E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetari dhe neutraliteti jonjerëzor i institucioneve

Muaji i fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare ka qenë kohë e bollshme e shoqëruar me fakte materiale konkrete, ankesa njerëzore lidhur me qëndrimet indiferente të administratës dhe të shumë institucioneve publike. Ndoshta është momenti që të mendojmë më shumë për analiza dhe studime me natyrë sociologjike. Duke qenë personalisht i përfshirë në këtë proces, më është dukur se kryefjala e të gjithë çështjeve që kanë ngritur qytetarët para përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike, ka qenë problemi i deformimit të marrëdhënieve të shtetit dhe institucioneve të tij në raport me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Personalisht më duket se kjo çështje e marrëdhënieve të qytetarit me administratën publike është bërë shumë serioze. Dhe duhet të jetë një nga pikat e reformës së qeverisë së ardhshme e çfarëdo ngjyre qoftë, e cila duhet trajtuar me seriozitet. Kjo nuk është një çështje formale burokratike, sepse nga karakteri dhe realiteti i marrëdhënieve të natyrshme apo konfliktuale të qytetarit me institucionet e shtetit varet e ardhmja e demokracisë sonë. Me gjithë ndryshimet, duket se ka recidiva të trajtimit të njerëzve jo si qytetarë që kanë nevoja dhe interesa, por me parime anonime të natyrshme, të vetëkuptueshme për natyrën e shtetit totalitar. Janë me mijëra njerëz të pakënaqur nga trajtimi i institucioneve shtetërore, veçanërisht nga nëpunësit e administratës. Kudo qytetari ndeshet me një situatë në të cilën ai e ndien veten të mërzitur, të tjetërsuar nga indiferenca e nëpunësve të shtetit, për të trajtuar dhe zgjidhur në kohë hallet e qytetarit. Natyrisht jo sipas tekave dhe dëshirave të tij, por as me ritmin e mërzitshëm prej breshke të nëpunësve përtacë, që ecin me mentalitetin e trajtimit të anonimizuar të individit dhe të nevojave jetike, për të cilat shteti dhe administrata ka detyrime specifike. Shteti social nuk është një fasadë apo tabelë që qeveria i vendos vetes, por është mbajtja në eficiensë e të gjitha mekanizmave që sigurojnë mbrojtje sociale për njerëzit në nevojë, zgjidhje ligjore të kontradiktave dhe konflikteve që shqetësojnë qytetarët.

Është e vështirë sot të takosh qytetarë që të jenë të kënaqur nga shërbimet e shtetit dhe të administratës së tij. Në analizën e shkaqeve të kësaj situate, sipas mendimit tim, përgjegjësia është e ndarë midis qeverisë dhe administratës së vet. Ende këto dy institucione të rëndësishme të jetës sociale në vendin tonë nuk e kanë marrë formatin e tyre social. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë qytetarët përballen me një dukuri të shëmtuar, të neveritshme që e mërzit qytetarin dhe nuk e lë të qetë në "punën e tij". Psikologjia triumfaliste e qeverisë dhe rutinizmi masiv i administratës e kanë bërë "modus viventi" neutralitetin jo njerëzor të institucioneve, një psikologji sunduese që po deformon karakterin social të administratës, e cila shumë pak obligohet për të kryer detyrën dhe zgjidhur në rrugë ligjore hallet e qytetarit. Qytetarët nuk janë turmë amorfe njerëzisht që mund të trajtohen të anonimizuar. Nuk ka shtet social kur administratës së tij nuk i funksionon "shpirti i shtetit", nëse pas konceptit të përgjithshëm "popull" nuk shikon qytetarët e individualizuar, por një "turmë" me të cilën mund të sillesh si të duash. Në të vërtetë, qytetarët janë të shqetësuar për sjelljen e administratës, të shumë nëpunësve indiferentë të saj, të cilët i ndesh me shumicë që nga administrata e lartë e Këshillit të Ministrave e deri te zyrat e thjeshta të një komune të largët. Nuk mund të trajtohet njeriu si qytetar që ka nevoja edhe të përgjithshme, por mbi të gjitha specifike dhe të individualizuara, nëse në administratë do të ketë kaq shumë njerëz që kanë natyrë të deformuar, që nuk janë qenie morale në raport me detyrën shtetërore dhe përgjegjësitë e saj. Nuk mund të ndryshojë realiteti neutral dhe jo njerëzor i disa institucioneve, nëse nuk ndryshojmë natyrën morale të nëpunësve të saj. Kjo do të thotë se qytetarët tanë kurrë nuk mund të jenë të kënaqur përballë disa nëpunësve të akullt që gjithë ditën mendojnë për vete, që nuk e kapërcejnë pragun e interesave vetjake, që merren fare pak me natyrën e interesit të përgjithshëm publik dhe kërkesave individuale të qytetarëve tanë.

Në të vërtetë, kjo sindromë e administratës është një patologji e vjetër, që vjen si reminishencë e periudhës së totalitarizmit, kur shteti dhe qytetari kanë qenë të ndarë në mënyrë të prerë me njëri-tjetrin. Por kjo sëmundje është pengesë e madhe për funksionimin e marrëdhënieve midis shtetit dhe qytetarit në demokraci. Këtë po e ndiejmë të gjithë dhe të gjithë ankohemi për neutralitetin jo njerëzor të institucioneve, indiferencën e pamotivuar të shumë nëpunësve të administratës së saj.

Shoqëria jonë nuk mund të trajtohet nga shteti dhe nëpunësit e saj si një "totalitet social", sepse shoqëria shqiptare është një "totalitet i strukturuar" që përbëhet nga grupe sociale e individë që kanë interesa të ndryshme, të dallueshme, të identifikuara. Pa një administratë që të kuptojë këtë veçantësi do të jetë e vështirë të sigurohet një marrëdhënie e mirëkuptuar midis qeverisë, administratës dhe qytetarit. Ky nuk është problem vetëm sociologjik, por është çështje e ndërtimit të marrëdhënieve empirike midis shtetit, administratës dhe qytetarit. Pa këtë marrëdhënie, çdo gjë do të mbesë një demagogji e shëmtuar për të maskuar apo deformuar realitetin e vërtetë të marrëdhënieve midis shtetit, institucioneve të tij dhe qytetarit. Ky realitet social i marrëdhënieve midis institucioneve të shtetit dhe qytetarit, me siguri që kërkon analiza dhe studime të thelluara psiko-sociologjike dhe juridike për të rivendosur ekuilibrin dinamik midis tyre. Është plagë jo e vogël sociale për shoqërinë tonë, që gjithnjë e më shumë vazhdon të thellohet sëmundja e njohur e administratës sonë, e cila shfaqet indiferente ndaj kërkesave të qytetarit, që ushqehet nga psikologjia e vjetër e shikimit të qytetarit jo si individ me kërkesa të veçanta, por si pjesë e "totalitetit njerëzor". Nuk ka dyshim, në çdo pikëpamje që të analizohet situata, duket fare qartë që ka një përkeqësim të raporteve të qytetarit me administratën e shtetit. "Neutraliteti jonjerëzor" i administratës siç thotë filozofi modern francez, Levinas, është e lidhur me faktin që në kohën moderne po zgjerohet mentaliteti që i trajton njerëzit ose si turmë, ose si "totalitet shoqëror", duke abstraguar kështu nga nevojat, kërkesat dhe veçantësitë e individëve. Në gjuhën e qeverisë, shpesh këto sëmundje të administratës dhe institucioneve të saj justifikohen me logjikën e trajtimit të "interesit publik" nëpërmjet funksionimit të shtetit ligjor. Por pas dukjes është thelbi i së vërtetës që duhet zbuluar për të ndihmuar që administrata dhe institucionet e shtetit të bëhen më njerëzore dhe të qëndrojnë sa më afër halleve të individualizuara të qytetarit. Nuk mund të jetë në pozicion demokracia jonë nëse vëmë ballë për ballë në formë konfliktuale "logjikën anonime dhe të ftohtë të institucioneve" përballë logjikës së kërkesave dhe nevojave të individualizuara të qytetarëve tanë. Këto logjika konfliktuale janë bërë të padurueshme për qytetarin tonë, që është përditë në marrëdhënie të përkeqësuara në raport me institucionet e shtetit të tij. Logjika e institucioneve është vërtet ligjore, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë logjikë anonime, aq më pak antiqytetare dhe indiferente në raport me interesat e individualizuara të tij. Absolutizimi i të ashtuquajturës "logjikë e institucioneve", është mjet që e përdorin nëpunësit dembelë, përtacë e të korruptuar për të nxjerrë përfitime nga distanca mekanike dhe marrëdhëniet metafizike që ata krijojnë me qytetarin në emër të institucionit. Kjo është akoma më e shëmtuar, është një "kancer" që deformon marrëdhëniet e shtetit me qytetarin. Nëse institucionet vazhdojnë të ecin në logjikën e neutralitetit jonjerëzor në marrëdhënie me qytetarin, nëse ecim në logjikën e zgjerimit të determinizmit të shtetit dhe administratës së tij në disfavor të interesave të qytetarit, atëherë do të thotë se administrata nuk është më shpirti i shtetit dhe aleat i qytetarit, por në një farë mënyre bëhet "armiku" i tij. Levinasi ka të drejtë kur thotë se "ka një kufi për shtetin", përtej të cilit fillon të veprojë logjika e determinimit të tepërt dhe të panevojshëm, që gradualisht merr natyrë totalitare. Dhe të mos harrojmë tashmë kudo në botë ka filluar të flitet hapur për mundësinë e totalitarizmit të shtetit edhe në kushtet e shoqërisë liberale. Sidomos kur natyra e shtetit dhe qeverisja e vendit frymëzohen nga logjika antinomike e autoritarizmit personal. Në këtë betejë jemi edhe ne, këtë duhet ta kuptojmë të gjithë. Shoqëria civile sidomos duhet të thotë fjalën, por dhe të udhëheqë luftën për demokratizimin e marrëdhënieve të institucioneve dhe interesave të qytetarit…


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›