Demokracia në udhëkryqNga Nikos Konstandaras, “Kathimerini”Javët e fundit në Britani anëtarët e parlamentit i janë nënshtruar një dhune verbale në publik dhe në shtyp. Disa janë kërcënuar. Shumë votues thonë se do të votojnë për partitë e vogla në zg
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Demokracia në udhëkryqNga Nikos Konstandaras, “Kathimerini”Javët e fundit në Britani anëtarët e parlamentit i janë nënshtruar një dhune verbale në publik dhe në shtyp. Disa janë kërcënuar. Shumë votues thonë se do të votojnë për partitë e vogla në zgjedhjet evropiane të kësaj jave për të ndëshkuar partitë e mëdha.
E gjithë kjo buron nga zbulimi se disa deputetë ishin treguar tepër imagjinativë apo kavalierë me paratë e taksapaguesve për shpenzime në shtëpi të dyta, për sende që radhiten nga më qesharaket (kotec pluskues për rosat) deri te më mashtrueset (marrje interesi për kredi shtëpie të shlyera).
Zemërimi është aq i madh, sa disa flasin për një revolucion. Michael Martin u bë kryetari i parë i Dhomës së Komunave në 300 vjet që u detyrua të japë dorëheqjen - dhe të paktën 10 deputetë të tjerë thonë se do të largohen nga politika. Në panik, kryeministri, Gordon Brown, dhe kryetari i Partisë Konservatore, David Cameron, flasin për ndryshime radikale në sistemin politik. Politikanët britanikë janë vërtet përgjegjës për provokimin e publikut, por është e qartë se një zemërim i tillë duhet të ketë rrënjë më të thella.
Ndërsa shoqëritë tona (dhe individët bashkë me to) përballen me një mal problemesh, zemërimi i qytetarëve rritet dhe kërkesat e tyre për zgjidhje bëhen gjithnjë e më shtypëse, sepse këto zgjidhje nuk mund të jenë pa dhimbje, kjo krijon tension, me shpërthime zemërimi ndaj vendimeve politike apo ndaj sjelljes së një segmenti të caktuar të shoqërisë - qoftë CEO (Drejtorë të Përgjithshëm kompanish, siç patëm disa muaj më parë, apo deputetë kohët e fundit). Ndoshta kjo është ushqyesja e histerisë në masë në Britani tani dhe ndoshta kjo sugjeron gjithashtu se demokracitë e sotme gjenden në vendnumëro: kur deputetët dhe qeveritarët humbasin besimin e qytetarëve, kush do t’i zgjidhë problemet e tyre?
Në Greqi është e qartë që politikanët janë në vështirësi si të zgjidhin problemet që janë akumuluar gjatë viteve.
Skena jonë politike e vogël dhe interesi i veçantë i qytetarëve për politikën rezulton në një klimë familjarizimi mes votuesve dhe përfaqësuesve. Ne i njohim deputetët tanë, i vlerësojmë në çast dhe presim prej tyre. Por, siç thonë anglezët, familjariteti sjell urrejtje: ndërsa votuesit besojnë se përfaqësuesit e tyre mund të bëjnë gjithçka (nëse duan), ata mund të besojnë po aq lehtë se politikanët janë të krimbur ose të paaftë. Ne kemi parë boll skandale dhe përpjekje për t’i fshehur për të kuptuar pse ekziston ndjenja e përgjithshme që ata janë të gjithë “pjesë e lojës”. Kjo akuzë padyshim është e ekzagjeruar. Por është edhe tejet e rrezikshme: nga njëra anë krijon një klimë, ku cilido që është i pakorruptuar ndihet i izoluar (e ndoshta budalla) dhe në një moment mund t’i dorëzohet tundimit, ndërsa në anën tjetër, një frymë e përgjithshme kalbëzimi mban larg administratës njerëz që mund të kenë diçka për të ofruar. E kështu politika lihet në dorën e mediokërve ose atyre me një “karizmë” të caktuar (me të gjitha rreziqet që kjo përfshin).
Shoqëritë tona përballen me probleme masive në të gjitha nivelet - nga ndryshimet klimatike, te pasojat e krizës globale ekonomike. Tensionet brenda kufijve rriten, por edhe në marrëdhëniet mes vendeve, ndërsa rritet konkurrenca për burime dhe rikthehet protektonizmi. Sfidat kërkojnë duar të qëndrueshme. Por, në të njëjtën kohë, politikanët tanë - qoftë të aftë apo të paaftë, të përunjur apo arrogantë - janë vazhdimisht të ekspozuar përballë gjykimit, talljes dhe zemërimit të qytetarëve. Në të shkuarën, para komunikimit masiv dhe internetit, politikanët ishin të distancuar nga elektorati dhe nuk u duhej të justifikonin çdo veprim të tyre. Sot, votuesit janë pjesë e një qarku të pafundmë lajmesh: ata dinë gjithçka rreth përfaqësuesve të tyre dhe kërkojnë gjithçka prej tyre. Ata nuk pranojnë vendime ose sjellje që nuk u pëlqejnë. Por, meqenëse nuk ka opsion tjetër për shoqërinë që të ketë një qeveri, mundësitë janë të kufizuara: ne mund të mësohemi me sistemin që kemi tani, me politikanët dhe votuesit duke punuar për një modus vivendi të ri; skena jonë politike mund të kthehet në një Babel të pafundmë, grupe ekstremiste, duke e vështirësuar mundësinë e krijimit të një qeverie; ne mund të kthehemi te forma qeverisjeje më autokratike; ose shtetet mund të dorëzojnë pjesë të sovranitetit të tyre tek organizata më të mëdha, të cilat do të marrin vendime që nuk guxojnë t’i marrin politikanët vendorë.
Vënë përballë këtyre mundësive, është e qartë se rruga me e mirë për të përparuar është rregullimi i sistemit të tanishëm. Por fillimisht politikanët duhet të fitojnë besimin e qytetarëve - dhe qytetarëve do t’u duhet t’u kërkojnë llogari. Demokracia, ose do të përmirësohet, ose ne të gjithë do të jemi më keq.