Transferimet, 6 gjykata pa kryetarë
Fatos Mahmutaj
Gjashtë Gjykata Fakti dhe Apeli kanë mbetur pa kryetar, për shkak të promovimit në detyrë të krerëve të tyre. Lajmi u pohua dje nga KLD-ja, institucion i cili vendosi të shpallë vakante vendet e kryetarëve në Gjykatat e Kukësit, Lushnjës, Dibrës dhe Apelin e Vlorës, ndërkohë në Gjykatën e Kavajës dhe të Fierit, gjithashtu të mbetura pa kryetarë, të komandonte në këto poste respektivisht gjyqtarët Arben Mullaj dhe Taulant Banushi. Detyrat e Mullajit dhe Banushit do të jenë të përkohshme, në mënyrë që të mos paralizohen punët në këto institucione. Po kështu gjatë mbledhjes së djeshme, KLD pohon se pasi diskutoi në lidhje me përcaktimin e vendeve vakante në gjykata të rretheve gjyqësore, që do të vihen në dispozicion të 8 magjistratëve, kandidatë për gjyqtar, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës 2008-2009, për propozimet mbi emërimin përfundimtar të tyre, në përfundim vendosi që dy prej tyre të emërohen në Gjykatën e Përmetit, ndërsa nga një në Lushnjë, Krujë, Kukës, Sarandë, Tropojë dhe Pogradec. Kjo listë, sipas Këshillit do t'i dërgohet Shkollës së Magjistraturës, në mënyrë që të diplomuarit të shprehin preferencën e tyre. Më tej, KLD pohon se konstatoi mbarimin e mandatit të anëtares Altina Xhoxhaj, e cila pak ditë më parë u dekretua nga Presidenti i Republikës dhe më pas u votua nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Po kështu, dje në Këshill, u zhvillua ceremonia publike e betimit të gjyqtarit Genti Shala, i emëruar gjyqtar në Apelin Tiranë, me dekret të Presidentit të Republikës. Në lidhje me plotësimin e organikës nëpër gjykata të ndryshme në vend, KLD vendosi dje të shpallte 5 vende vakante në Gjykatën e Tiranës, si dhe nga një vend në Kurbin, Fier, si dhe Apelin e Durrësit dhe atë të Krimeve të Rënda. Po kështu, u shpall publikisht një vend vakant për inspektor pranë Inspektoratit të KLD-së, ndërsa dje për shkak të ngarkesës ky institucion vendosi të shtyjë për në mbledhjen e ardhshme, shqyrtimin e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante pranë këtij Inspektorati. Diskutimet e KLD-së, gjatë mbledhjes së djeshme përfshinë edhe çështjen e transferimit të gjyqtarit të Apelit Shkodër, Musa Halili, si dhe zëvendësimin e anëtarëve të grupit të punës për hartimin e akteve nënligjore në kompetencë të Këshillit, për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve Admir Thanza, Armando Subashi dhe Altina Xhoxhaj. Në lidhje me këtë të fundit, KLD caktoi në përbërje të grupit të punës, anëtarët Dhurata Haveri, Shkëlqim Miri dhe Lefterije Lleshi. Duke vazhduar në këtë linjë, KLD diskutoi dje zëvendësimin e Bashkim Dedjes, anëtarit të zgjedhur nga Këshilli në Komisionin për Vlerësimin e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, për shkak të emërimit të tij gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, duke caktuar në vendin e tij gjyqtarin Markelian Koça. Në fund, KLD vendosi të ngrejë një grup pune për hartimin e ndryshimeve të mundshme në "Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit të KLD", dhe të "Rregullores për procedimin disiplinor të gjyqtarëve", të përbërë nga anëtarët Artan Gjermeni, Edmond Islamaj dhe Neshat Fana.
Vende stazh-i për magjistratët
Gjykata e Lushnjës 1 vend
Gjykata e Krujës 1 vend
Gjykata e Kukësit 1 vend
Gjykata e Sarandës 1 vend
Gjykata e Tropojës 1 vend
Gjykata e Pogradecit 1 vend
Gjykata e Përmetit 2 vende
Vende vakante për kryetarë gjykatash
Apeli Vlorë
Gjykata Fier
Gjykata Kavajë
Gjykata Kukës
Gjykata Lushnjës
Gjykata Dibër
Delegim kompetencash kryetari
Gjykata Kavajë, Arben Mullaj
Gjykata Fier, Taulant Banushi
Vende vakante për gjyqtarë
Gjykata Tiranë, 5 vende
Gjykata Kurbin, 1 vend
Gjykata Fier, 1 vend
Apeli Durrës, 1 vend
Krimet e Rënda, 1 vend
Inspektorati i KLD, 1 vend
Ngritja në detyrë e togave të zeza la gjykatat pa kryetarë
TIRANE - Emërimet, transferimet dhe promovimet në detyrë të gjyqtarëve të dy shkallëve të para të gjyqësorit, kanë bërë veç faktit se 6 institucione mbeten pa kryetarë, të krijohen edhe mjaft vende të tjera vakante për toga të zeza. Kështu, rreth një muaj më parë, KLD vendosi të plotësonte një pjesë të vendeve vakante në Gjykatën e Tiranës dhe të Durrësit, si dy më të lakmuarat nga togat e zeza, që ushtrojnë detyrën në Shkallën e Parë. Në të njëjtën kohë u transferuan gjyqtarë edhe në Gjykatën e Shkodrës. Pas kësaj, KLD shqyrtoi kërkesat e shumta të gjyqtarëve për t'u emëruar apo transferuar në pesë nga shtatë Gjykatat e Apelit në vend. Në përfundim të mbledhjes, KLD vendosi para një muaji emërimin dhe transferimin e 16 gjyqtarëve të Faktit dhe atyre të Apelit në Shkallët e Dyta: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër. Kjo lëvizje togash të zeza, veç të tjerash solli edhe hapjen e vendeve të tjera vakante, pasi u promovuan në detyrë mjaft gjyqtarë të Shkallës së Parë. Duke i shtuar këtij fakti edhe dekretimin e togave të zeza në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ka bërë që në total të krijohen një numër i madh vendesh të lira, të cilat pritet të plotësohen nga KLD në mbledhjet e ardhshme, pasi mungesa në numrin e gjyqtarëve sjell ulje të rendimentit të punës së gjyqësorit. fa.ma.