Meta: Buxheti 2009, për interesa personale të Berishës
Buxheti 2009, në vend që të përgatisë përballimin e krizës globale edhe nga Shqipëria, ky buxhet vihet totalisht në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Kjo për qëllime afatshkurtra, duke rritur shpenzimet përtej çdo norme para datës së zgjedhjeve. Berisha vazhdon të përdorë fondet publike për interesat e tij politike dhe personale. Kemi rritje të theksuar të shpenzimeve, duke e çuar deficitin në nivele shqetësuese nga 4 deri 5% të PBB. Shpenzimet e qeverisë tregojnë se ajo, jo vetëm nuk është në dietë, por ajo po bëhet gati të financojë me paratë e taksapaguesve makinën e saj elektorale. Në mënyrë që t‘u jepet më shumë karburant e dieta zyrtarëve që do të bëjnë fushatën. Në një kohë kur FMN-ja parashikon dhe paralajmëron gjithë botën për vazhdimin e krizës edhe në vitin 2009, qeveria "Berisha" nuk parashikon asnjë qindarkë për të përballuar efektet e kësaj krize. Askush nuk i beson përrallat e Berishës se jemi vendi më i sigurt në botë. Banka me kapitale të fuqishme kapitulluan në sytë tanë. Bankat greke i kërkuan qeverisë ndihmë për të përballuar krizën dhe një pjesë e tyre operojnë edhe në vendin tonë. A e di qeveria jonë se edhe sot që flasim, bursat kanë humbur vlerat e tyre normale. A e di qeveria se shtete solide kanë arritur të falimentojnë nga kjo krizë? Si është e mundur që kjo qeveri e paaftë dhe qesharake siguron se Shqipëria do të jetë me imunitet për krizën botërore.