E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush po gabon në Partinë Socialiste?



Është bërë gati një i folur e i shkruar stereotipik. Të gjithë thonë të njëjtën gjë, si politikanë brenda Partisë Socialiste ashtu edhe gazetarë të ndryshëm e analistë që i ndjekin ngjarjet politike nga shumë afër.

Dikush gaboi në Partinë Socialiste përgjatë fushatës parazgjedhore dhe në kohën e fushatës elektorale. Dikush po gabon edhe tani.

Gabimi, gabimi, gabimi...

Thonë se gaboi kryetari i partisë, Edi Rama. Përderisa flitet për gabim do të thotë se të gjithë ata që e artikulojnë kështu mendimin e tyre supozohet se e dinë shumë mirë se cila do të kishte qenë vija e pagabueshme që duhej ndjekur, pra e dinë të mirën dhe të vërtetën, atë rrugë që do të kishte çuar me siguri në fitore. Duket një pretendim i madh. Termi gabim në fakt vjen nga njohja e botës. Por, në fushën e veprimit politik nuk dihet se sa mund të zbatohet e njëjta terminologji.

Kush gaboi në Partinë Socialiste? Dhe nëse gaboi, në çfarë kuptimi gaboi? Ku gaboi? Ndofta këtë është mirë ta dinë edhe militantët socialistë, dhe ata që ndeshen sot politikisht, për lidershipin socialist.

A gaboi Edi Rama?

Ta shohim nga afër si aksionin e tij politik, ashtu edhe statusin parazgjedhor që kishte dhe çfarë i lejonte që ky status të bënte apo të mos bënte.

Duke qenë kryetari i Bashkisë së Tiranës, ai nuk mund të kandidonte për deputet. Që ta bënte këtë, i duhej të hiqte dorë nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. A mund ta bënte? Sipas meje, jo, fatalisht. Nuk kishte sesi. Ai erdhi në krye të Partisë Socialiste pikërisht duke qenë në pozitat më të forta që ndonjë socialist mund të ndodhej në vitin 2005. Socialistët kishin nevojë atëherë, kur sapo e kishin humbur pushtetin 8 (45)-vjeçar, të rikapeshin përsëri pas një pushteti për t’u rigjallëruar. Veç sfidave personale këtë mund ta ofronte vetëm Edi Rama. Cili ishte modeli konkret i qeverisjes që mund të propozonin socialistët në atë kohë? Vetë Fatos Nano kishte thënë, mirë a keq, është modeli i qeverisjes së Tiranës. Në Tiranë luheshin interesa të mëdha financiare, prej të cilave as socialistët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë të imunizuar. Edhe ata njerëz janë. Aq më shumë që një armatë socialistësh gjente strehë dhe ushqim brenda perimetrit të Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shihej si kryesocialisti efektiv dhe kryetari i Partisë Socialiste, shihej si kryebashkiaku i Tiranës. Ishte një model, një modul, që dukej efektiv dhe me plot potenciale rezistuese, përse jo, edhe fituese në vitin 2005 dhe më këtej. Jo më kot.

Por, çdo formulë ka madhështinë, por edhe limitet e veta të hidhura. Këto të fundit modeli i kryetarit të dyfishtë partiak dhe bashkiak shfaqi në mënyrë të natyrshme, tregoi edhe kufizimet e veta, që sigurisht pastaj u manifestuan me pasoja të hidhura elektorale në zgjedhjet e fundit parlamentare. I kërkonin t’u jepte edhe një opozitë në pushtet (Bashkia e Tiranës), dhe një opozitë fitimtare në zgjedhje. E pamundur! Njërën nga të dyja. Sikurse thotë një fjalë e urtë franceze: “Nuk mund t’i kesh edhe gjalpin, edhe paratë e gjalpit njëkohësisht”.

Kryetari i partisë që nuk kandidonte vetë para elektoratit, pra nuk pranonte nënshkrimin e kontratës politike me qytetarët! Defekt i madh dhe me pasoja, por e thamë që ishte e pamundur për Edi Ramën të bënte ndryshe. Mirë sikur të fitonte, po sikur të humbiste. Normalisht vetë statusi ku e kishin pranuar të ulej, kryesocialist – kryebashkiak, interesat e këtij pozicioni, ia kërkonin që të ruante një pozicion rezervë në rast humbjeje. Nuk mund të luante i humbas apo i fitoj të gjitha. A lufton ndonjë ushtri pa ca hendeqe rezervë në tërheqje?

I fshiu të gjithë partnerët e fuqishëm që mund ta konkurronin nga lista e kandidatëve për deputet: iku Bufi, Nano, mospranim i Metës, braktisje e Gjinushit, Milos etj. E hidhur, por nga pozitat e kryetarit të partisë dhe kryetarit të bashkisë, i mbetur detyrimisht jashtë Kuvendit për arsye ligjore, nuk mund të promovonte individë me staturë a format kryeministrash apo që kishin ambicie e mbështetje në këtë drejtim. Llogari të bëra shumë saktë. Nuk i gjej asnjë gabim Edi Ramës në këtë plan. Plan preciz. Sicili nga ata që kanë format të mundshëm kryeministror apo e pretendojnë ta kenë do të mundej që pas fitores të tërhiqte dinamika deputetësh brenda Kuvendit dhe që në mungesë të kryetarit të partisë, do ta drejtonin ata Kuvendin dhe partinë, duke i thënë një ditë kryetarit: “Faleminderit për kontributin tënd”. Aleanca për qeverisje. Edhe po të fitonte, do të ndihej i rrezikuar për të qenë kryeministër.

Kam qenë kritik për faktin se u katapultuan si deputetë edhe individë që nuk kishin asnjë kontribut në politikë, në administratë apo në Partinë Socialiste. Por, jam i qartë se kryetari i partisë nuk mund të bënte ndryshe. Edhe në rast fitoreje i duheshin këta të panjohur për ta kontrolluar Kuvendin, duke qenë jashtë tij, por sidomos në rast humbjeje, i duhej një grup parlamentar besnik për planet e ardhshme.

Ku ka gabime këtu? Çfarë i duhej të aktivizonte partinë që nuk e kishte nën kontroll atje në instancat e mëposhtme! Më mirë një fushatë pastërtisht mediatike. Ku ka gabim këtu? Të gjitha veprimet janë të kalkuluara qartë dhe saktë në përputhje me statusin dhe dimensionet e kryetarit të partisë – kryetar bashkie.

Nëse ky model kryepartiaku i bashkuar me postin e kryetarit të bashkisë për një periudhë solli anë pozitive për socialistët, në fushatën zgjedhore tregoi kufizime drastike. Kështu janë modelet, me dinamikë kohore, jo statikë.

Mund të thuhet se ky model parapërgatit të gjitha elementet e mosfitores, patjetër, por nuk mund të thuhet se ishte një gabim ose tërësi gabimesh. Gabime të kujt? Të atij që i merrte ato vendime? Del se nuk është kështu. Dikush mund të thotë, por ai mund të sakrifikohej dhe të mos shihte interesat e kryetarit të partisë, por të vetë partisë! Nuk ka vlerë. Nuk ka politikan që të jetë engjëll dhe të sakrifikohet. Janë të rrallë në historinë botërore. Politikani kalkulon interesat e vendit, të partisë e të vetat dhe vepron brenda kombinimit të tyre. Se çfarë kuptimi ka të fitojë si politikan, por të rrezikojë të humbasë si individ? Do të ishte një paradoks.

Më shumë se për fitoren, edhe për të është menduar se çfarë do të bëhet në rast humbjeje. Është në fakt një sjellje racionale. Kush shkon në një betejë, pa menduar për humbjen, bën një aventurë. Nuk diskutohet në shkencat shoqërore se ky pikërisht është modeli racional. Jo të gjitha paratë në të njëjtin bast. Modeli racional i sjelljes është jo ai që kërkon arritje maksimale, por që merr në llogari edhe riskun.

Dikush tallet nga miqtë e tij se përse në një ditë të bukur kishte dalë me çadër shiu të mbyllur në dorë. Ha, ha, ha! Sjellje joracionale, Dielli është lart në qiell. Por, ai mbrohet duke thënë se herët në mëngjes kishte parë disa re dhe kishte marrë rrezikun në një sjellje dilematike.

Më mirë me çadër në një ditë të mundshme me diell apo pa çadër në një ditë të mundshme me shi. Dihet se është më mirë me çadër në një ditë me diell, sado që në sipërfaqe, kjo duket në vetvete si një sjellje paradoksale, absurde, irracionale.

Zaten, posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës gjithmonë ka sjellë fatkeqësi politike për atë që e ka mbajtur. Nanua i zgjuar kur ia propozoi këtë Edi Ramës, e ka pasur kujtesën kolektive të këtij fakti. E nguli gozhdën në pushtetin lokal, pa i lënë hapësira për ta shfaqur në pushtetin qendror. Ku janë kryetarët e bashkive të periudhës tranzitore? Nuk duken më në politikë. Ku janë kryetarët e komiteteve ekzekutive dikur? Një i vetëvrarë, tjetri i pushkatuar, tjetri kështu e tjetri ashtu. Të gjithë me karriera të ndërprera përgjysmë, herë në forma tragjike e herë në forma prozaike. Ua kam thënë prej kohësh miqve të mi: “Nuk ka shans posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Është si lëkura e gjarprit, duhet zhveshur që të shpëtosh e të hidhesh në aventura të tjera politike madhore”.

Kush ka gabuar? Socialistët e tjerë që nuk folën kundër gabimeve të kryetarit, u bënë njësh me të, nuk të linin të flisje qoftë edhe në mënyrë artikulative modeste e të sjellshme, por kritike, kundër politikave që po ndiqeshin? Ata që sot thonë se nuk folëm se donin të mos dëmtonin partinë?

Por, ata që e dinin se me ato politika partia dëmtohej, nuk kishte si kujtonin se po të flisnin dëmtonin partinë. Paradoksi këtu është i hapur.

As ata nuk kanë gabuar. Ata kanë ndjekur gjithashtu një politikë racionale që nuk është ajo e dijes së kulluar, e dijes që kujton se e di atë që të do të ndodhë në të ardhmen. Ky është një mendim mitologjik, mitik, që fatkeqësisht është kaq i përhapur në mjediset shqiptare. Unë sillem sikur ta kem ditur atë që nuk kam se si ta kisha ditur (Kutitë e votimit janë të mbyllura, unë dua që ato të hapen që të dalë në shesh e vërteta. E mbyllur kutia nuk e shfaq do të vërtetën. Por, unë e di se kutia e mbyllur është e manipuluar. Pra, e di atë që nuk mund ta di.).

Ndihmësit e Edi Ramës në fakt nuk bënin asnjë gabim që nuk flisnin, por pajtoheshin kokulur me të. Po të flisnin, e sigurt që nuk do të zgjidheshin, nuk do të paraqiteshin fare si deputetë. Kurse po të mos flisnin kundër, të konformoheshin si gjithmonë, ruanin një shans për të qenë në listën e deputetëve dhe për t’u zgjedhur, a për t’u bërë ministra. Si është më mirë: të flisnin në mënyrë kritike dhe të mos bëheshin deputetë apo të mos flisnin duke ruajtur një shans për t’u bërë deputetë a ministra? Sigurisht të mos flisnin. Pra ata nuk kanë gabuar nga pozicioni i tyre kur nuk flisnin atëherë dhe flasin tani.

Si është më mirë pra: me çadër në një ditë me diell apo pa çadër në një ditë me shi? Sigurisht me çadër në një ditë me diell. Rëndon pak në dorë a në qafën e xhaketës, por je i mbrojtur. Sjellja është njëkohësisht edhe racionale dhe e parë veçmas, absurde. Duket absurde nga mendimi dogmatik që nuk e kupton se politikani nuk ndodhet përballë sfidës së fitores, por edhe përpara pasojave të humbjes. Shkon drejt fitores duke menduar për humbjen dhe pranon humbjen duke shpresuar fitoren.

Edhe këta mund të flisnin duke vendosur partinë para interesave të tyre politike personale. Po e thamë pra, nuk ka politikanë engjëj, sepse asnjë politikan në demokraci nuk mund të mendojë për fitoren e vet politike, duke neglizhuar interesat e tija individuale. Ai nuk mund të jetë në politikë duke mos qenë.

Po tani kush po gabon në Partinë Socialiste?

Edi Rama që nuk po futet në Kuvend? Parë nga këndvështrimi i tij, nuk ka asnjë gabim. Në interes të tij është që ata që nuk janë grupi i tij në Kuvend, ta braktisin grupin kuvendar të Partisë Socialiste. Të ikin sa më shpejt. Përllogaritje shumë e qartë dhe e saktë. Nuk i duhet një grup i madh që ta ketë besnik të vetes. Bile i duhen sa më pak, por të njehsuar rreth tij. Edhe me tridhjetë a dyzet deputetë është shumë i fuqishëm në jetën politike shqiptare. Bëhet i pashmangshëm në lojën e shahut politik. Forcohet.

Gabojnë përfaqësuesit e mendimit ndryshe? As ata. E dinë se po të ndahen e të shkojnë në Kuvend, do t’u duhet të formojnë pastaj një parti politike. Por, si se? Rama mund t’i përjashtojë, jo se e ha meraku shumë për disiplinën e partisë, por sepse për të është jetike që të gjithë ata që nuk janë me të, të largohen nga grupi kuvendor socialist. Po të isha si ai, do t’i kisha subvencionuar për t’u larguar.

Ik Judë më kallëzo te romakët!

Na kujton një darkë të famshme ku i mençuri i botës humane i thoshte tradhtarit të vet ta kryente aktin në të mirë të vetë viktimës së tij. Ky është paradoksi i arsyes. Paradoksi është racional. Racionalja është dogmë për slogan publicitar apo parullë zgjedhjesh.

Ata nuk ikin. Vonohen. Thonë se duhet futur në Kuvend. Po futuni, pra, çfarë prisni! Mos e thoni, bëjeni!

Bëjnë sikur duan të ikin, por në fakt duan të rrinë, kryetari bën sikur do që ata të qëndrojnë, por në fakt dëshiron që ata të ikin.

Askush nuk gabon. Gjykimi i politikës nga fjalët është vetë gabimi. Brenda tij e sakta konsiderohet gabim. Filozofia e akteve të të folurit e ka shpjeguar bukur këtë. Por, nuk kemi as vend dhe as kohë të ndalemi këtu.

Kush gaboi? Fatos Nano? Duke ikur nga partia në momentin e humbjes elektorale, bëri mirë apo gabim? Eh, kush e di? Nuk është braktisje e anijes në momentin e mbytjes? Apo është riciklim elitash në forma demokratike? Po të ishte kështu në Perëndim do të ishte bërë nami. Nuk do të kishte në skenën politike politikanë humbës. Të gjithë do të kishin ikur, zhdukur. Do të kishte vetëm fitues. Por Fatos Nano nuk iku nga posti i kryetarit duke ndenjur e milituar në parti. Ai u largua, fatkeqësisht, në fakt, nga vetë partia, realisht. Nga skena politike. Nga Kuvendi. Nga politika tani. Kemi humbur apo fituar? Kishte ndërmend me planin e tij për t’u tërhequr nga jeta politike apo për të lënë vend bosh vendin e kryetarit, demokratikisht, duke mbetur kontribuues i radhëve të para në parti. Rasti Nano nuk hyn në shembujt që flasin për procese demokratizimi të partisë, përkundrazi, për procese ku fatkeqësisht humbëm një politikan, së paku për një dhjetëvjeçar. Por, a mund të thuhet se ai gaboi? Aspak, ai ndoqi rrugën që e gjeti më të arsyeshme në një shoqëri ku politika nuk është tragjedi, por profesion i lirë si ai i profesorit, dentistit, kamerierit, marangozit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›