E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia në zhbërje e sipër

Antidemokracia është në lulëzim e sipër, nëse me lulëzim do kemi parasysh kongresin e radhës së pleniumit të Partisë Demokratike dhe nevojën për një "hero" si Sali Berisha. Një varg ngjarjesh dhunuese, diktatoriale e sidomos antikushtetuese kanë shoqëruar javët e fundit politike të Tiranës, duke thelluar atë që në fakt është sot e gjithë ditën një krizë politike. Kjo krizë po merr përmasa të frikshme, aq sa mezi pranohet nga shumë faktorë përfshirë dhe mediatike, sipas një lloj gjykimi infantil, që duke mos e pranuar, ajo nuk po ndodh. Pas mitingut të opozitës dhe çekuilibrimit mendor të Kryeministrit që nuk la fustan gruaje pa u marrë, linçimit të kryetarit të Partisë Socialiste dhe laborizimit të opozitës si homo-mafioze, erdhi dhe antimitingu i qeverisë. Që nuk ishte gjë tjetër veçse një konfirmim i administratës shqiptare. Po ajo ekziston dhe ditën e mitingut e bëri pushim për të dalë në rrugë. Dhe çuditërisht Sali Berisha nuk duket i lumtur, kur një turmë e tillë do ta çonte në qiellin e shtatë të subkoshiencës së tij perverse, ku lufton komunisti i shtirur si demokrat. Meqë turma nuk ishte mjaftueshëm, fadromat do ta sillnin disi në vete, dhe nisi dhe sulmi me fadroma dhe me biznese. Sulmi selektiv ndaj biznesit, është jo vetëm një kërcënim dhe presion ndaj mbështetësve të opozitës, por dhe një "larje" hesapesh që biznesmenët e Berishës dhe Metës mezi kanë pritur ta bëjnë. Kjo jo vetëm nuk ka të bëjë me konkurrencën e ndershme, por është një mafiozllëk i veshur kokë e këmbë me pushtet. Kur opozita kërkonte hapjen e kutive, Sali Berisha fliste vetëm për ligje dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese. Sot dhe gjithë ditën ai po jep prova që ligjin e përdor kur do dhe si do. Armiqtë e rinj të klasës janë biznesmenë që kanë ndërtuar me leje dhe ligje, por si të deklasuar nuk mund të ketë për ta, as gjyq, as vendim gjykate, as zbatim ligji, as kohë për procedura. Kryeprokurori dhe kryexhandari është vetë Kryeministri. Jo se kjo përbën një risi në sjelljen e tij, përkundrazi është një rikonfirmim i antidemokracisë dhe i mënyrës së vetme si është sjellë me shtetin dhe ligjin në këto 19 vjet post diktature dhe prag demokraci. Java që shkoi, që kishte të vetën një ditë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, u mbyll me rikonfirmimin e një ligji kundër të drejtave të njeriut. Moratorumi për mjetet e lundrimit do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe tre vjet të tjera. Ai nuk ka të bëjë më me përpjekjet për të ndalur klandestinët e një vendi që synon ta shëtisë botën me viza vitin që vjen, por si një rikonfirmim i paaftësisë së qeverisë nga njëra anë dhe si një konsolidim i antidemokracisë nga ana tjetër. Vetëm Enver Hoxha konfiskonte pronën private, ose më saktë atë të kulakëve, për të jetuar vetëm vetë mes bollëkut dhe vilave. Sot një e drejtë e përcaktuar me Kushtetutë, ajo e pasjes së një prone, qoftë ky një jaht apo varkë peshkatari, u mohohet shqiptarëve të thjeshtë, të pasur apo atyre që luftojnë për bukën e gojës, por jo Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët mesa duket duan ta shijojnë detin të pastër dhe vetëm, ashtu sikur dhe territoret e tjera të Tiranës dhe Shqipërisë. Sot dora mbi opozitën është rënduar sa s‘ka, paralelisht me përkeqësimin e ekonomisë së shqiptarëve. Kjo luftë antidemokratike, antibiznes, antikushtetuese, në fund të dhjetëvjeçarit të parë të mileniumit të ri, nuk është gjë tjetër veçse grahma e fundit e komunizmit të shekullit të kaluar që të gjithë menduam se e lamë pas 20 vjet më parë kur turmat këndonin në shesh për erën e ndryshimit. Sot të bindur se ky ndryshim është i keq, gjysmak dhe na bën qesharakë në sytë e botës, të gjithë nën zë murmurisin se ky vend zor se bëhet. E keqja më e madhe është se ky vend po zhbëhet ashtu sikur dhe ajo pak demokraci më tepër imagjinare sesa reale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›