A/H1N1, ISHP: Merrni më shumë mostra tek fëmijët
Edhe pse infeksionet respiratore dhe sëmundjet e ngjashme me gripin paraqiten në nivele të larta tek fëmijët, pediatrit vazhdojnë të neglizhojnë këtë grupmoshë, duke mos marrë mostra për t’i analizuar për A/H1N1. Specialistët e shëndetit publik tërheqin vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologjikëve në të gjithë vendin që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshë, pasi sipas tyre, ka një numër të lartë të infeksioneve respiratore, kryesisht tek fëmijët.
Situata
Në buletinin e 16-të të ISHP-së specialistët raportojnë se këtë javë ka një trend të qëndrueshëm të infeksioneve respiratore, pavarësisht se numri i qendrave që raportojnë, është më i lartë se një vit më parë. Ata pohojnë se ka një numër më të madh të rasteve në moshat fëminore dhe më tej një rritje në moshat mbi 60 vjeç.
Deri më tani, nuk ka akoma një shpërthim epidemik të infeksioneve respiratore apo të sëmundjeve të ngjashme me gripin, por duhet të theksojmë se edhe ne, por edhe në vendet ku ka pasur shpërthime epidemike, si edhe në një numër të madh rastesh nga gripi pandemik A/H1N1, nuk vihet re kapërcimi i pragut epidemik. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç. “Duke pasur parasysh se numri i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet më i lartë në grupmoshën pediatrike, sërish vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në këtë grupmoshë. Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologjikëve në të gjithë vendin që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshë”, - deklarojnë specialistët.
Për 31 rastet e konfirmuara, 3 prej të cilave janë marinarë të moshës 30,31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal Durrës) të cilët tashmë janë të larguar nga vendi. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht me Mbretërinë e Bashkuar. Për 21 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Rastet janë kryesisht në Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Sarandë dhe Devoll.
Mjekët
Mjekët infeksionistë thonë se “në të gjitha rastet e rënda të ekzaminuara kemi dy raste të konfirmuara si A/H1N1 në Spitalin Infektiv në QSUT (51 dhe 29 vjeç) nga të cilat një rast me sëmundje shoqëruese si diabet dhe më pas kemi një rast të mundshëm për grip A në Spitalin Pneumoftiziatrik dhe një rast të mundshëm në Spitalin Pediatrik, QSUT”.
ISHP vazhdon marrjen dhe analizimin e mostrave. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Specialistët shprehen se për të pasur rezultatet e duhura me testin e Imunofluoreshencës Direkte, mostrat e marra nga pacientët duhet të dërgohen brenda 24-72 orëve të para të sëmundjes. Si pasojë e rikonstruksionit të Laboratorit të Virologjisë konfirmimi për llojin e virusit në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, Rumani ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara. Ata sigurojnë se të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me virusin e gripit A trajtohen njësoj si A/H1N1 nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit si dhe menaxhimit të rastit përherë sipas kontekstit dhe gjykimit klinik të specialisteve.
Shëndetësi
Anila Godo i dorëzon ministrinë Petrit Vasilit
Petrit Vasili, ministri i ri i Shëndetësisë, ka deklaruar vazhdim të reformave në sistemin shëndetësor. Pasi ka mbërritur në zyrën e dikasterit që ai do të drejtojë, ministri i ri është shprehur se do të duhet shumë punë për të vazhduar ato reforma të nisura nga ish-ministrja Godo, “pasi kështu, - tha Vasili, - do të arrihen ato standarde që kërkojnë qytetarët ndaj institucioneve shëndetësore”.
"Kam mësuar që krenaritë e sëmura janë pjellë e dështimit, kështu që mendoj që të gjithë së bashku me kokë ulur, po me shumë punë, është e vetmja mundësi që ne të vazhdojmë reformën e nisur dhe të provojmë më së fundi atë ndryshim që kërkohet në mënyrë akute nga qytetarët, të cilët me të drejtë, që jetojnë në një vend që zhvillohet vazhdimisht, kanë dhe kërkesa të tjera dhe më të rritura për shëndetin e tyre dhe ky është një normalitet që duhet ecur përpara", - deklaroi Vasili.
Paraardhësja e tij, Anila Godo, duke i dorëzuar ministrinë që ajo drejtoi përgjatë një viti të vështirë që kaloi shëndetësia shqiptare, ka vlerësuar punën e stafit, personelit shëndetësor në reformën që ajo nisi.
Vaksina kundër H1N1
E efektshme vetëm me një dozë
Kur filluan provat për vaksinën e re të virusit H1N1, ekspertët besonin se shumica e të rriturve do të kishin nevojë për dy doza, pasi virusi ishte i ri, por dy studime të reja tregojnë se shumë të rritur mund të mbrohen vetëm me nga një dozë. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Carol Pearson, njofton për ndikimin që do të ketë ky fakt në rastin e një epidemie të virusit H1N1. Zyrtarët e shëndetësisë që po luftojnë me pandeminë e parë në 41 vjet morën disa lajme të mira kohët e fundit. Vetëm një dozë e vaksinës duket se mbron shumicën e të rriturve. Sekretarja amerikane e Shëndetësisë, Kathleen Sebelius, tha se lajmet janë inkurajuese. Duket se tek shumica e njerëzve përgjigjja e imunitetit është e fuqishme brenda tetë deri në dhjetë ditë me vaksinën e parë që është një lajm shumë pozitiv. Një studim i vaksinës amerikane ka provuar të jetë po aq i efektshëm sa prova e vaksinës në Australi. Lajmi është i papritur dhe i mirëpritur. Kjo do të thotë se do të ketë dy herë më shumë vaksina të gatshme për njerëzit në mbarë botën. Dr. Anthony Fauci është me Institutin Amerikan të Shëndetësisë. Kjo zgjidh disa probleme që kemi pasur në vështirësitë për furnizime për të gjithë. “Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se 98 për qind e rasteve të gripit po shkaktohen nga virusi H1N1. Vaksina do të jetë në treg në mes të tetorit. Por shkollat kanë filluar, moti po ndryshon dhe sezoni i gripit ka nisur në hemisferën veriore. Rreth 60 studentë kanë marrë virusin në Universitetin e Minesotës në Mineapolis. Disa janë të shqetësuar. Kam dëgjuar se po përhapet gjithandej në kampuset e universiteteve. Është e frikshme”. Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë po bëjnë thirrje që njerëzit të marrin vaksinat e gripit sezonal që janë tashmë në treg. Ata rekomandojnë që njerëzit të imunizohen veças për virusin H1N1. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se grupet më të rrezikuara duhet të jenë të parët që vaksinohen: gratë shtatzëna dhe fëmijët, adoleshentët me sëmundje kronike, ata që kujdesen për të vegjlit dhe punonjësit e shëndetësisë. Rezultatet e provave që përfshijnë fëmijët dhe gratë shtatzëna priten pas dy javësh.