Gjethe të shenjta, apo drogë
Kolumbia, Ekuadori dhe Venezuela ia kanë dalë të shmangen nga lufta, por tani dy shtete të tjera nga Andet po përgatiten për betejë. Kësaj here, armiku i përbashkët është Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe kauza është e drejta për të përtypur gjethet e kokës, bimë prej së cilës prodhohet kokaina. Për shumë njerëz mund të mos përbëjë një motiv të mjaftueshëm, por në horizont po shfaqet një përballje e ashpër mes miliona banorësh të Bolivisë e Perusë - ku gjethja e kokës gëzon status të shenjtëruar nga kulturat indigjene - dhe mes autoriteteve të vendeve të tjera, që me dëshpërim kërkojnë të ndalin rrjedhën e kokainës brenda kufijve të tyre. Silvia Rivera, profesoreshë sociologjie në universitetin "San Andrea" të Bolivisë, thotë se "ky është sulmi më i ashpër me të cilin po përballen bolivianët që kur OKB-ja e cilësoi produktin e përftuar nga bima e kokës drogë në vitin 1961".
Gjatë këtij muaji, nga Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Drogave (INCB) është lëshuar një rekomandim që detyron Bolivinë dhe Perunë të konsiderojnë krim praktikën e përtypjes së gjetheve të kokës dhe përdorimit të tyre për çaj. Kërkesa ka ndezur zemërim dhe protesta rrugëve në të dyja vendet, veçanërisht mes popullsisë indigjene. Për ta, gjethja e kokës ka gëzuar status të veçantë që prej 3 mijë vjetësh, në atë formë siç është kafeja pjesë e pandashme e jetës së përditshme në Evropë e Amerikë.
Nga fshatrat më të thella deri në qendrat e metropoleve përtypet apo pihet në formën e çajit, për të anashkaluar lodhjen, depresionin, apo dobësinë fizike që shkakton jeta në lartësitë e mëdha të Andeve. Përdoret gjithashtu edhe nga "shëruesit e shenjtë gjatë ceremonive fetare", shpjegon Ana Maria Çavez, shitëse kokaine në La Paz, kryeqytetin e Bolivisë, e cila i referohet produktit thjesht me emrin "gjethja e shenjtë". Edhe vetë Papa Gjon Pali piu një filxhan me çaj koke gjatë një vizite në vitin 1988. "Është pjesë e jona", thotë Çavez.
Problemi është se në të njëjtën kohë konsiderohet shkaktar i jetëve të shkatërruara në pjesën tjetër të botës, ku konsumi dhe varësia nga kokaina po marrin përmasa shqetësuese në rajone si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Evropa. Gjatë kësaj dekade, Amerika ka shpenzuar më shumë se 5 miliardë dollarë për të ndihmuar Kolumbinë në çrrënjosjen e traditës së kultivimit të kokës. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe OKB-ja janë përpjekur të detyrojnë Bolivinë dhe Perunë që të zvogëlojnë sasitë e prodhimit, duke i kufizuar te minimumi i nevojshëm për nevojat tradicionale. Peruja dhe Bolivia janë përkatësisht prodhuesit e dytë dhe të tretë të kokës, pas Kolumbisë. Llogaritet se sipërfaqja e mbjellë me koka në të dyja vendet i kalon 75 mijë hektarët, duke ofruar rreth gjysmën e sasisë që konsumohet sot në gjithë rruzullin.
Konventa e OKB-së, e mbajtur në vitin 1961, bënte thirrje për eliminimin e plotë të kokainës deri në fund të viteve tetëdhjetë. Një traktat i ri i përpiluar në vitin 1988 njihte atributet tradicionale të bimës dhe bënte lëshime kur vinte fjala te përdorimi lokal, ndërkohë që strukturat e antidrogës vazhduan punën për shkatërrimin e kultivimeve që përdoreshin për prodhimin e kokainës. Por raporti i lëshuar këtë muaj nga Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Drogave (INCB) kërkon ta hedhë poshtë këtë lëshim. Një prej arsyeve është se pavarësisht miliarda dollarëve të shpenzuara gjatë luftës kundër drogës në Amerikën Latine, prodhimi ka ruajtur qëndrueshmëri të plotë. Vetëm duke konsideruar krim edhe përdorimin e kokës për motive tradicionale, sipas autoriteteve, lufta kundër kokainës do mund të japë efekte. "Konsumi i gjethes, shkruhet në raport, ndihmon procesin e krijimit të varësisë nga droga".
Kritikët e raportit e quajnë konkluzionin absurd, sidomos duke parë se nuk ekziston asnjë provë shkencore që gjethja në vetvete është toksike, apo në gjendje të krijojë varësi. Një ndër njerëzit që këmbëngulin më me forcë për ruajtjen e kësaj kulture është Presidenti bolivian, Evo Morales, i cili arriti të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2005, pjesërisht falë mbështetjes që ofroi për kultivimin e bimës tradicionale. "Kjo gjethe, tha Morales gjatë një mbledhjeje të vitit të shkuar të OKB-së (teksa mbante një në dorë), përfaqëson shpresën për njerëzit tanë". Bolivia furnizon 17 për qind të sasisë botërore të kokainës dhe vetë Morales konsiderohet si një ndër faktorët ndërkombëtarë që mban në këmbë trafikun e saj. Dhe ndërkohë që kritikët e shohin vëngër teksa thotë se koka dhe kokaina janë mollë e portokalle- analistët thonë se pjesa më e madhe e kokës së kultivuar në Bolivi shkon për llogari të karteleve të drogës -ai ka ndihmuar në përhapjen e atij fenomeni që eksportuesit e quajnë "rivlerësimi i gjethes së kokës". "Shumë njerëz, thotë sociologia Rivera, kanë nisur të rizbulojnë aftësitë e saj ushqyese dhe shëruese".
Dhe në të vërtetë, studimet ndërkombëtare, përfshi edhe një të publikuar nga Universiteti Harvard, arrijnë në përfundimin se gjethja e kokës përmban shumë proteina, kalcium, hekur dhe një gamë të gjerë vitaminash. Si rezultat, Morales ka inkurajuar një industri lokale të bazuar te kjo bimë (pa lënë pas dore eksportin), e cila e përfshin kokën në gjithçka, te pasta e dhëmbëve, te shampot e te kremrat shërues. Edhe në kohën që INCB përpilonte raportin, qeveria boliviane e tregonte hapur vullnetin për të rritur sipërfaqen e ligjshme të kultivimit, nga 12 hektarë në 20 mijë hektarë.
Gjatë këtij muaji, autoritetet boliviane bënë me dije se do investonin 300 mijë dollarë për zhvillimin e tregjeve të reja lokale të kokës. Nuk u pa aspak me habi fakti që delegacioni bolivian ishte i pari që u ngrit në një "protestë energjike" kundër rekomandimeve të INCB-së, të dhëna gjatë takimit të përjavshëm që u mbajt në javën e kaluar në Vjenë. Delegacioni kërkoi gjithashtu heqjen e kokës nga lista e narkotikëve të OKB-së. Pyetja tani është nëse OKB-ja do të pranojë rekomandimin e INCB-së, falë të cilit Bolivia dhe Peruja do të vëreheshin si shkelëse të ligjeve ndërkombëtare, në rast se do vazhdojnë të lejojnë kultivimin e kokës. Kjo mund të përkthehej edhe në embargo të ndryshme kundër dy shteteve.
Shumë bolivianë thonë se as që u intereson ç‘mendojnë të tjerët. "Gjyshja dhe gjyshi im shisnin koka dhe unë këtë e kam bërë për 48 vjet", thotë Jozefina Rohas, një tjetër shitëse nga La Pazi. "Nuk do t‘i lejojmë ta heqin kokën nga jetët tona, të ndodhë ç‘të ndodhë".
SSSASS