E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi, izolim apo shtyrje?!

A po zgjidhet apo, po lidhet nyja e quajtur, statusi politik i Kosovës? Liderët politikë të Kosovës thonë se po zgjidhet, shenjat tregojnë të kundërtën, po lidhet! Se nuk po zgjidhet, por po komplikohen gjërat edhe me shumë, mund ta vërejmë edhe në fytyrat e anëtarëve të Ekipit të Unitetit, që sapo ishin kthyer nga takimi i drejtpërdrejtw mes palës kosovare dhe asaj serbe në New York. Ata edhe pse tentonin të tregoheshin optimistw dhe të vendosur në atë që thoshin, përsëri i tradhtonte konfuziteti gjatë prezantimit të asaj që kishin dëgjuar dhe që iu ishte thënë për të ardhmen e Kosovës. Madje ky konfuzitet i bëri edhe të pakoordinuar në përcjelljen e një mesazhi të qartë tek qytetarët e Kosovës, të cilët gjatë dy ditëve kishin mbetur, siç thotë populli “me vesh në krah”, për të mësuar çfarë është thënë në New York.

Anëtarët e Ekipit të Unitetit gjatë prezantimit me shumë i përshkruanin ngjarjet, sesa që tregonin çfarë kanë mundur të vërejnë në qëndrimet e diplomatëve ndërkombëtarw për zhvillimet e pas 10 dhjetorit. Janë gati të na mbështesin në rrugën drejtë pavarësisë apo jo, edhe me keq mos e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës jashtë KS të OKB-së, siç ua tha ministri i jashtëm i Sllovakisë, Jan Kubis, e që këta nuk e zunë në gojë fare qëndrimin e tij.

Çfarë tregon ky prezantim i anëtarëve të Ekipit të Unitetit? Sjellja e tyre është e njëjta me atë të viteve ’90-tw kur asnjë fjalë nuk thuhej për anën e kundërt, pra për ata që kundërshtonin pavarësinë. Gjithnjë komentoheshin e citoheshin fjalët e atyre që ishin pro pavarësisë së Kosovës, e që ishte një qetësues për t’i venë në gjumë qytetarët. Serish po këta qytetarë, po kjo shoqëri, por nga liderë të tjerë, është duke u venë në gjumë me ilaçin e njëjtë: pavarësia nuk ka alternativë dhe se kjo do të ndodhë! Por, se kur do të ndodhë, këtë nuk mund ta thonë as ata vetw që janë drejtpërdrejtë të përfshirë në bisedime. Edhe me keq se kjo, ata janë ftohur krejtësisht nga ajo që dëgjojnë në këto takime.

Ende pa u rehatuar mirë në karriget e tyre, arriti një deklaratë se, SHBA-ja dhe BE-ja janë dakorduar që të ketë një shtyrje të re të zgjidhjes së statusit, pas 10 dhjetorit. Këtë nuk ka mundur ta kundërshtojë as përfaqësuesi i BE-së, Javier Solana, kur është pyetur. Se rrjedha është duke ecur drejt kësaj qasje, tregojnë deklaratat e bëra, pas takimit në New Yorkut, nga diplomatë ndërkombëtarë se, po shohin dritë në fund të tunelit dhe se do ta arrijnë gjithsesi. Kjo tregon qartë se ata nuk do të nguten që pas 10 dhjetorit të deklarohen apo të marrin ndonjë vendim, por se do të tentojnë ta arrijnë dritën në fund të tuneli, pra zgjidhjen e kompromisit mes palëve. Se është kështu na e thonë në biseda interne edhe disa nga liderët politikë të Kosovës. Ata e pranojnë edhe vetë se nuk presin pavarësi, jo të paktën para verës së vitit 2008. Kjo është saktësisht ose në të njëjtën linjë me propozimin e ri francez se, nuk do të ketë zgjidhje deri në vjeshtë të viti 2008. Edhe me e përforcuar bëhet ideja për shtyrje të re, kur vërejmë që kohëve të fundit politika e jashtme anglo-franceze ndaj Ballkanit është unifikuar. Prandaj, nisur nga kjo anëtarët e Ekipit të Unitetit janë ftuar në Londër që t’u kumtohet drejtpërsëdrejti ky lajm. Franca këtë rol e kishte luajtur herën e fundit kur kishte propozuar shtyrje prej gjashtë muajve dhe për të mos dalë si e pabesë, kësaj radhe propozimin për shtyrje të re ia ka lenë në duar Britanisë së Madhe.

Tani mund të pyesim: nëse herën e kaluar u tha se shtyrja po ndodhë për t’u dhenë shansin e fundit palëve që të merren vesh për një zgjidhje kompromisi, çfarë do të jetë arsyeja për një shtyrje të re? Cila do të jetë karta e re me të cilën do të luhet tani? A do të përdoren kërcënimet e serbëve të Kosovës se, do ta shkëpusim veriun nëse njihet pavarësia e Kosovës, si argument për t’i bindur shqiptarëve se nevojitet edhe një shtyrje, nëse e doni Kosovën e pavarur si tërësi? Këtë po e thonë evropianët dhe po tentojnë ta bindin ShBA-në që t’i mbështes në këtë aludim, në mënyrë që të ketë edhe një shtyrje! Evropa nuk dëshiron ta prish qetësinë e saj dhe ta hidhëroj Serbinë dhe për ta me lehtë është të luhet me shqiptarët dhe fatin e Kosovës, sesa me serbët. Në përpjekje për ta shtyrë edhe me tutje statusin e Kosovës, derisa Serbia dhe Rusia, por edhe disa vende evropiane, të pajtohem, do të aktivizohen të gjithë skenarët, deri në masën sa nuk rrezikojnë procesin!

Por, t’i kthehemi vetes! A po mund t’i kuptojmë këto deklarata që arrijnë, sa të jemi të përgatitur të përballemi me situatën? Nuk ka indikacione tek liderët politikë se është duke u kuptuar aq mirë ose shumë qartë situata në të cilën gjendemi ose nëpër të cilën do të kalojmë në ditët dhe muajt e ardhshëm! Të gjithë kanë në mendje konceptin si pavarësi, por assesi mënyrën se si të realizohet pavarësia. Sikur janë ngurtësuar në koncepte dhe nuk ndërmarrin asnjë lëvizje për t’i zhvilluar këto koncepte. Kishte një entuziazëm që të shkohet drejt shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, pas këtyre 120 ditëve, por tani sikur ka ndryshuar qasja. Sikur na del se fitoj krahu i pritjes politike dhe humbi ai i vendimmarrjes së menjëhershme, brenda Ekipit të Unitetit. Ndërkohë që institucionet, si qeveria dhe Kuvendi, janë shndërruar vetëm në ekzekutues të vendimeve që dalin nga zyra e Ekipit të Unitetit, edhe pse këto dy institucionet kanë shumë me shumë legjitimitet dhe të drejtë nga qytetarët për të marr vendime.

Prandaj, e shikoni, po na lidhen këmbët çdo ditë e me shumë, në vend që të na zgjidhen. BE-ja nuk është gati dhe as që ka fuqi të marr vendime të guximshme. Ajo vazhdon të mbetet bllokuesja me e madhe e të pavarësisë së Kosovës. E keni vërejt sesa i drejtpërdrejt dhe aspak diplomatik është shefi i Zyrës së Britanisë së Madhe në Kosovës, kur deklarohet rreth opsionit të pavarësisë së Kosovës. Ai troç e thotë se, as që duhet të na shkojë në mëndje ta shpallim pavarësinë vet, ndryshe na kërcënohet, me izolim të Kosovës, si Qipron Turke. Edhe me e rëndë është kur politikanët e Kosovës që e shoqërojnë miratojnë deklarimin e tij. Tani kemi një fushat, fshat me fshat për t’i frikësuar qytetarët që të mos guxojnë të dalin në rrugë dhe t’u bëjnë presion liderëve politikë. E si të mos u bëjmë presion, jo vetëm liderëve politikë të Kosovë, por edhe atyre ndërkombëtar për zgjidhe të statusi i Kosovës, apo të na lirojnë nga izolimi tetë vjeçar, kur të gjithë popujve në vendet fqinje u është lehtësuar liria e lëvizjes këto ditë, ndërsa vetëm qytetarëve të Kosovës jo! Çfarë ka populli i Kosovës me pak se popujt tjerë në rajon, zotërinj?

Nëse ne do të futeshim izoloheshim, siç na kërcënohen, atëherë edhe shpallja e pavarësisë nga vet ne, nuk do të na bëjë jetën me të vështirë sesa që e kemi tani, ose nuk do të jemi me të izoluar sesa që jemi. Ne duhet të zgjedhim, pas këtyre 120 ditëve, mes pritjes në vazhdimësi dhe ecjes drejt synimit tonë. Ndërsa Evropa do të duhet të zgjedhë, pas shpalljes së pavarësisë, mes një Kosovë demokratike-ku proceset do të jenë të kontrolluara dhe një Kosovë të izoluar-ku shumëçka mund të jetë e zezë. Nuk mund t’i besohet idesë se Evropa do të gaboj përsëri dhe të tërhiqet nga Kosova. Një hap i tillë do të thotë se Evropa po e shndërron me duart e saj Kosovën në një çerdhe të te këqijave dhe krimit. Nëse Kosova dhe njerëzit e saj izolohen, siç deklaron haptazi z. Blund, atëherë këta njerëz do të jenë të detyruar të kërkojnë rrugë për të mbijetuar.

Në një situatë të tillë ku Kosova do ta shpallte pavarësinë e saj, mbesin dy alternativa: ose izolimi i vërtet i Kosovës dhe pastaj shndërrimi i saj në një oazë të krimit dhe shndërrimi i shoqërisë kosovare në një shoqëri të kriminalizuar, ngase kriminelët e të gjitha llojeve do ta shfrytëzojnë gjendjen e rëndë për të përfituar. Ose në variantin e dytë, Evropa duhet të përballet nëpër qytetet e saja me njerëzit e ikur nga Kosova, për shkak të jetës së vështirë që do të bëhej nga izolimi që na kërcënohet. Prandaj, Evropa duhet të zgjedhë se, “a është me neve apo me arushën”,-është për stabilitet që do të arrihej përmes një Kosovë të pavarur apo për destabilitet që do të mund të ndodhte për shkak të gjendjes që po rendohet. Aq me pak, as z. Blund dhe as Evropa në tërësi nuk mund ta akuzojnë Kosovën dhe kërkesat e qytetarëve të saj për dështimet e veta. Nëse Evropa nuk është gati të përballet me të ardhmen e saj, ky nuk është faji i Kosovës. Përkundrazi Kosova është testi vendimtar që ka mundur t’i ndodhë Evropës për ta zgjuar nga agonia dhe iluzioni se është vend i harmonisë dhe bashkërendimit të politikave. Ndoshta brenda saj po, por jashtë 27-ës, BE-ja po tregohet e paaftë për të vepruar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›