E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Matildës s’kallëzon kërcënuesin

"Familjarët e 17-vjeçares së vdekur pas operacionit nuk kanë kërkuar të ndjekin penalisht personat që sipas tyre i kanë kërcënuar në telefon. Kjo na pengon ne që të nisim zyrtarisht hetimet".

KORÇE / JORGJETA GJANÇI

Një ditë pasi daja i Matilda Petritit denoncoi në media kërcënimet për jetën e tij dhe familjes së mbesës, drejtori i policisë së Korçës, Emri Vata pohon se nuk ka kallëzim penal. Për ta, ekziston frika që ndjekja penale ndaj kërcënuesit të përbëjë rrezik për jetën, duke kërkuar ndihmën e shtetit vetëm për mbrojtjen fizike të tyre.
Sipas Vatës, daja i vajzës ka lëshuar një deklaratë në zyrat e policisë në Korçë, e cila nuk plotëson kushtet e një denoncimi. Këtë klasifikim e kanë bërë punonjës të policisë, të cilët në mënyrë të përsëritur e kanë lexuar dhe studiuar atë. Ata pohojnë se kjo deklaratë, që është nënshkruar nga Luan Adili është një rrëfim i asaj që i ka ndodhur familjes Petriti me Matildën 17- vjeçare që kur shkoi për t'u operuar e deri ditën që ndërroi jetë. Aty akuzohet mjeku Xhevahir Hoxhallari si shkaktar i vdekjes së vajzës, por vendin kryesor e zë akuza për personat anonimë që po kërcënojnë familjen Petriti dhe Luan Adilin. Mësohet se në fund kjo deklaratë është firmosur nga daja i Matildës, Adili. Me dorën e vet ai ka shkruar se si person, duke u ndjerë i frikësuar nga kërcënimet anonime që ka marrë, nuk kërkon ndjekje penale për kërcënuesit. Është ky fakt që vlerësohet nga uniformat blu dhe që i detyron ato në zbatim të ligjit të mos fillojnë hetime për identifikimin e ndjekjen penale të kërcënuesve. "Ne nuk mund të fillojmë hetime për një çështje të tillë kur qytetari i kërcënuar është shprehur me shkrim që nuk kërkon ndjekje penale" është shprehur për gazetën drejtori i kësaj policie Emri Vata. Sipas tij mëngjesin e djeshëm është dërguar në fshatin Libonik inspektori i zonës dhe një oficer i policisë së Korçës, të cilët kanë dëgjuar pretendimet e familjes Petriti. Por, asnjë prej anëtarëve të saj, ashtu si dhe daja nuk kërkuan ndjekje penale për personin që i kanosi ditët e fundi me jetë, kundërt heqjes së padisë ndaj mjekut. Drejtori Vata është shprehur se policia në rrugë operative ka kapur sinjale kërcënuese që i janë drejtuar familjes Petriti. "Duke u nisur edhe nga kërkesa që kjo familje ka bërë për t'u ndihmuar prej nesh, për të qenë të sigurt nga kërcënimet anonime që pretendojnë se kanë marrë, - u shpreh Vata, - ne kemi ndërtuar punën tonë në rrugë operative në fshat e zonë. Nëse do të zbulojmë fakte konkrete, që rrezikojnë jetën e kësaj familjeje do të ndërhyjmë për të shmangur ngjarje të jashtëzakonshme". Gjatë këtyre ditëve punonjës të policisë do të patrullojnë në zonë, derisa familja Petriti të mos ndihet e kërcënuar.

“Pakujdesia e mjekut, duhen  kartelat për verifikim”

"Raportin që do të përcaktojë përfundimisht, nëse në rastin e vdekjes së Matilda Petritit, kemi të bëjmë me pakujdesi të mjekut që e ka trajtuar, do ta hartojmë vetëm kur të kemi në dorë të gjitha kartelat mjekësore". Kështu u shpreh dje për gazetën, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Ymaj. Sipas tij, ka përfunduar tashmë raporti paraprak për shkakun e vdekjes të 17-vjeçares që u operua nga bajamet. "Vdekja ka ardhur si pasojë e shokut hemorragjik, pas një ndërhyrjeje operatore. Këtë kanë përcaktuar specialistët tanë. Më tej, në një fazë të dytë nëse do të na kërkohet, ne do të bashkëpunojmë me prokurorinë për të përcaktuar, nëse gjatë 20 ditëve të trajtimit të vajzës ka një rast apo disa raste që mund të cilësohen si pakujdesi mjekësore. Nëse kjo vërtetohet nuk kemi të bëjmë thjesht me një gabim mjekësor, por me konsekuenca të tjera", tha Ymaj. Ai shtoi se, fakti që komplikacionet e vajzës zgjatën për 21 ditë bën që të kërkohet e gjithë baza e të dhënave. "Nëse do të ishte vdekje akute dhe e menjëhershme në klinikë, ne do ta verifikonim menjëherë shkakun e vdekjes", tha drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore. z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›