E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracisë në Ballkan i mungon “oksigjeni shpirtëror”



Një demokraci perfekte nuk ka ekzistuar as para shumë shekujve e as tani në shekujt modernë ku kemi hyrë. Kjo ka ndodhur jo se ajo nuk do ta kishte arritur kulmin e saj, por se kombet nuk kanë ditur t‘ia hedhin themelet demokracisë së vërtetë, e cila si bazë ka barazinë dhe lirinë për të gjithë, ndërsa disa kombe dhe popuj të tjerë e kanë keqkuptuar demokracinë dhe e kanë kthyer së prapthi brenda sistemit të tyre shtetëror-politik. Pavarësisht nga të gjitha kritikat që ka pasur demokracia nga kombe dhe popuj të ndryshëm që kanë përqafuar atë dhe ato që janë ende në fëmijërinë e saj, ajo megjithatë është treguar si një proces më i suksesshëm dhe ecjes së një shtetit në drejtimin e duhur të lirisë dhe ndërtimit të ardhmërisë brenda parimeve bazë të demokracisë.

Ndërsa, siç edhe dihet, që nga kohërat e lashta demokracia në thelbin e saj është sundim i popullit, sepse në çdo vend demokratik ju mund të kuptoni, duke lexuar kushtetutën e tyre se në një formë apo tjetër gjendet thënia, sipas së cilës “populli është bartësi i fundit i gjithë sovranitetit të shtetit demokratik-juridik”. Nga kjo, pushteti është i legjitimuar në mënyrë demokratike vetëm në rast se ai ka dalë nga vullneti i lirë dhe me miratimin e popullit të atij shteti. Në këtë kontekst nëse “qeverisja e popullit përmes popullit” në disa vende është e mundur ajo në disa ende edhe në kohën tonë mbetet e pamundur për shkak të problemeve që bartë vendi në të cilën demokracia të zë shtratin e saj për t'u mbjellë dhe rritur sipas elementeve të saj thelbësore, tradicionale dhe bashkëkohore.

Në këtë kontekst, ne duhet cekim atë se sot në shekullin XXI në politikën moderne flitet shpesh për vullnetin e popullit, pa qenë e qartë se ç'nënkuptohet saktësisht me këtë nocion. Filozofi i madh francez i politikës, Zhan-Zhak Rusoi besonte se kishte arritur të ndërtonte vullnetin e përbashkët të popullit: sipas tij, “ai duhet të jetë identik me të mirën e përgjithshme”. Pas rrahjes së mendimit tonë të peshuar mbi karakterin e shoqërisë pluraliste e demokratike është i nevojshëm një sistem i tillë qeveritar, i cili nuk i shtyp, por i respekton pakicat dhe përfill njëkohësisht vullnetin e shumicës, sepse ai i afrohet më tepër idesë së të drejtës për vetëvendosje, duke respektuar domosdoshmërinë e bashkëjetesës. Megjithatë, parimisht parimi i sovranitetit të popullit mund të konkretizohet vetëm nëpërmjet parimit të shumicës, si bazë e veprimit politik. Për këtë arsye, demokracia moderne nuk është vetëqeverisje e popullit. Ajo sot mund të realizohet si qeveri e përfaqësuesve të popullit, të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, të lira, të barabarta dhe të fshehta, të cilët mund të detyrohen prej tij, të marrin detyrat qeveritare dhe ta udhëheqin vendin sipas vullnetit të shumicës përkatëse të forcave politiko-shoqërore të një kombi apo populli.

Një demokracie liridashëse, e cila pohon bashkëvendosjen e shoqërisë në procesin e formimit të vullnetit politik, i duhet përpunimi juridik. Demokracia dhe shteti juridik përbëjnë një njësi të pandashme. Nën nocionin "shtet juridik" duhen nënkuptuar të gjitha parimet dhe mënyrat procedurale, të cilat garantojnë lirinë e individit dhe mundësojnë pjesëmarrjen e tij në jetën politike.

Duke mos shkuar me tutje rreth çështjes së elementeve dhe historikut të vendosjes dhe përbërjes së demokracisë ne do të hedhim një vështrim më shumë rreth asaj se a mund që disa nga vendet e Gadishullit Ballkanik ta përqafojnë demokracinë, duke ditur të kaluarën e sistemeve të vjetra që kanë pasur brenda vetes së tyre.

Në lidhje me proceset e zhvillimit dhe frytënimit të demokracisë brenda sistemit politiko-shtetëror të disa nga vendet e dala nga regjimet komuniste në Gadishullin Ballkanik, do të trajtojmë duke lidhur këtë me kuptimin dhe mënyrën se si e kishte analizuar dhe parë idenë e demokracisë dhe mbi cilat baza ishte ndërtuar ajo filozofi e njohur e politikës Aleks de Tokvil, te vepra e tij “Mbi demokracinë në Amerikë”. Kriterin e parё tё trajtimit tё idesë sё madhe të demokracisë tё kohёs sё re e ka vendosur nё shek. XIX Aleks de Tokvil, ai me veprën e tij mbi demokracinë nё Amerikë ka bërë mё tepёr se njё analizё duke i pasqyruar botёs jodemokratike apo asaj në fillimet e saj një epokë të re dhe një ide që më vonë do të bëhej shpërthyese në Evropën e re dhe të bashkuar. Gjatë shek. XIX, disa nga evropianët ishin magjepsur nga kjo ide e madhe e kohës, ndërsa disa të tjerë ideja e demokracisë i kishte bёrë tepër skeptikë sidomos disa nga evropianët konservativë. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në SHBA në vitin 1831 Aleks de Tokvil kishte parё nё Amerikё njё figurё tё re tё demokracisë sё pastёr, figurё kjo, e cila nё periudhёn nё vazhdim, sipas tij, do tё pёrhapej edhe nё shtetet e Evropës Perëndimore. Ky ishte mendimi i tij që më vonë do të rrënjoset thellë në vetëdijen dhe kombet dhe popujt e Evropës së re dhe më gjerë. Ndërsa në lidhje me revolucionin e madh demokratik dhe zhvillimin e tij të plotë De Tokvil nënvizon: “Madje unë nuk kam pretenduar të gjykoj nëse revolucioni shoqëror, përparimi i të cilit më duket i pashmangshëm, ishte i dobishëm apo vdekjeprurës për njerëzimin; unë kam pranuar atë si një fakt të kryer,apo që është duke u kryer dhe midis popujve ku ai ka ndodhur, kam zgjedhur atë popull tek i cili ky revolucion arriti zhvillimin e tij më të plotë dhe më të qetë; këtë e bëra në mënyrë që së andejmi të shquaja qartë rrjedhojat e tij të natyrshme dhe të dalloja nëse ishte e mundur, mjetet për ta bërë atë të dobishme për njerëzit”.

Në lidhje me këtë duhet cekur se shkrimtari i madh politik francez, Aleks de Tokvil nuk kishte si qëllim ta përshkruante natyrёn e demokracisë, por qëllimi i tij ishte që premisat antropologjike të saj dhe mënyra se si funksionon ajo në praktik duke ndier atë çdo qytetar dhe komb, me një fjalë ai deshi që të tregonte se është pikërisht ky sistem që i mundëson çdo kombi dhe individi që imazhin e tij ta bёjë vetë duke u mbështetur thellë në pasionin e lirisё dhe kёrkimit njёkohёsisht të njohjes së këtij identiteti apo imazhi të ri antropologjik pёrmes barazisё me tё tjerёt. Normat, tё cilat nё antikitet përshkruheshin si "mores", sipas De Tokvil janë ato që e pёrbёjnё frymёn e demokracisë, frymë kjo që mund të jetë po aq e mirё apo e keqe, sa edhe normat e qytetarëve nё raport me parimet demokratike. Aty ku çdonjëri do tё ndihet njёlloj i lirё, e nё kёtё liri edhe i veçantё dhe i barabartë, sipas Aleks de Tokvil, “njё mekanizёm i veçantё pushton individin dhe çdo popull tё demokratizuar”. Siç e dimë nga përvoja historike e kombeve dhe individëve në veçanti pasioni për liri dhe barazi është një ndër pasionet më të mëdha dhe më të fuqishme kështu që nga kjo sidomos në kohërat e demokracisë këto elemente thelbësore të demokracisë ndihen në shfaqjen e tyre në mënyrë energjike nga vetë vullneti dhe institucionet kombëtare dhe shtetërore-politike që kanë këtë sistem brenda tyre. Sipas De Tokvil, “kohë pas kohe liria politike i jep një numri të caktuar qytetarësh, kënaqësitë më sublime, kurse barazia i jep çdo ditë, çdo njeriu, një shumicë kënaqësish të vogla. Bukuritë e barazisë shihen në çdo çast e mund të preken nga të gjithë: Zemrat më fisnike nuk janë të pandjeshme ndaj tyre, shpirtrave më vulgarë, nuk u mungon dëshira për t'i shijuar. Pra, pasioni që lind nga barazia duhet të jetë njëherazi energjik dhe i përgjithshëm”. Sido që të jetë në duhet thënë se për të gjithë ata që dëshirojnë ta shikojnë fytyrën e demokracisë së vërtetë atë mund ta gjejnë vetëm nëse kanë arritur që si pikë referimi përveç si gjithmonë të diktuar nga ideja e parë aristoteliane, një meritë të jashtëzakonshme e ka edhe shkrimtari i madh politik, Aleks de Tokvil.

Dhe krejt në fund, kemi arritur kështu te çështja e perspektives sё demokracisë në disa nga vendet e Gadishullit Ballkanik e në veçanti vendeve të ish-Jugosllavisë dhe forma e tyre e re e cila është mbushur me deformime si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Duke ditur se këto vende që tanimë kanë dalë nga ndërtesa e një sistemi totalitar e që në fakt mbushi me dhunë fytyrën politike tё asaj kohe, duke e bërë kështu që kjo ndërtesë në të ardhmen të bjerë në gjunjë të demokracisë, pastaj vetëvendosjes së kombeve dhe popujve brenda saj. Duke pasur parasysh vendet e ndryshme post-komuniste apo socialiste, pak vjet pas viteve 80' dhe 90' ka ende njё dozё dyshimi se këto vende akoma nuk kanë arritur që demokracinë ta fusin thellë në rrënjët e kombit të tyre dhe njëkohësisht t'ia bëjnë imazhin vetes para të tjerëve se në të vërtetë demokracia tanimë në këto shtete të reja po ecën në ritmin e zhvillimeve normale. Tani pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, disa nga vendet e saj si p.sh. Serbia, Kosova, Maqedonia, Bosnja etj. e kanë vënë në dyshim akoma më shumë ekzistencën e demokracisë brenda tyre dhe se imazhi që kanë ndërtuar ato në sipërfaqe, tregon qartë se demokracia brenda tyre ende nuk ka gjetur vend për t'u mbjellë, ngase sistemi që këto vende po aplikojnë, u ngjason më shumë atyre autoritare dhe orientaliste. Prandaj, në kuadër të kësaj, demokracia dhe zhvillimi i saj në këto vende do të testojë se a do të mund që edhe më tutje ajo që është nisur, të ecë me impulse normale dhe të sigurta drejt proceseve të demokratizimit të këtyre vendeve dhe se a do të mund tё mbeten të afta që nё tё ardhmen të bëhet funksionalizuese, efektive si dhe me një imazh të pastër të demokracisë moderne.

E ardhmja e demokracisë në këto vende, si Kosova, pastaj Serbia, Bosnja, Maqedonia etj., parë nga sfondi i kushteve dhe raporteve të tanishme do tё varet kryekëput nga një refleksion dhe imazh që ata do t’i bëjnë vetes, duke lënë hapësirë më shumë që demokracia të zë vend brenda gjithë kapilarëve të sistemit të tyre shtetëror-politik e kombëtar. Qëllimi i këtyre vendeve të reja të dala nga diktaturat dhe sistemet post-komunsite dhe socialiste është që të mos merren më me iluzione politike dhe as duke çuar në mendje joshjet totalitare dhe barbare të shekujve që lamë pas, por të marrin seriozisht parimet e demokracisë dhe ndërtimin e ardhmërisë së përbashkët të tyre drejt proceseve të integrimit në sistemin e vlerave të Unionit Evropian. Në lidhje me procesin e mbjelljes së frymës së demokracisë, udhëheqësi shpirtëror dhe politik indian, Mahatma Gandhi, shkruan: “Fryma e demokracisë nuk mund të sillet nga jashtë. Ajo duhet të vijë nga brenda”.

Nga kjo mund të themi se këtyre vendeve u mungojnë themelet e demokracisë apo, më mirë, u mungon “oksigjeni shpirtëror” dhe se problemet do të vazhdojnë akoma më shumë ta rëndojnë ardhmërinë e tyre evropiane përderisa nuk arrijnë ta kuptojnë thellë demokracinë brenda tyre dhe ta bëjnë pjesë të jetës, sistemit të tyre të vërtetë shtetëror-politik. Sidoqoftë, në lidhje me zhvillimin e demokracisë dhe efektivitetin e saj, Kosova ende mbetet një fëmijë i dobët i demokracisë, e cila ka grumbulluar probleme të mëdha. Që nga shpallja e pavarësisë së mbikëqyrur të saj, demokracia në këtë vend ende nuk ka marrë formën e saj dhe imazhin e saj të vërtetë, pastaj problemet e rendit juridik e gjyqësor, të sovranitetit, të sigurisë me theks të veçantë rrezikut nga terrorizmi, pastaj krimi i organizuar, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe shumë e shumë probleme të tjera që në një mënyrë apo tjetër nuk e lënë që demokracia t'i shtrijë rrënjët e saj brenda tërë sistemit të përgjithshëm shtetëror dhe qytetar dhe normalisht që e pengojnë edhe në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›