E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, takim me homologen kosovare



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, zhvilloi një takim ditën e djeshme me homologen kosovare, Nekibe Kelmendi, ku u diskutua për bashkëpunimin e frytshëm që dy palët do të kenë në të gjitha fushat e drejtësisë.

Ministrja Kelmendi i paraqiti ministrit Nishani dhe urimet më të përzemërta për detyrën e re. “Jam shumë e kënaqur që jam e para që ju paraqes përgëzimet e mia për detyrën e re që keni marrë në kabinetin qeverisës ‘Berisha 2’”, - u shpreh ajo gjatë takimit. Nga ana e tij, numri një i Ministrisë së Drejtësisë falënderoi homologen kosovare dhe shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim. Më tej takimi mes dy ministrave u përqendrua në bashkëpunimin e frytshëm që dy palët do të kenë në të gjitha fushat e drejtësisë, si në fushën e hartimit të ligjeve, administrimit dhe të funksionimit të burgjeve, mjekësisë ligjore e noterisë. Ministri i Drejtësisë, z. Bujar Nishani, u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe institucionet e saj të varësisë me eksperiencën shqiptare. Në këtë takim, ministrja e Drejtësisë së Kosovës shoqërohej nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Gazmend Pula dhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, z. Florian Dushi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›