Demokratët të "pakënaqur" nga ndarje e fondeve
Megjithëse vendimi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike do t‘i detyrojë të japin votën pro, një pjesë e deputetëve demokratë kanë shprehur hapur pakënaqësitë që kanë ndaj buxhetit të hartuar nga Ministria e Financave për vitin 2009. I cilësuar ndryshe si buxheti elektoral, drafti, i cili pritet të kalojë në Parlament, ka gjetur kontestimet e para jo vetëm nga selia rozë, por edhe nga demokratët. Deputetët Sali Shehu, Dashnor Sula dhe një grup tjetër deputetësh demokratë shprehën hapur votën e tyre ndaj buxhetit, por kundërshtuan disa pika në draftin e përgatitur nga Ministria e Financave. Një grup deputetësh demokratë i shprehën hapur kundërshtimet e tyre në mbledhjet e komisioneve që janë zhvilluar gjatë kësaj jave në Kryesinë e Kuvendit. Qëllimi i demokratëve është që të ketë sa më shumë të ardhura për zonat e tyre elektorale. Ngritja e zërit të PD-së lidhet edhe me afrimin e zgjedhjeve, ku secili deputet kërkon më shumë investime në zonat e tyre zgjedhore për t‘i treguar elektoratit se partia që ata votuan në zgjedhjet e 2005-ës ka sjellë shumë ndryshime. Dhënia e fondeve të mëdha për bashkitë që drejtohen nga socialistët ishte një tjetër argument që shkaktoi acarimin e deputetëve demokratë. Strategjia e qeverisë është që të joshë ato zona të cilat i ka humbur në zgjedhjet e 2005-ës, ndërkohë që deputetët e djathtë kërkojnë që të mos lihen pas dore edhe bastionet e vjetra të PD-së. Acarimi i një pjese të deputetëve demokratë lidhet edhe me faktin se nga buxheti i ri, disa komuna marrin më shumë fonde sesa bashkitë. Kampi opozitar në kundërshtim me buxhetin e ka cilësuar ndarjen e fondeve për vitin 2009 si politike, ndërkohë që edhe vet Partia Demokratike ka shfaqur pakënaqësi për buxhetin me të cilin qeveria e djathtë do të kërkojë një mandat tjetër katërvjeçar në zgjedhjet e 2009-ës.