E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja nga nafta, banorët e Fierit me karbon në gjak

FIER - Sëmundjet profesionale janë kthyer në një makth për banorët e Rrethit të Fierit.

Shkalla e lartë e ndotjes tej normave të lejuara në të gjithë rrethin ka bërë që edhe sëmundshmëria të rritet, duke kapur shifra alarmante. Sipas statistikave të Drejtorisë të Shëndetit Publik bëhet e ditur se, këtë vit sëmundshmëria është 3 herë më e lartë se një vit më parë. Më të ekspozuara janë zonat naftëmbajtëse, të cilat paraqesin rrezik jo vetëm për punonjësit që janë pjesë aktive e kompanive të naftës, por edhe për fermerët dhe komunitetin e gjerë. Mësohet se është rreth 280 numri i punëtorëve të naftës në Sheqishte, Marinëz, Patos etj., me probleme, ndërsa banorët e më shumë se 80 për qind të zonave të populluara pranë vendnxjerrjes së arit të zi janë të prekur nga mbetjet fenole në gjak. Qindra banorë nga fshati Zharrëz, Belinë dhe të tjera fshatra përreth "zonës së nxehtë", janë shtruar disa herë në spitalin e Fierit për t'iu nënshtruar analizave dhe ekzaminimeve për t'u njohur me shkallën e avancimit të sëmundjes. "Unë, dy fëmijët dhe ime shoqe jemi me karbon në gjak. Kam shtruar disa herë vajzën 8 vjeçe, pasi sa vjen dhe bëhet më rëndë për shkak të lindjes me këtë sëmundje. Por nuk jemi vetëm ne. Si familja jonë vijnë shumë në spital madje ka pasur të shtruar në spital me ditë të tëra", është shprehur Nazifi, banor i fshatit Belinë. Alarmin e rritjes së nivelit të sëmundjeve, në varësi të nivelit të ndotjes së mjedisit, e kanë dhënë edhe bluzat e bardha. Herë pas here, mjekët e spitalit rajonal të Fierit kanë kërkuar rehabilitimin e këtyre zonave, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët, duke e lënë gjendjen në mëshirë të fatit. Mjeku toksikolog, Kilo Stoja, ka thënë disa herë se ky fenomen është bërë prezent dhe tepër shqetësues për banorët e Rrethit të Fierit. "Paralelisht me patologjitë profesionale që vërehen tek shumë punonjës të naftës, si intoksikacionet apo fenolet dhe probleme të tjera, rrjedhojë e kësaj natyre vijnë edhe tek banorët e zonave të Rrethit të Fierit. Rastet e paraqitura, ne jemi munduar t'i trajtojmë në mënyrë profesionale, por ndotja vret dhe kjo është një gjendje e vazhdueshme", ka pohuar Stoja. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›