E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odiseja afrikane e djaloshit nga Sudani

Në moshën 18-vjeçare kishte përshkuar 6000 kilometra në këmbë dhe kishte kaluar pa pasaportë kufijtë e tetë shteteve. Udhëtimi i djalit sudanez që përshkoi kontinentin afrikan për t‘i shpëtuar luftës civile. Kjo është tema e librit "The lost boy",(Djali i humbur), vepra e të riut Aher Arop Bol, të cilën kritika e ka pritur dhe vlerësuar si një kryevepër autentike. I shkruar vetëm në gjashtë javë, ky libër tregon dëshirën e jashtëzakonshme të këtij 25-vjeçari për të jetuar e për të luftuar kundër fatit. Me origjinë nga Dinka, Sudani meridional, u arratis nga vendi i tij dhe në 2002-n mbërriti në Afrikën e Jugut. Gazetat e mëdha i kanë kushtuar artikuj të tërë. Sot Arop Bol jeton në Pretoria, kryeqytetin e Afrikës së Jugut. Është shumë i kënaqur nga pritja që kritika i ka bërë librit të tij, por ëndrra e tij më e madhe është rikthimi në vendin e lindjes e të merret me tregti. Bol është larguar nga Sudani rreth 22 vjet më parë: atëkohë fshati i tij u sulmua nga rebelët e që prej asaj kohe u nda nga prindërit. Për disa vite me radhë, së bashku me xhaxhain jeton si refugjat në kampe të ndryshme të Etiopisë, Kenias e Zimbabvesë. Kujtimet e tij të para lidhen me këtë periudhë tragjike kur, ashtu siç shkruan në librin e tij, "mijëra burra e gra vdisnin nga uria dhe trupat e tyre të vrarë digjeshin të vendosur në turra të mëdha. Në moshën 5-vjeçare ndahet nga xhaxhai, i cili vendos t‘i bashkohet "lëvizjes së armatosur për çlirimin e popullit sudan". Prej asaj kohe, Arop Bol fillon jetën vetmitare. Jeton bashkë me refugjatë të tjerë të luftës dhe këtu njeh shumë "djem të tjerë të humbur". Me ta ndan vetminë dhe dhimbjen, zihet për pak ushqim që arrin të sigurojë e bashkë me ta kalon net të tëra nën bomba. Si shumë refugjatë të tjerë të luftës, gjatë kohës që gjendej në kampet e refugjatëve, iu nënshtrua procedurave për t‘u adoptuar nga ndonjë familje perëndimore, por asnjëherë nuk e arriti këtë, sepse e konsideronin shumë të vogël. Në moshën 18-vjeçare shkon në Afrikën e Jugut, ku bën punë nga më të ndryshmet e në të njëjtën kohë studion Drejtësi. Pastaj vjen papritur ideja e një libri që merr vlerësimet më të larta të kritikës. Sot, i riu që shet cigare dhe karamele në Afrikën e Jugut, shpreson që me lekët e fituara nga libri të kthehet në vendin e tij: Nuk dua për t‘u pasuruar", thekson ai ‘Dua të ndërtoj një shkollë. Dua t‘u tregoj njerëzve se toka jonë është shumë prodhimtare". Kur e pyesin se si arriti të shkruante aq shpejt një libër, i përgjigjet se gjithçka ishte tashmë në kokën e tij. Në vitin 2003, me lekët e para që kishte mundur të hiqte mënjanë, u kthye për një periudhë të shkurtër në Sudan në kërkim të prindërve. "I gjeta përgjigjet me trishtim. Por ishin mësuar të jetonin pa mua. Derisa nuk i kisha takuar, nuk e dija as se në çfarë viti kisha lindur. Tani të paktën e di që jam 25 vjeç", përgjigjet ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›