Kalaja e Durrësit i nënshtrohet restaurimit
Prej një jave, muret e kalasë mesjetare të Durrësit kanë nisur të restaurohen. Punimet po kryhen me një fond prej 7 milionë lekësh, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas të dhënave nga Atelieja Rajonale e Monumenteve, firma restauruese, përveç pastrimit të mureve në të gjithë gjatësinë prej afro 300 metrash nga Torra Veneciane deri në afërsi të amfiteatrit antik, do të kryejë punime mbushëse si dhe do të zëvendësojë tullat e dëmtuara. Një pjesë e vogël e investimit do të përdoret në muret e portës së madhe, e cila është pjesë e një kompleksi arkitektonik ngjitur me godinën e bankës së ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar. Pritet që punimet të përfundojnë brenda muajit gusht. Kështjella e qytetit ka nisur të ndërtohet në periudhën helene dhe më pas ajo është fortifikuar disa herë veçanërisht në shekujt 4-6 të erës sonë. Muret u ringritën në periudhën e perandorit bizantin, Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi, i cili e shndërroi atë në një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik. Riparime në mure janë kryer edhe pas tërmetit shkatërrues të vitit 1273. Aktualisht muret mesjetare me lartësi afro 15 metra si dhe tre hyrje e disa kulla fortifikuese ruhen në afro një të tretën e gjatësisë fillestare të kështjellës së qytetit. Atelieja Rajonale e Monumenteve gjatë këtij sezoni do të kryejë punime restauruese me vlerë 3 milionë lekë edhe në muret e kalasë së Peqinit.