PD-PS përplasen për zgjedhjet dhe kartat
Kartat e identitetit rrezikojnë shtyrjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Demokratët dhe socialistët janë përplasur dje në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc për zgjedhjet. Bashkëkryetari i komisionit, Kastriot Islami, theksuar se situata është alarmante për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, ndërsa deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, nënvizoi se "Partia Demokratike nuk e pranon kurrsesi shtyrjen e zgjedhjeve". Sipas Islamit, "situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve teknike për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë; besoj se java e ardhshme do të përbënte në këtë kuptim një moment refleksioni". Deputeti Hoxha, nga ana tjetër, shtoi se "nuk shohim asnjë lloj ideje dhe asnjë lloj dyshimi për shtyrje. Janë afatet optimale për gjithçka. E vetmja gjë që kërkohet është që zoti Rama të mos bëjë atë që po bën, sabotimin e procesit". Pak minuta më vonë erdhi edhe kundërpërgjigjja e zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili hodhi poshtë mundësinë e dështimit të procesit të pajisjes me dokumentin zgjedhor, siç pretendon selia rozë. Sipas zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, kanë qenë deklaratat e socialistëve ato që kanë frenuar përkohësisht procesin. Sipas tij, konfuzioni i krijuar për ndryshimin e çmimit të kartave ka bërë që numri i aplikimeve të reduktohet nga 8 mijë në 2 mijë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, paralajmëroi punonjësit e zyrave të aplikimit, se do të ketë pushime nga vendi i punës, në rast se bllokojnë procesin dhe se këto zyra do të qëndrojnë të hapura edhe ditën e diel. Sipas statistikave të ministrisë për komisionin e monitorimit parazgjedhor, nga 80 mijë shtetas pa pasaportë kanë aplikuar për kartë 60 mijë prej tyre.