E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokracia kushtetuese dhe Shqipëria

Në një vend ku realizohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe konkurruese, nuk do të thotë se në atë vend ekzistojnë garancitë e drejtimit të një rendi ligjor, kushtetues. Demokracitë liberale, me vlerat që ka sovrani në Perëndim, nuk mund të vlerësohen vetëm me lirinë e zgjedhjeve të drejta ligjore. Prandaj, në demokracitë kushtetuese, koncepti demokracisë përfshin edhe vlera të tjera, jo më pak të rëndësishme se sa zgjedhjet e lira, siç janë barazia para ligjit, ndarja e pushteteve, e drejta e fjalës dhe e shprehjes, liria e besimit dhe e drejta e pronës. Pra, siç shikohet demokracia kushtetuese përfaqëson demokracinë e vërtetë të një shteti demokratik, ligjor. Demokracia kushtetuese nuk mund të ndërtohet dhe të funksionojë me vlerat e pjesshme të saj. Ajo nuk mund të shprehet vetëm me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për të cilat veçanërisht në vendet e pazhvilluara trajtohet e vlerësohen më shumë për pushtetin e liderëve të partive, por përfshin vlerat themelore të ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik, ligjor. Ndarja e pushteteve dhe barazia para ligjit përbën themelin e konceptit të së drejtës kushtetuese të një shteti demokratik. Pra, duke vlerësuar vlerat përbërëse të një shteti demokratik, kuptohet se sa larg jemi ne në ndërtimin dhe funksionimin e tij në vendin tonë. Këto vlera në përgjithësi në dokumentin themeltar të shtetit tonë janë shprehur tepër qartë dhe në përgjithësi strukturat shtetërore janë ngritur fizikisht, por problemi madhor qëndron tek konceptimi dhe mos funksionimi realisht i tyre. Kështu, në kushtetute është shprehur ndërtimi i shtetit mbi tre themele kryesore: pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti gjyqësor, si pushtete të ndara dhe të pa varura nga njëri - tjetri. Për bashkërendimin dhe koordinimin e veprimtarive shtetërore të këtyre tre pushteteve ekzistojnë edhe ligjet përkatëse, por kur vjen puna në zbatimin e tyre partia që merr pushtetin ekzekutiv, jo vetëm që e keq përdor mazhorancën e saj parlamentare në pushtetin legjislativ, por kërkon dhe kryesisht e realizon drejtimin direkt apo indirekt edhe të pushtetit gjyqësor. Kjo është vërtetuar plotësisht në luftën që kanë bërë dhe bëjnë partitë që marrin pushtetin ekzekutiv në ndryshimin e prokurorëve të përgjithshëm, drejtuesve kryesor të të gjitha niveleve të gjykatave dhe presioneve politike që bëhen ndaj tyre për hetimin dhe gjykimin e problemeve të ndryshme. Shprehja me e afërt e këtyre qëndrimeve është lufta që bëri qeveria për të shkarkuar prokurorin e përgjithshëm, Sollaku. Kjo mungesë pavarësie e pushtetit gjyqësor ka sjell dhe sjell dëmtimin e vlerës tjetër të demokracisë kushtetuese; atë të barazisë para ligjit. Ky realitet është një nga problemet kryesore, i cili shprehet nëpërmjet zbatimin të dy standardeve të ndryshme në gjykimin dhe ndëshkimin e veprimtarive të kundra ligjshme që kryejnë qytetarët e vendit tonë. Kjo mungesë barazie në shoqërinë tonë ka krijuar problemet e vështira me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Megjithë premtimet e shumta për luftën kundër korrupsionit të qeveris, koha po tregon se ajo jo vetëm që nuk është zvogëluar për ne segmente të caktuara të politikës, të qeverisjes dhe të institucioneve vazhdon me të njëjtat ritme, por pak më e sofistikuar. Kjo ka sjell edhe shkeljen e të drejtës së pronës, e cila edhe pse 15 vjet flitet e diskutohet shumë, problemi pronës akoma nuk ka zënë vendin që i takon. Kjo nuk shprehet vetëm me të drejtën e kthimit e të njohjes së pronës, por ajo është bërë një problem tepër madhor edhe në mos njohjen ligjore të pronave të reja të qytetarëve, siç janë mos hipotekimet e banesave nga pallatet e reja që janë ndërtuar dhe po ndërtohen duke krijuar një sistem piramidal në industrinë e ndërtimeve. Prandaj, demokracia shqiptare është shumë larg demokracisë kushtetuese, mbasi ajo jo vetëm nuk shpreh dhe mbron të gjitha vlerat e kësaj demokracie, por në emër të saj janë krijuar sisteme të pa ligjëruara që po tronditin sistemin demokratik që ne pretendojmë të ndërtojmë. Ne shoqëritë perëndimore, midis forcave të garancive të një regjimi të lirë kushtetues, zënë vend edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat së bashku me median njihen si pushteti i katërt i demokracisë kushtetuese .Këto organizata ndodhen jashtë influencave politike dhe ekonomike, veçanërisht nga influencat e shtetit dhe qeverive. Përvoja perëndimore tregon se me institucionet e shoqërisë civile, të cilat ndodhen nën drejtimin direkt apo indirekt të shtetit dhe të qeverisë, nuk mund të shkohet në një strukturë demokratike liberale. Prandaj pavarësia e shoqërisë civile dhe mos ndërhyrja në punët e brendshme të tyre janë kushtet e ekzistencës së këtij pushteti të katërt në shoqëritë demokratike. Për këtë arsye revista "Foreign Affairs" e muajit nëntor 1997 nënvizonte se "Në burimin e prapambetjes që ekziston midis demokracisë me liberalizmin kushtetues fle gjerësia e autoritetit të qeverisë". Por në jemi akoma shumë larg një pavarësie të vërtetë të organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Fatkeqësisht tek ne shumica e organizatave të shoqërisë civile dhe media janë pjesë direkt ose indirekte në mbështetje të partive politike, në vend që ato të jenë organizata që të parashtrojnë e debatojnë me pushtetet e tjera funksionimin real te demokracisë kushtetuese tek ne. Media e shkruar dhe media elektronike janë kthyer në shërbim të pushteteve; pozitës apo opozitës nëpërmjet të ashtuquajturve analistë dhe komentatorë që paguhen e trajtohen prej tyre. Pra, pavarësia e mendimit dhe e gjykimit në media dhe në shumicën e organizatave të shoqërisë civile pothuajse nuk ekziston. Megjithatë media në Shqipëri ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol parësor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Media që zë këtë pozicion,siç është rasti televizionit Top Chanel dhe Top Media vendoset nën gjuajtjen e artilerisë së rëndë të qeverisë. Këto janë edhe parimet dhe kërkesat kryesore që parashtron në vazhdimësi Bashkimi Evropian për afrimin e Shqipërisë me këtë union. Mos zbatimi i vlerave të demokracisë kushtetuese në mënyrë të vazhdueshme nga politikanët dhe shtetarët shqiptarë ka të bëjë me konceptet dhe mentalitetet e tyre të partisë shtet. Pra, pengesë kryesore për mos zbatimin e vlerave të demokracisë kushtetuese dhe të vështirësive për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO janë klasa politike që e drejton vendin tonë për 15 vjet rresht. Ajo përbën shkakun kryesor në mos vendosjen e shtetit ligjor, të barazisë përpara ligjit, të zgjidhjes përfundimtare të sistemit dhe infrastrukturës zgjedhore, çështjes së pronës dhe të funksionimit normal të pushteteve, të cilat përbëjnë vlerat kryesore të demokracisë kushtetuese që populli shqiptar për 15 vjet pret të ndërtohet. Vendet e tjera Lindore që u integruan në Bashkimin Evropian e përafruan demokracinë kushtetuese me shpejtë se sa ne për arsye se u ndryshuan brezat e politikës dhe politikanëve të viteve 90. Ato aktualisht drejtohen nga brezi i tretë i politikanëve të mbas viteve 1990. Prandaj dorëheqja e kryetarit të Partisë Demokristiane, Z. Nikoll Lesi, të Partisë së Demokracisë Liberale, z. Teodor Laço, të Partisë Republikane, Z.Sabri Godo, edhe pse janë procese shumë të vonuara me vendet e tjera, duhet të kthehet në një ligj të shkruar apo të pa shkruar për të gjithë liderët e partive që ekzistojnë. Por jo të ndodhë si me z. Fatos Nano, i cili bën një hap para dhe dy mbrapa. Herën e parë dha dorëheqjen nga kryetar partie dhe mbas një kohe të shkurtër u përball me Z. Majko, ndërsa në vitin 2005 dha dorëheqjen nga kryetari partisë pasi humbi zgjedhjet, pastaj intrigoi majtas dhe djathtas të bëhej president i vendit. Fakti që Shqipëria është vendi më me pak zhvillime të demokracisë kushtetuese kërkon që e gjithë kjo klasë politike të ndryshohet, pavarësisht nga mosha që kanë, mbasi konceptet dhe mentaliteti nuk varen nga mosha, por më shumë nga arsimimi dhe kultura që ka marrë individi dhe shoqëria.

*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›