së problemit palestinezo-izraelit përmes mënyrës së formimit dhe bashkekzistencës së dy shteteve. Në këtë intervistë ai flet për letërsinë, politikën, përkthimin e librave të tij në arabisht, rolin e profetëve, apo zërat që dëgjon vazhdimisht e që e nxisin të shkruajë. Oz është shumë paqësor e kjo e ka bërë që shpesh të bjerë ndesh me veprimet e qeverisë izraelite. Sipas tij, asgjë nuk zgjidhet përmes veprimeve ushtarake e sulmeve të tilla si ai i fundit në Gaza. Sulme të tilla, sipas Oz, veçse e rëndojnë situatën. Pavarësisht se shpesh gjendja mes të dyja vendeve lë pak dritë për shpresë, Amos Oz është optimist, por edhe realist. Ai është i bindur se zgjidhja do të vijë vetëm nga kompromisi, pavarësisht gjithë sa ka ndodhur e po ndodh.
Librat tuaj janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe janë gjithmonë në listën e më të shiturve. Çfarë i bën kaq të veçantë e të kuptueshëm nga të gjithë?
Librat e mi bëjnë fjalë për një realitet shumë lokal. Rrëfejnë ngjarje që zhvillohen në territoret mes Izraelit e palestinezëve. Por për ndonjë arsye të çuditshme ndodh që sa më lokale të jetë një ngjarje, aq më e kuptueshme dhe universale bëhet. Unë kam qëlluar që të jem shembulli i një letërsie që merr spunton nga ngjarjet e vogla e lokale, por që shndërrohet në universale.
Atëherë, përse vetëm disa nga librat tuaj janë përkthyer në arabisht?
Përkthimi i librave në arabisht është një nga gjërat që do të doja më shumë të ndodhte. Pavarësisht kësaj, fatkeqësisht, vendet arabe kanë vendosur një mur ndaj çdo gjëje që vjen nga Izraeli, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë.
Si jeni munduar ta zgjidhni një problem të tillë?
"Një histori dashurie dhe hijesh" (një libër më autobiografik se të tjerët, në të cilin Oz rrëfen historinë e familjes së tij dhe kalimin e saj nga Evropa në Izrael) ndodhet në fazën e përkthimit në arabisht. Këtë hap e ka ndërmarrë familja e George Khoury, një student izraeliano-palestinez, i cili u vra me një armë zjarri në kokë nga terroristët palestinezë, të cilët e kishin ngatërruar me një hebre. Historia e këtij djali më ka prekur shumë, sikurse më ka prekur thellësisht edhe vendimi fisnik i familjes së djalit për ta konsideruar librin tim si një urë lidhëse mes të dyja vendeve.
Është një libër që evokon të shkuarën. Cili është roli i saj në përcaktimin e së ardhmes së rajonit?
E shkuara nuk luan ndonjë rol pozitiv. Përkundrazi, ajo dominon fatet e rajonit. Është një nga tragjeditë e këtij cepi të botës. Njerëzit kanë fatkeqësisht një kujtesë shumë të mirë. E kujtojnë të keqen deri në detaje. Izraelitët dhe palestinezët mbajnë mbi vete plagë të thella, plagë dramatike.
Ju propozoni që kujtimet duhen lënë mënjanë dhe i duhet hapur rruga ndërtimit të së ardhmes?
Po, sigurisht, dhe jam i bindur që mund t‘ia dalim mbanë. Kujtimet mund t‘i përdorim si pikënisje për ndërtimin e së ardhmes. Kujtimet e këqija mund t‘i përdorim si shembuj të asaj që nuk duhet të ndodhë, të mënyrës se si nuk duhen trajtuar fqinjët apo pakicat. Nëse do t‘ia dilnim mbanë, do të ishte një gjë me shumë vlera për të dyja palët.
Ju flisni shpesh për kompromise të dhimbshme. Sot flisni për trauma dhe dhimbje.
Nuk mendoj se në këtë konflikt tragjik mund të flitet për "një fund të lumtur". Pikë së pari, sepse ky nuk është një konflikt në të cilin njëra palë mban të gjitha fajet mbi kurriz, e tjetra e ka të gjithë të drejtën me vete. Ky është një konflikt mes dy arsyesh të ndryshme. Çdolloj kompromisi që do arrihet, do të sjellë privime te të dyja palët. Nuk mund të ekzistojnë kompromise të lumtura, qoftë në politikë, qoftë në jetën e përditshme.
Le t‘i rikthehemi letërsisë. Si i planifikoni romanet tuaja?
Nuk bëj plane. Ato lindin spontanisht brenda meje dhe gjithçka është e papritur. Janë zërat e personazheve, zërat e njerëzve. Nuk e di cilët janë e nga vijnë, por ato veç flasin e flasin. Fillimisht nuk i ndaj nga njëri-tjetri, por nëse qëndrojnë brenda meje për një kohë të gjatë, atëherë më bëhen familjarë. Pas pak kohe ato shndërrohen në personazhe dhe mes tyre lindin marrëdhënie dhe drama. Por gjithçka nis me zërat. Një rrugë të tillë kam ndjekur edhe me romanin tim të fundit, "Jeta rimon me vdekjen".
Kur ishit i vogël, nëna juaj kreu vetëvrasje. A ju ka ndodhur t‘ia dëgjoni zërin?
Po. Në ndonjë rast. Dëgjoj shpesh edhe zërat e të vdekurve. Ata janë shumë të rëndësishëm për mua.
Po sikur të mos doni t‘i dëgjoni?
Të mos ta bësh është të privosh vetveten nga një pjesë e jetës tënde. Jap një shembull. Ndërsa shkruaja "Në histori dashurie dhe hijesh", e kisha zakon që të ftoja të vdekurit për kafe në shtëpinë time. Isha unë që i thërrisja dhe u thosha: Ejani, rehatohuni. Le të marrim një kafe e të flasim pak, por jo për politikë, apo për gjërat e tjera të përditshme, por për ato që ia vlejnë vërtet të flasësh. Kur të mbarojmë kafenë dhe bisedën, mund të largoheni, por ta dini që dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ju, nëse herë pas here do të keni dëshirë për një kafe, apo për biseda. Kështu i shkruaj edhe librat e tjerë. Është mënyra ime e të punuarit, duke dëgjuar të vdekurit.
Keni shkruar se kur ishit i vogël e dikush ju pyeste se çfarë do të kishit dashur të bëheshit kur të rriteshit, përgjigjja juaj ishte: "Një libër". Sipas jush, një libër ka jetë më të gjatë se një qenie njerëzore?
Për mua ishte një çështje e sigurisë personale. Në fillim të viteve ‘40 kishin nisur të përhapeshin zërat për masakrat ndaj hebrenjve në Evropë dhe të gjithë mendonin që nëse luftën do ta kishin fituar nazistët, ata do të ishin zhvendosur edhe në Jerusalem. Kështu, i përfshirë nga frika dhe ankthi, mendova që do të kishte qenë më e sigurt për mbijetesën time nëse kur të rritesha do të shndërrohesha në një libër, në vend që të shndërrohesha në një njeri. Logjika ishte e thjeshtë. Kur je libër, pavarësisht nga sa mund të ndodhë, ti e ke një shpresë se një kopje do të mbetet diku në ndonjë librari, apo bibliotekë private të ndonjë vendi të largët.
A keni ndonjë shkrimtar tuajin të preferuar?
Jo, nuk kam ndonjë person të veçantë, por më pranë zemrës kam Anton Chehovin. Më bën të qaj e të qesh njëherazi. Shpesh edhe unë kërkon që të fshij linjat ndarëse mes tragjedisë dhe komedisë. Ato janë si dy dritare të së njëjtës ndërtesë, prej të cilave, po të dalësh, sheh të njëjtin peizazh të jetëve tona.
Një vit më parë, Kryeministri i Izraelit, Olmert, ju ftoi për një bisedë në shtëpinë e tij. Përse folët?
Ishte një takim i rezervuar. Në fakt është një zakon i politikanëve hebrenj që të ftojnë shkrimtarët në shtëpinë e tyre për të këmbyer mendime në lidhje me situatën në botë dhe në vend. Është si një lloj pastrim ndërgjegjeje. Gjatë gjithë kohës ata tundin kokën, janë në një mendje me ty, por pastaj nuk bëjnë asgjë nga ato që kanë premtuar.
A jeni i mendimit se shkrimtarët janë ende zëri dhe ndërgjegjja shoqërore e një kombi?
Në traditën hebraike ekziston një lloj lidhjeje mes shkrimtarëve dhe profetëve, ose më mirë që shkrimtarët janë në njëfarë mënyre trashëgimtarët e profetëve. Sigurisht që asnjë shkrimtar, asnjë poet nuk mund të jetë një profet, pasi edhe vetë profetët nuk është se kanë pasur ndonjë aftësi të madhe për të ndërruar mentalitetin e njerëzve. Por gjithsesi shkrimtarët kanë përqasje me profetët dhe prej tyre pritet dritë.
Sipas jush, që keni shkruar e folur shumë për palestinezët dhe izraelitët, çfarë duan në të vërtetë këta dy popuj?
Pjesa më e madhe e hebrenjve të Izraelit dhe pjesa më e madhe e arabëve palestinezë e dinë që në fund të kësaj historie do të ketë dy shtete, dy kryeqytete në Jerusalem, që nuk do të ketë asnjë kthim pas e masiv të refugjatëve. Madje këtë e dinë mirë edhe ata politikanë, të cilëve kjo perspektivë nuk u shkon për shtat.
Amos Oz
Shkrimtar dhe gazetar hebre, si dhe profesor i letërsisë. Që nga viti 1967 ka qenë mbështetës i flaktë i zgjidhjes së konfliktit mes palestinezëve dhe hebrenjve, përmes krijimit të dy shteteve. Konsiderohet si një ndër intelektualët më të shquar në Izrael. Ka shkruar shumë libra artistikë dhe studimorë. Është kandidat i përhershëm i çmimit "Nobel" për letërsinë
Oz është shumë paqësor e kjo e ka bërë që shpesh të bjerë ndesh me veprimet e qeverisë izraelite. Sipas tij, asgjë nuk zgjidhet përmes veprimeve ushtarake e sulmeve të tilla si ai i fundit në Gaza. Sulme të tilla, sipas Oz, veçse e rëndojnë situatën. Pavarësisht se shpesh gjendja mes të dyja vendeve lë pak dritë për shpresë, Amos Oz është optimist, por edhe realist. Ai është i bindur se zgjidhja do të vijë vetëm nga kompromisi, pavarësisht gjithë sa ka ndodhur e po ndodh.
Nuk bëj plane për librat. Ata lindin spontanisht brenda meje dhe gjithçka është e papritur. Janë zërat e personazheve, zërat e njerëzve. Nuk e di cilët janë e nga vijnë, por ato veç flasin e flasin. Fillimisht nuk i ndaj nga njëri-tjetri, por nëse qëndrojnë brenda meje për një kohë të gjatë, atëherë më bëhen familjarë. Pas pak kohe ato shndërrohen në personazhe dhe mes tyre lindin marrëdhënie dhe drama
SSSASS