E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia vdiq, rroftë regjimi!

Në fakt titulli ka një pasaktësi, unë them që demokracia vdiq, mirëpo, me të drejtë, shumëkush mund të më thotë: A kemi pasur ndonjëherë demokraci në këto 18 e ca vjet? Dhe ai shumëkushi ka të drejtë. Pas vitit 1990, pra pas shembjes së diktaturës, shqiptarët nuk vendosën demokracinë, por instaluan regjimin shumëpartiak. Ajo që ndodhi këto ditë, pranimi i Ilir Metës pra për të qeverisur me Sali Berishën, mund të lexohet në njëqind e një mijë mënyra, por në thelb ka vetëm një të vërtetë që është kjo: në Shqipëri u arrit që të bashkëqeverisin një i majtë ekstrem dhe një i ashtuquajtur antikomunist ekstrem, një ish-kryeministër socialist që guxoi dhe e rrasi brenda, pra e futi në burg të paktën për disa orë liderin e atëhershëm të opozitës, Sali Berishën, atë që do ta ketë sot aleat për të na qeverisur dhe ish-presidenti i parë në qeverisjen pluraliste. Ajo që debatojnë të gjithë qëndron këtu: ky kompromis është politik, elektoral, strategjik, ekonomik, mafioz, patriotik, apo është thjesht një fjalë burrash, besë cubash e dhënë me ndërmjetësinë e kallauzëve të regjimit. Me një fjalë çfarë është? Duhet të bëjmë një marrëveshje që në fillim, i dashur lexues. Marrëveshja është kjo: gjithë ata që japin opinione në Shqipëri, pra edhe autori i këtyre radhëve, kanë ndjesinë se po thonë një gjë që të tjerët nuk e dinë ose kanë dëshirën që të ndikojnë në emocionet e lexuesve me më shumë tërsëllëm. Nuk është kështu, të gjithë, pra edhe autori i këtyre radhëve, përsërisin ca të vërteta të njohura, vetëm se i tregojnë për një realitet apo për një grup njerëzish që ata kujtojnë se nuk i dinë këto gjëra. Këtë do të bëj edhe unë.

Pra, argumenti i ditës është ky: në këta katër vjet ne do të qeverisemi nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, nga një i majtë dhe nga një i djathtë. Një aleancë e tillë, po të mos llogarisim Xhuvelin, është hera e parë që bëhet në Shqipëri dhe, me të tilla përmasa, është gjithashtu hera e parë. Në imazhërinë popullore, ose në vetëdijen e shqiptarëve, një akt i tillë përkthehet si tradhti, pra Ilir Meta, sipas kësaj mendësie, tradhtoi të majtën dhe u bashkua me të djathtën, se Ilir Meta tradhtoi nënën Parti Socialiste dhe motrën Lëvizje për Integrim dhe u bashkua me djallin Parti Demokratike e kështu me radhë. Mirëpo, në demokraci nuk ekziston termi tradhti. Demokracia dhe aktet juridike që përshkruajnë figurën e tradhtisë e gjejnë ose e ruajnë atë si figurë vetëm në marrëdhëniet bashkëshortore. Pra, tradhtia është e dënueshme vetëm në ato raste kur ajo bëhet në një çift, më saktë kur burri shkon me një grua tjetër ose anasjelltas dhe ai kapet nga gruaja ose anasjelltas. Vetëm në këtë rast ai ose ajo ka kryer tradhti, që me terma juridikë quhet tradhti bashkëshortore dhe me këtë provë gruaja ose burri mund ta ndajë partnerin/en. Në politikë nuk ekziston termi tradhti, sepse lideri i një force të caktuar politike është i lirë të shkojë me kë të dojë, pra po të përdornim termin e tradhtisë bashkëshortore, ai është i lirë që të flirtojë, të bëjë dashuri, të kryejë marrëdhënie me cilindo lider tjetër, qoftë ai edhe kundërshtar ose, për analogji, mund të thoshim qoftë edhe i seksit tjetër, në kuptimin e krahut politik dhe kjo nuk quhet tradhti, kjo quhet marrëveshje, madje në ndonjë rast shoqërohet edhe me lëvdata, me mirënjohje. Elektorati i kësaj force politike, që për analogji mund ta quajmë gruaja ose burri i liderit që ka kryer këtë tradhti ose marrëveshje, nuk ndjehet aspak i lënduar dhe nuk shkon në gjykatë siç ndodhte në rastin e çiftit familjar, përkundrazi ai ndjehet i ngazëllyer, sepse lideri e bëri këtë marrëveshje për të shpëtuar kombin. Pak a shumë edhe Ilir Meta këtë arsyetim bëri kur vendosi të pranojë propozimin që të bashkëjetojë me Sali Berishën në të njëjtën qeveri.

Siç dihet në mentalitetin perëndimor, tradhtari i parë është Juda. Ai e tradhtoi Krishtin, pra e spiunoi te romakët dhe pas kësaj Krishti u kap, u dënua dhe u kryqëzua. Juda është i vetmi dishepull i Krishtit që nuk ka një Ditë të Shenjtë, që nuk ka një katedrale, siç e kanë shenjtorët e tjerë. Përkundrazi ai është shenjtori më i anatemuar. Ai ka hyrë në memorien kolektive si simboli i tradhtisë. Sapo përmendet Juda, të gjithë sjellin në mendje një tradhti, një prerje në besë. Mirëpo, disa filozofë e studiues mendojnë ndryshe. Ata, duke iu referuar historisë dhe kronikës, thonë se Juda u caktua nga Krishti që ta tradhtonte atë. Juda, thonë historianët e krishterimit, ka qenë ndër shenjtorët më të ditur dhe më të bukur dhe Krishti zgjodhi pikërisht atë që ta tradhtonte, duke i ngarkuar një mision shumë të vështirë, por të domosdoshëm. Po të mos ishte kryer tradhtia e Judës, ne sot nuk do të kishim qytetërimin kristian, pra nuk do të ishte realizuar profecia. Nga kjo pikëpamje, Juda është njeriu që ka kryer sakrificën më të rëndë, sepse ai pranoi të tradhtonte dishepullin e tij. Jo vetëm kaq, por ai pranoi që të bëhej mit i një prej virtyteve më të pështira të njeriut, që është tradhtia. Ai është krijimi i këtij institucioni, megjithëse ai e bëri atë tradhti që të shpëtonte njerëzimin. Disa filozofë të tjerë shtyhen më tej dhe thonë se ky akt lindi aktin tjetër, atë të faljes dhe të tolerancës. Si të thuash, Krishti ose Perëndia i krijoi vetë që të dyja aktet, nga njëra anë tradhtinë që mund të ketë si pasojë deri edhe vdekjen dhe, në të njëjtën kohë, la porosi që njerëzit të praktikojnë faljen, tolerancën. Në fakt, njerëzit bënë krejtësisht të kundërtën. Historia e re, ajo që fillon me Krishtin, është e mbushur me luftëra, tragjedi, me tradhti e vuajtje.

Në fakt, gjithë kjo parantezë e gjatë nuk ka të bëjë fare ose asfare me realitetin shqiptar. E tregova gjithë këtë për ta marrë me sportivitet aktin që kreu Meta, sepse në Shqipëri nuk është vendosur demokracia, në Shqipëri është instaluar një regjim me shumë parti. Në këta 18 vjet ne po shohim përditë se partitë politike sa vjen e më shumë kanë marrë formën e formacioneve ekonomike dhe të çetave ushtarake. Shqipëria nuk qeveriset nga institucione, por nga emocionet e kapove të këtyre formacioneve. Këto formacione kanë doganierët, policët, drejtorët e TV-ve, banditët, prokurorët e gjykatësit, prostitutat dhe haremet e tyre. Sa herë që bëhen zgjedhje, në Shqipëri nuk ndryshon asgjë. Ndryshojnë nomenklaturat e bandave dhe batalioneve. Ikën një pushtues institucionesh dhe vjen një tjetër. Në këtë rast, Ilir Meta zgjodhi të bëhej me pushtuesin e radhës, me Sali Berishën, në mënyrë që të shpëtojë territoret që ai kishte pushtuar më parë. Të gjithë e dimë se territoret e tij në këta gjashtë vjet në opozitë po thaheshin e po mbeteshin djerrë. Vetëm se akti i Ilir Metës ka diçka sublime, ka diçka nga akti i Judës, sepse ai po sakrifikohet, pra po shkon e po përzjehet me cubat e banditët e këtij vendi, që të na tregojë ne me më shumë dritë se nga kush po qeverisemi, se në dorë të kujt kemi rënë. Vetëm pas kësaj, pra pas martesës së Ilir Metës me Sali Berishën, ne të gjithë do ta kuptojmë se në ç‘regjim po jetojmë dhe vetëm tani është shpresa që ne të kryejmë përmbysjen e vërtetë demokratike. Këtë fat Ilir Meta ia dha Edi Ramës. A do të dijë Edi Rama ta menaxhojë... Të presim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›