E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i Bashkisë, përcaktohen bizneset më fitimprurëse në Tiranë



Emanuela Sako

Studimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës ka përcaktuar dhe bizneset më fitimprurëse në kryeqytet. Në vend të parë të bizneseve që kanë më shumë të ardhura janë ato që tregtojnë mallra apo ushqime me pakicë. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se bizneset me të ardhura më të larta në vit janë të gjitha aktivitetet e dyqaneve ushqimore, me veshje apo materiale të tjera, që nuk fusin shumë mall në xhiro. Sipas statistikave të kryera nga specialistët për vitin 2008, vendin e dytë për të ardhurat më të larta në ekonominë e kryeqytetit e zënë baret, restorantet, lojërat e fatit etj. Në përpunimin e të dhënave janë marrë parasysh të gjitha kategoritë e bizneseve dhe të ardhurat vjetore të tyre.
Bizneset
Në mars të vitit 2008 vendin e parë për numrin më të madh të njësive të biznesit e zë tregtia me pakicë me 8292 njësi. Në vendin e dytë qëndrojnë bizneset e kohës së lirë, Bar-restorante, lojërat e fatit etj, me 3823. Numri i tyre në krahasim me vitin 2006 është rritur me 458 njësi. Në vendin e tretë qëndrojnë bizneset e shërbimit me 3,642 njësi. Numri i tyre në krahasim me vitin 2006 është rritur me 1,692 njësi, që përbën dhe sektorin me rritjen më të madhe. Por mund të jetë dhe një rritje deri diku fiktive, pasi në dy vitet e fundit ka ndryshuar grupimi i tyre, ku në njësitë e shërbimit janë futur dhe njësitë artizanale. Të gjitha kategoritë e prodhimit zënë vendin e katërt me 1,193 njësi. Numri i tyre në krahasim me vitin 2006 është rritur me 298 njësi. Tirana është qyteti që zë vendin kryesor në sektorin e ndërtimit në Shqipëri ku ritmi i ndërtimit është 10 herë më i lartë se në çdo qytet tjetër, me rreth 576 firma ndërtimi që përben dhe 80 % e gjithë firmave ndërtuese në vend. Përqindjen më të madhe të veprimtarisë ndërtimore e zë ngritja e ndërtesave të banimit me rreth 60%. Zhvillimi i madh i këtij sektori ka sjellë dhe hapjen e shumë bizneseve prodhuese në këtë fushë dhe konkretisht rreth 512 biznese që prodhojnë materiale ndërtimi që përbën dhe 2.5% të bizneseve prodhuese në Tiranë.
Ekonomia
Specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë kryer përpunimin e të dhënave për rritjen ekonomike në kryeqytet dhe përqindjen e zhvillimit të bizneseve në tregun e lirë. Tregtia me shumicë dhe pakicë përbën rreth 50.7% të totalit të bizneseve që operojnë në Tiranë. Në përgjithësi bizneset që tregtojnë në Tiranë blejnë nga furnitorët lokalë, por dhe furnizohen direkt në tregun ndërkombëtar dhe shitjet e tyre rreth 70% janë për tregun lokal, ndërsa 30 % furnizojnë qytetet e tjera. Gjithashtu nuk mungon dhe industria, kryesisht industria e cila përbën rreth 8.4% të totalit të bizneseve, dhe nga kjo 5.2% e zë sektori i ndërtimit, dhe pjesa tjetër ndahet në sektorin ushqimor, i cili konkretisht zë 2.6%, dhe në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të konfeksioneve që zë rreth 0.6%. Sektori i shërbimeve zë rreth 17.3% të totalit të bizneseve që operojnë në Tiranë dhe ka një tendencë për klientët lokalë, por nuk përjashtohet mundësia që disa shërbime profesionale si teknologjia e informacionit, kanë klientë dhe në tregjet jashtë Tiranës. Sa më sipër, rritja ekonomike bazohet veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ndërtimit dhe sektorit të transportit. Indeksi i rritjes ekonomike bazohet gjithashtu në prurjet e emigrantëve që mbetet një e ardhur e rëndësishme për ekonominë shqiptare edhe pse në vitin e fundit remitancat rezultojnë ne ulje, kjo dhe për shkak të krizës që po karakterizon ekonominë botërore.

Shpërndarja e bizneseve në Tiranë:

Fuqia punëtore në Tiranë 23 % e totalit
Biznese në total (SME+VIP) 23.040 (Shtator 2008)
Biznesi i madh 90 % e totalit në vend
Biznese të huaja & Joint venture 80 % e totalit në vend
Banka 18
Kompani ndërtimi 576
Hotele & motele 146

Bizneset sipas kategorisë Totali
Biznes i madh 4.419
Biznes i vogël 18.146
VIP 475
Të tjerë 667
Taksi 455
Totali 24.162

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›