E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët heqin dorë nga bluja, ngjyrosen me të bardhë

Partia Demokratike ndryshon "fytyrën" përpara zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Selia qendrore e PD-së nga blu, kthehet e bardhë. Vetëm sigla e partisë do të ketë ngjyrën tradicionale, kurse muret e jashtme të godinës janë lyer me bojë të bardhë dhe qendra e selisë është e veshur me mure prej xhami. Në këtë formë, Partia Demokratike ka vendosur të ofrojë për anëtarët dhe simpatizantët e saj një tjetër panoramë, ndryshe nga ajo që është servirur më parë. Për afro 19 vjet, godina qendrore e Partisë Demokratike ka pasur ngjyrën e flamurit të partisë, por vala e sloganit të ekipit demokrat për fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit, "Shqipëria po ndryshon", duket se ka prekur edhe selinë qendrore të forcës kryesore që qeveris vendin që nga viti 2005. Nuk dihet ende, nëse ndryshimi i ngjyrës së godinës do të ketë impakt pozitiv apo negativ te militantët e zjarrtë të Partisë Demokratike, ku një pjesë e të cilëve mund të vlerësojnë ndryshimin, ndërsa pjesa tjetër duket se kërkon të ruajë me fanatizëm ngjyrën që simbolizon atë të flamurit të Partisë Demokratike. Salla e konferencave, por edhe ajo ku gazetarët do të përqendrohen ditën e zgjedhjeve në selinë blu, ka pësuar ndryshime rrënjësore. Në të njëjtin ambient, pritet të zhvillohen mbledhjet e Kryesisë së madhe të Partisë Demokratike, por edhe konferenca e Tiranës për zgjedhjet brenda strukturës demokrate. Një ekip prej 50 punëtorësh janë në fund të përfundimeve të punimeve, ku përveç paraqitjes së jashtme, një "remont" i zgjeruar po bëhet edhe për sallat dhe zyrat e selisë, që dikur mbante etiketimin si "godina blu". Një pjesë e punëtorëve sqarojnë se ndërhyrjet e mëdha kanë mbaruar dhe tashmë brenda një jave, selia e PD-së do të jetë gati për t‘iu rikthyer aktiviteteve të fushatës. Për shkak të rikonstruksionit që po kryhet prej disa ditësh, edhe deklaratat për shtyp të përfaqësuesve demokratë janë bërë në oborrin e godinës. Detajet më të fundit, me të cilat po merret ekipi i punëtorëve, janë rregullimi i shkallëve në ambientet e brendshme të godinës. Pjesë e riparimeve do të jetë edhe zyra e kryetarit të PD-së, e ndodhur në katin e fundit të godinës. Ky ambient i numrit një të demokratëve pritet të pësojë ndryshime rrënjësore, të cilat janë lënë për momentet e fundit. Berisha do të mund të shijojë një karrige të re, mobilie të reja, kompjuter të ri, për të ndjerë akoma më shumë një prej premtimeve të demokratëve për "Shqipërinë në moshën dixhitale". Këto elemente, bashkë me ndërhyrjen në mure, do t‘i japin një tjetër pamje zyrës së shefit të PD-së. Sendet me vlerë janë vendosur në një magazinë të katit të tretë, me një derë xhami për t‘u shpërndarë sërish në zyrat përkatëse. Posti si Kryeministër i vendit, por edhe axhenda e zënë e disa ministrave që mbajnë edhe poste të rëndësishme në sekretariatin e partisë, ka bërë që fluksi i punës dhe dokumenteve që mbërrijnë drejt PD-së për poste pune të spostohet në zyrat e Kryeministrisë dhe ministrive. Sakaq, rikonstruksioni i godinës ka prekur gjithçka, përveç zyrave të degës së PD-së së Tiranës, që ndodhet ngjitur me selinë e demokratëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›