Koherenca e z. Rama në funksion të inkoherencës
Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit ka tërhequr vëmendjen e të gjitha palëve të interesuara jo vetëm për të dëgjuar vlerësimin në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por edhe sugjerimet që mund të jepen për përmirësimin e mundshëm të Kodit zgjedhor. Nisur nga impakti i këtij raporti, mund të themi se edhe këto zgjedhje treguan se zëri i shoqërisë civile apo mendimi i ekspertëve të kualifikuar që monitoruan dhe bënë komentet e tyre në lidhje me standardet e këtyre zgjedhjeve, mbeten në “hije”, duke kaluar pa u vënë re nga eksponentë të rëndësishëm të partive politike. Edhe kësaj here, si “zë i së vërtetës” shërbehu raporti i OSBE/ODIHR-it.
Sigurisht, në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike është normale që gjykimi i përfaqësuesve të këtyre organizmave të ketë një peshë të rëndësishëm, por njëkohësisht, edhe zëri i shoqërisë civile duhet të ketë ndikimin e tij në drejtim të përmirësimit të standardeve. Qeveria e sapokrijuar duhet të legjitimohet si nga faktori lokal, ashtu dhe ai ndërkombëtar, pasi sa më shumë këndvështrime dhe vlerësime të kemi për një proces, aq më e kompletuar bëhet panorama e tij dhe njëkohësisht, aq më shumë dalin në pah përmirësimet që duhen bërë. Por, me sa duket, shoqëria civile akoma nuk ka arritur të fitojë besueshmërinë e nevojshme për të qenë ndikues në axhendën e reformave që duhen ndërmarrë ose vërejtjet dhe vlerësimet e saj të bëhen pjesë e ligjërimit politik.
Sigurisht, për të analizuar shkaqet që e kanë krijuar këtë situatë, nevojitet një analizë e thelluar dhe për momentin, nisur nga situata ku ndodhemi, na intereson më shumë të analizojmë si u lexua ky raport nga përfaqësuesit e dy forcave kryesore, pasi ata ishin edhe ideatorët e këtij kodi zgjedhor si dhe zbatuesit e saj.
Po t’u referohemi deklaratave për shtyp të eksponentëve të rëndësishëm të PD-së dhe LSI-së, si pjesë tashmë e qeverisë, do të konstatojmë një qëndrim realist si në lidhje me shkeljet që u konstatuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku qeveria sigurisht ka peshën kryesore të përgjegjësisë, ashtu edhe me evidentimin e progresit të arritur në këto zgjedhje. Ndërsa, pjesa institucionale e PS-së e lexoi këtë raport me “syzet e z. Rama”, duke vënë në zbatim sloganin “Të gjitha meritat i kemi “ne” në lidhje me progresin dhe standardet e arritura në këto zgjedhje, ndërsa përgjegjësitë në lidhje me shkeljet, i kanë “ata”.
Ky qëndrim nënkuptohet më mirë në konferencën për shtyp të mbajtur nga z. Rama, ku vihej në dukje roli i rëndësishëm që ka luajtur opozita në formulimin dhe miratimin e Kodit Zgjedhor. Një vlerësim që jepet edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it në pjesën ku flitet për progresin e arritur në këto zgjedhje. Ndërsa, për sa u përket vërejtjeve që konstatohen, z. Rama dhe forca e tij politike nuk mban asnjë përgjegjësi. Le t’i shkojmë deri në fund linjës logjike të z. Rama, duke e gjykuar këtë linjë arsyetimi në dy momente.
Momenti i parë ka të bëjë me çështjen e vullnetit politik. Siç bëhet e ditur në raport, çështjes së mungesës së vullnetit politik i kushtohet një rëndësi e veçantë, pasi tek të dyja forcat politike, PD e PS, nëpërmjet keqmenaxhimit të fondeve publike në nivel qendror dhe lokal, përdorimit të administratës qendrore dhe lokale, mungesës së transparencës së financimeve, ndërhyrjen e aktivistëve të partive politike tek komisionerët në zona, ku rezultati ishte i përafërt, kanë demonstruar mungesën e këtij vullneti.
Momenti i dytë, i cili ka karakter kryesisht teknik dhe procedural, ilustrohet nëpërmjet shkeljeve mes të cilave mund të veçojmë: përdorimin e bojës nga ana e komisionerëve, mosnumërimin e disa kutive ose mospërfshirja e rezultateve në tabelat agregate, lejimi i votimit familjar, zëvendësimi i komisionerëve të qendrave të numërimit dhe vëzhgimit pa arsye etj.
Sigurisht, në të gjitha këto shkelje përgjegjësinë kryesore e mban qeveria, si institucioni përgjegjës për administrimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por edhe opozita duhet të mbajë përgjegjësitë e saj, pasi përfaqësuesit e PS-së kanë qenë të pranishëm si në procesin e identifikimit, numërimit dhe certifikimit të rezultatit. Nëse komisionerët e përzgjedhur nga strukturat e Partisë Socialiste nuk kanë përmbushur siç duhet detyrimet ligjore dhe ato partiake, atëherë përgjegjësia u mbetet strukturave drejtuese të PS-së dhe z. Rama si drejtues i tyre. Kjo, për arsye se nuk kanë arritur të përzgjedhin komisionerët e duhur dhe si rrjedhim, nuk kanë mundur të sigurojnë votën e elektoratit të majtë të premtuar nga z. Rama.
Por, përveç përfaqësuesve të përfshirë direkt në këtë proces, një rol po kaq të rëndësishëm kanë pasur edhe strukturat e ngritura nga partia për të monitoruar me kujdes të gjithë procesin, me qëllim parandalimin ose publikimin e veprimeve me natyrë abuzuese. Nisur nga shkeljet që u prezantuan në Kongresin e PS-së, bazuar në mendimin e shumë analistëve dhe ekspertëve të zgjedhjeve mund të themi se shkeljet e bëra publike në thelb dëshmonin për parregullsi të procesit, por që këto parregullsi nuk mund të përcaktonin rezultatit e zgjedhjeve siç ka ndodhur p.sh. në zgjedhjet e vitit 2001. Edhe në këtë rast, strukturat e ngritura nga drejtuesit e Partisë Socialiste nuk kanë arritur të “fotografojnë” ose të parandalojnë “revanshin” e qeverisë “Berisha”, nëse do të përdorim fjalorin e z. Rama, për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve dhe sigurisht një përgjegjësi për këtë ka edhe z. Rama, gjithmonë nëse do t’i shkojmë deri në fund logjikës së tij që reduktohet në konkluzionin “Unë fitova, por votat m’i vodhi Berisha”.
Me sa duket, edhe qëndrimet e fundit të z. Rama në lidhje me vlerësimet e bëra në raportin e OSBE/ODIHR-it tregojnë për një konsistencë të tij me qëllim që t’i qëndrojë besnik alibisë së tij, pavarësisht kostove të zhvillimit të vendit. Por, në anën tjetër, duke insistuar në këtë qëndrim stoik, po shton edhe më shumë argumentet në adresë të paaftësisë së tij, si në organizimin e fushatës, ashtu edhe në drejtimin dhe administrimin e saj.
Mbetemi me shpresë se ky qëndrim i z. Rama do të jetë i tillë deri në rikonfirmimin e postit të drejtimit në PS, për shkak se opozita ka një rol shumë të rëndësishëm si në formulimin dhe miratimin e një sërë ligjesh në funksion të zgjedhjeve, por edhe në monitorimin e mënyrës së qeverisjes. Për sa kohë zërat kundër nuk mund të ndryshojnë fatin e drejtimit të partisë, të paktën të shpresojmë për një diskurs tjetër të zotit Rama me rimarrjen e drejtimit të saj, si i vetmi prioritet për momentin për z. Rama.