NATO, mbyllet raundi i II i bisedimeve
U mbyll dje në Bruksel raundi i dytë dhe i fundit i negociatave ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Shqipërisë. Ekipi negociator shqiptar kryesohej nga Glori Husi, Koordinator Kombëtar për çështjet me NATO-n. Negociatat e djeshme, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, u përqendruan në çështje të karakterit tekniko-ligjor, çështje të sigurisë dhe të burimeve financiare dhe njerëzore. Me mbylljen e këtij raundi të negociatave hapet rruga për nënshkrimin e protokolleve të pranimit të Shqipërisë.