E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së diskutoi këtë javë çështjet mbi rezervën valutore



Ecuria e rezervës valutore dhe portofoli i investimeve për muajit shtator-tetor të vitit 2008 në vendin tonë, përballë krizës financiare ndërkombëtare, do të jenë në qendër të diskutimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që mblidhet javën që vjen në ambientet e kësaj banke. Zyra e shtypit e BSH-së bëri të ditur se në axhendën e mbledhjes së Këshilli Mbikëqyrës është parashikuar të shqyrtohen edhe projektet "Për miratimin e Buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009", "Për një ndryshim të normës së përdorimit nga bankat të rezervës së detyruar në lekë". Sipas BSH-së, në këtë mbledhje do të miratohen dhe raportet "Mbi veprimtarinë e kontrollit në periudhën prill - shtator 2008" dhe "Mbi vlerësimin e cilësisë së funksionimit të auditimit të brendshëm në Bankën e Shqipërisë".

BE: “Ekonomia e eurozonës drejt rënies”

Si pasojë e pakësimit të investimeve, në tremujorin e tretë të këtij viti, ekonomia e 15 vendeve të zonës së euros ka rënë për 0.2 për qind, në krahasim me tremujorin e parë të vitit. Ekspertët e ekonomisë së BE-së parashikojnë se ekonomia e këtyre vendeve do të vazhdojë rënien e mëtejshme edhe gjatë vitit 2009.

Treshja e automjeteve “përgjërohet” për ndihmë

Prodhuesit amerikanë të makinave kanë trokitur sërish përsëri në Senatin Amerikan, për të kërkuar një paketë tjetër shpëtimi me një vlerë prej 34 miliardë dollarësh për të shpëtuar nga falimentimi. Seanca dëgjimore e kaluar me shefat Ekzekutivë të kompanive “Ford”, “General-Motors” dhe “Chrysler”, zgjati 6 orë dhe përfundoi pa ndonjë konsensus.

SHBA, numër rekord shkurtimesh nga puna

Vetëm në muajin nëntor, kompanitë amerikane shkurtuan 25 mijë vende pune, që përbën reduktimin më të madh të kësaj force që nga viti 2001. Ndërkaq, Banka amerikane “Citigroup” njoftoi se planifikon të heqë nga borderotë 52 mijë punonjës të tjerë si pasojë e krizës ekonomike që ka prekur sistemin e saj dhe SHBA-në.

Kina e SHBA-të, para shtesë për tregtinë

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhbllokojnë 20 miliardë dollarë shtesë për të ndihmuar tregtinë botërore në këtë periudhë krize financiare. Paratë do t’u jepen importuesve, përfshirë ata në vendet në zhvillim, që hasin vështirësi të marrin kredi për të blerë mallrat e nevojshme me qëllim që të mos falimentojnë.

Çmimi i naftës bie në nivelin e vitit 2004

Çmimi i naftës në bursë ra të shtunën me 3 për qind, duke arritur nën 44 dollarë për fuçi, shifra më e ulët krahasuar me katër vitet e fundit. Një rënie e tillë e çmimit, e cila llogaritet të jetë e përmasave të mëdha, do të sjellë pasojat e saj në këtë industri, ndërkohë që parashikohet se kërkesat për burimet energjetike do të ulen edhe më tej.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›