Këshilli bashkiak, "Ok" prishjes së objektit 22-katësh
Katet pa leje të objektit që krijoi përplasjen e fortë publike Olldashi-Dako, kanë siguruar fondin që do të përdoret nga bashkia për prishje, ndërsa firma reagon, duke deklaruar se ka marrë paraprakisht një miratim për legalizimin e tyre si çdo objekt tjetër i ndërtuar pa leje në vitet e informalitetit shqiptar. Është miratuar nga këshilli bashkiak, me dyer të mbyllura për median, administratën dhe firmën ndërtuese, fondi për prishjen e kateve pa leje të pallatit 22-katësh në qytetin bregdetar të Durrësit. Objekti që ka nxitur një përplasje të fortë mes qeverisë dhe pushtetit lokal në Durrës ka siguruar mbrëmjen e kaluar, në mënyrë unanime, një fond prej 13.2 milionë lekësh të reja për prishjen e kateve të sipërme të godinës. Kërkesa e administratorit të firmës ndërtuese, Enver Shaba, për të informuar këshilltarët mbi ligjshmërinë e ndërtimit që, sipas tij dhe avokatit, është në proces legalizimi, si dhe garancinë e objektit shtesë mbi objektin me leje të ndërtuar nga kjo firmë, u hodh poshtë. Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, Seit Kërtusha, kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të trajtohet me dyer të mbyllura, pas një mbledhjeje të nisur me jo pak debate mes tij dhe kryebashkiakut Dako për ndryshimin e tre anëtarëve të KRRT-së, një tjetër pikë e nxehtë në aktualitetin e qytetit dhe përplasjen mes qendrorit e vendorit në qytetin nr. 2 të Shqipërisë. Mbyllja e dyerve u komentua si një mënyrë për të shmangur qëndrimin e deritanishëm që favorizonte legalizimin e objektit deri në momentin që ndodhi përplasja e madhe mes pushteteve. E njëjta firmë ka një tjetër objekt 22-katësh te Shkëmbi i Kavajës, ku situata është e njëjtë, madje katet pa leje janë më të shumta, po për qëllime politike duket se ky ndërtim nuk është bërë objekt diskutimi në asnjë çast, përpos në emisionin investigativ "Fiks Fare". Ndërkaq, të detyruar të dalin jashtë sallës së këshillit bashkiak, avokati i firmës Ibrahim Bejo, konstruktori i objektit, Elvis Milo, dhe administratori i firmës, Enver Shaba, kanë reaguar duke pretenduar se ka një spekulim nga të dyja palët mbi numrin e kateve pa leje te 22-katëshi, si dhe rrezikshmërinë e deklaruar e që cenon qetësinë e banorëve dhe bizneseve që jetojnë në të. Sipas tyre, nuk janë 7 kate pa leje, por vetëm 3 kate e gjysmë, për të cilat është kërkuar legalizimi dhe ata nuk kanë marrë nga dega e ALUIZNI-t asnjë refuzim të kërkesës së tyre për legalizim në këto vite, duke treguar se gjithçka është në proces. Kreu i ALUIZNI-t, Andi Lila, i pyetur nga "Shqip" deklaroi se objekti nuk do të kualifikohet për legalizim dhe se fotografimi i objektit do të ngelë në pamjet e fiksuara në 2006-n dhe jo ndërtimin që ka vijuar dhe pas këtij momenti. "Ne zotërojmë të gjithë dokumentacionin teknik dhe ligjor e do të jetë ALUIZN-i në bashkëpunim me bashkinë që do të vendosin ose jo për legalizimin e objektit pa leje të ndërtuar mbi objektin me leje, ndërsa rrezikshmëria nuk ekziston", deklaruan avokati dhe konstruktori, duke theksuar se prishja e kateve pa leje ka një kosto të lartë për mjedisin, banorët që jetojnë në pallat, bizneset e vendosura në të, si dhe vetë godinën që është me leje, pasi e dëmton atë. Kallëzimin penal që është ngritur ndaj firmës, avokati e konsideron një kallëzim pa bazë ligjore. E ndërsa jashtë sallës së këshillit bashkiak shoqëria "Shala e CO" ngrinte pretendimet e saj për ligjshmërinë e objektit dhe siguritë inxhiniero-teknike lidhur me strukturën e tij, në sallën e këshillit bashkiak të gjithë anëtarët kanë qenë në një mendje kur kanë miratuar fondin për prishjen e kateve pa leje. Kjo prishje rezulton e një shkalle të lartë vështirësie, për shkak të punës në lartësi të mëdha, faktit se godina banohet nga familjarë dhe biznese deri në katin e nëntë të saj. Por edhe se ngjitur me objektin ka një pikë karburanti dhe ndodhet në një kryqëzim rrugësh me intensitet tepër të lartë lëvizjeje automjetesh dhe këmbësorësh.