E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Kombëtar, numëruesit e votave izolohen në parti

Selia blu do të vijojë punën ditë e natë, deri në shpalljen përfundimtare të anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Partia Demokratike ka vendosur të tregohet e "ashpër" me komisionerët e saj, të cilëve nuk iu lejohet që deri në nxjerrjen e rezultateve të bëjnë pushim të gjatë në procesin e numërimit. Nisur nga ritmi i lartë me të cilin po punohet, fituesit e Këshillit Kombëtar pritet të deklarohen sot pasdite ose nesër në mëngjes.

Puna

Komisionerët e Partisë Demokratike, të cilët po numërojnë edhe votat e delegatëve për Këshillin e ri Kombëtar, do të vazhdojnë punën pa ndërprerje deri në shpalljen e rezultatit final. Të akomoduar në një nga zyrat e katit të dytë të selisë së blu, nëntë komisionerët e drejtuar nga Igli Cara kanë nisur punën me numërimin dje, në orët e para të ditës. Ashtu si një proces numërimi, edhe në PD janë marrë masa që ky numërim të mos ketë shkëputje dhe komisionerët të kenë të drejtën e shkëputjes vetëm në oraret e caktuara për të ngrënë dhe jo për të pushuar gjatë. Burimet bëjnë të ditur se ky regjim i rreptë për sa i përket procesit të numërimit është vendosur për shkak të numrit të madh të delegatëve që kanë votuar dhe emrave të shumtë përmes të cilëve ata do të zgjedhin vetëm 100. Bazuar në këtë ritëm intensiv pune, bëhet e ditur se rezultati për 100 emrat, të cilat fitojnë të drejtën të jenë pjesë e forumit të lartë drejtues të PD-së, të dalë sot pasdite ose nesër në mëngjes.

Volumi

Në Kuvendin e Partisë Demokratike morën pjesë 1267 delegatë nga të gjitha degët e PD-së. Ky numër delegatësh ka shqyrtuar për çdo fletëvotimi nga 400 emra, ku mes tyre ka zgjedhur 50 deri në 100 kandidatët e tij të preferuar për Këshillin Kombëtar. Fleta e votimit të secilit kandidat ka qenë e përbërë nga 10 faqe dhe për pasojë, volumi i punës për 9 komisionerët është i madh. PD ka renditur në kandidaturat e saj, përveç emrave të afirmuar politikisht në këtë parti, edhe shumë emra të përfaqësuesve të rinj, të cilët kandidojnë për herë parë në këto forume të larta drejtuese. Ajo që bie në sy mes kandidaturave të PD-së për Këshillin Kombëtar është shtimi i numrit të femrave. Kjo për faktin se, sipas ndryshimeve të fundit të bëra në statut, numri i femrave në Këshillin Kombëtar nuk duhet të jetë më i ulët se 30%. Mes kandidaturave femra vihen re, ato të zëdhënësve të mazhorancës, si ajo e PD-së, Erla Mëhilli dhe zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Juela Meçani. Surpriza e kandidaturave mund të konsiderohet ajo e këngëtares dhe artistes, Çiljeta Xhilaga. Pas konstituimit të anëtarësisë së re të Këshillit Kombëtar, pritet edhe zgjedhja nga ky forum i dy nënkryetarëve të PD-së dhe i sekretarit të përgjithshëm të partisë. Ky proces pritet të përmbyllet përpara datës 20 të këtij muaji.

F.Mejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›